E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia e ka në dorë zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Moszbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, vazhdon të jetë një plagë e rëndë e shumë familje kosovare, që nuk dinë për fatin e më të dashurve të tyre. Aktualisht 1745 është numri zyrtar i personave që konsiderohen të zhdukur.

Kjo shifër nuk po zvogëlohet edhe 14 vjet pas përfundimit të luftës. Ka disa vjet që dy grupe punuese, një nga Prishtina e një nga Beogradi, me ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, takohen për të shkëmbyer informacione që mund të sigurojnë për të zhdukurit, por rezultatet janë të pakta. E familjet që kanë të zhdukur - presin.

Janë vendbanimet, Meja, Krusha e Madhe, Krusha e Vogël, Izbica, Rezalla, Suhareka, Lubeniqi, Qyshku i Pejës, e shumë e shumë vende tjera gjithandej Kosovës ku forcat serbe kidnapuan, vranë dhe zhduken pa gjurme mijëra civilë.

Qeveria e Kosovës e di që Serbia ka informacione për të zhdukurit e Kosovës, por këtë çështje Serbia e trajton jo si çështje humanitare, por e shfrytëzon për përfitime të saj politike, citon RTK-ja zëvendëskryeministrin, Hajredin Kuçi.

”Kjo çështje është çështje e qarte politike për Serbinë, por në thelb është çështje humanitare. Serbia e shfrytëzon politikisht por ne duhet ta shfrytëzojmë në kuptimin humanitar, si çështje që duhet të identifikohet secili individ, pa marrë parasysh përkatësinë e tij etnike. Ne, në këtë drejtim, jemi shumë të gatshëm që të punojmë edhe si Kosove edhe si Qeveri e e Kosovës”, thotë Hajredin Kuçi.

Me këtë konstatim pajtohet edhe kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prenk Gjetaj, i cili ka disa vjet që takohet me palën serbe, për të zbardhur fatin e personave të zhdukur.

”S’ka dyshim që Serbia jo vetëm këtë çështje, por çdo gjë e politizon dhe mundohet ta shfrytëzojë për interesa të ndryshme, madje edhe çështjen e personave të zhdukur e mban peng, për arsye se ata kanë punuar me komandë, kanë pasur sistem, kanë pasur organizim me strukturë ushtarake, policore, madje edhe gjykatat kanë manipuluar me çështjen e të zhdukurve”, thotë Prenk Gjetaj.

Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, nga ana e tij, thotë se Serbia e di vendndodhjen e varrezave masive të pazbuluara deri më tash.

”Serbia e di vendndodhjen, Serbia e di edhe mund ta bëjë identifikimin, se ato kanë qenë veprime të shtetit dhe veprimet e tilla i ndihmojnë vetëm Serbisë, që ta shtyjë identifikimin e personave te pagjetur dhe në këtë kontest ju ftojë që të veni kontakte jo ta ndryshoni mendjen, por veni kontakte dhe në këtë drejtim Qeveria e Kosovës do ta jap të gjithë mbështetjen edhe në kuptimin logjistik e financiar”, thotë Hajredin Kuçi.

Por, bashkëpunimi me shtetin e Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur është i domosdoshëm, thotë Suzana Novobërdaliu, kryetare e Komisionit Parlamentar për Çështjen e Personave të Zhdukur.

”Nëse, shembull, supozohet një lokacion për varrezë masive në Rashkë dhe është ndërtuar një objekt mbi varreza, ndoshta edhe qëllimisht, për të mbuluar gjurmët, atëherë pa pasur bashkëpunim nuk mund të zbulohet fati i këtyre personave të zhdukur”, thotë Suzana Novobërdaliu.

Ajo e di që numri prej 1745 personash që rezultojnë të zhdukur, të gjithë, nuk do të gjenden, sepse, sipas saj, kanë të dhëna që trupat e shumë persona të vrarë janë djegur.

