Serbia e fajëson OSBE-në për ‘zgjedhjet’ në Kosovë

Kryetari i Komisionit zgjedhor republikan, Veljko Odalovic, ka thënë për Radion Evropa e Lirë në gjuhën serbe, se nuk mund të thotë asgjë lidhur me këtë çështje. Edhe pse kanë mbetur dy javë deri në ditën e zgjedhjeve, ai ka thënë se kjo është duhet drejtuar ‘Ministrisë për Kosovën’ në Qeverinë e Serbisë, transmeton Telegrafi.
I ashtuquajturi sekretar shtetërorë në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën, Oliver Ivanovic, është shprehur i habitur me përgjigjen e Komisionit zgjedhor. Ai ka thënë se është detyrë e këtij komisioni ta bëj hapjen e qendrave të votimit edhe në territorin e Kosovës.
Pak më i qartë rreth kësaj teme ka qenë i ashtuquajturi ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, i cili për këtë paqartësi ka fajësuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, OSBE. Ai ka thënë se Serbia është e gatshme ta pranojë ndihmën e OSBE-së, por assesi ta lejojë atë që t’i organizojë zgjedhjet serbe në Kosovë.
“Jemi të gatshëm të zvogëlojmë numrin e qendrave të votimit; jemi të gatshëm që zgjedhjet të mos i mbajmë në objektet, që sic thonë shqiptarët, shfrytëzohen nga strukturat paralele; jemi të gatshëm të mos vendosim simbole në jug të Ibrit, e që do t’i irritonin shqiptarët, por nuk jemi të gatshëm që këto zgjedhje t’i organizojë OSBE-ja”, ka thënë Bogdanovic.