Arrestohen autorët e grabitjes së armatosur

Dy ditë pas grabitjes së armatosur në Mitrovicë, Policia e Kosovës ka arrestuar autorët. Arrestimi i dy të dyshuarve është kryer nga hetuesit rajonal të Policisë në Mitrovicë.
Të dyshuarit E.B. 1992, dhe E.R. 1995, me vendbanim në Mitrovicë, janë arrestuar dhe ndaluar në lokalet policore për mbajtje, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit, në bashkëveprim, të maskuar dhe të armatosur kanë kryer vepër penale të grabitjes së armatosur. Ndërkaq, të dyshuarit janë intervistuar në praninë e mbrojtësve të tyre ndërsa nuk kanë mohuar veprën e kryer në bashkëveprim, njofton PK.
Rasti i grabitjes është raportuar ditën e diele, 21 prill, 2013, rreth orës 22:35min, në një bastore sportive, në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë, ndërsa viktima mashkull i përkatësisë etnike shqiptar, ka njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës.
Në rastin e raportuar të grabitjes, viktimat e rastit, ishin vënë nën kërcënim të dy personave të maskuar dhe të armatosur me armë, pistoletë, duke u detyruar që të shtriheshin për tokë, derisa grabitësit të merrnin me forcë, arkën me rreth njëmijë euro, nga lokali i tyre.
“Me të kryer aktin e grabitjes, të dyshuarit, janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe më pas kanë shtënë, së paku një herë me armë ndërsa janë larguar duke ikur në këmbë, në drejtim të stacionit të autobusëve në Mitrovicë”, thuhej në deklaratën e viktimës.
Bazuar në provat dhe deklaratat e siguruara, hetuesit policor kanë iniciuar kallëzim penal ndaj të dyshuarve për bashkëveprim në “Grabitje” sipas nenit 329, paragrafi 3,dhe “mbajtje në pronësi, kontroll dhe shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 375 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Rasti i është dërguar prokurorisë themelore në departamentin për krime të rënda në Mitrovicë./Indeksonline/