”Çështja e personave të pagjetur ka qenë e drejtë e rezervuar për UNMIK-un dhe pastaj për EULEX-in. Mirëpo, as UNMIK e as EULEX nuk e kanë trajtuar këtë çështje në mënyrë të duhur, por e kanë relativizuar skajshmërish duke e sakrifikuar drejtësinë përmes politizimit të këtij procesi. Thjesht, ndriçimin e fatit të personave të pagjetur e kanë shndërruar në çështje politike duke simuluar bisedime ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës që po zgjasin me vite dhe të cilat nuk kanë dhënë asnjë rezultat”, thuhet në një reagim të KMDLNj.

Autoritetet e Serbisë, çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë vazhdimisht e kanë ndërlidhur edhe më të zhdukurit serbë gjatë luftës. Në këtë drejtim, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, thotë se Qeveria e Kosovës ka kohë që ka deklaruar se territori i Kosovës është i hapur për çdo hulumtim. Prandaj në këtë linjë u kërkon të gjithë atyre që angazhohen për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur që mos të dekurajohen nga veprimet e Serbisë por të vazhdojnë të hulumtojnë.

”Natyrisht që Kosova ka qenë jashtëzakonisht e hapur. Ju e dini edhe për hapjen e varrezave ku dyshohet. Ne kemi bërë një kërkesë të tillë edhe për Serbi. Unë e di që ajo ka ndikuar që edhe ju t’i kufizoni kontaktet apo nga njëherë të shprehni rezerva për komision që është nga Serbia. Po, ju lutem, mos i ndalni kontaktet, pavarësisht prej raporteve tona politike! Pse po e them këtë edhe vetëm nëse një fat dihet përmes këtyre kontakteve ia vlen për të shkuar disa herë. Ndërprerja e kontakteve i shkon në dobi vetëm Serbisë”, thotë Hajredin Kuçi.

Nënkryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Jelko Kacin, në debatin e fundit për raportin mbi përparimin e Kosovës në procesin integrues, e adresoi çështjen e personave të zhdukur si një çështje që kërkon zgjidhje urgjente ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

”Çështja e personave të zhdukur duhet të zgjidhet në nivelin më të lartë. Beogradi, Prishtina dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjnë më shumë në zgjidhjen e këtij problemi, i cili ende është i hapur, madje edhe pas 14 vjetësh nga përfundimi i konfliktit”, thotë Jelko Kacin.

 E Qeveria e Kosovës sipas zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçi, siguron të gjitha familjet që kanë persona të zhdukur, por edhe qytetarët e Kosovës se pa zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë të raporteve me Serbinë.

 Prenk Gjetaj, që udhëheqë Komisionin Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, thotë se takimet me palën serbe me ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar akoma vazhdojnë, edhe pse rezultate nuk ka pasur shumë.

Përderisa në Kosovë shumë asociacione qeveritare dhe joqeveritare tash e rreth 14 vjet japin e marrin informacione, kërkesa dhe ankesa nga familjarët e të zhdukurve, në territorin e Serbisë, në pjesën veriore të Mitrovicës, në thellësitë e liqenit të Peruçacit, në ish-furrat e shkritoreve të Zveçanit, vazhdon të ndryjë i pazbuluar një krim i madh mbi shqiptarët.

Vetëm gjatë vitit 2012 janë identifikuar edhe 36 lokacione si varreza të mundshme masive brenda territorit të Kosovës ku pritet të bëhen gërmimet, thotë Prenk Gjetaj.

”Pjesa veriore e Kosovës që përfshinë edhe Mitrovicën është vend i dyshuar dhe kemi disa lokacione që janë të specifikuara si vende të dyshuara apo të supozuara si varreza masive. Për ndryshim nga viti i shkuar këtë vit ka filluar një gërmim dhe pikërisht me 9 prill janë nxjerr shtatë trupa, mirëpo ende dyshojmë që ka trupa në varrezat myslimane të Mitrovicës, pastaj te xhamia afër lumit Ibër, pastaj është edhe Zubin Potoku vend i dyshuar”, thotë Prenk Gjetaj.

Gjetaj thotë se për ta zbardhur fatin e personave të zhdukur duhet vetëm të bëhet presion mbi Serbinë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›