E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit politikë nuk kanë vend pranë Edi Ramës

27-01-2013 / Nga Eden Babani

Titulli i një të përditshmeje të kryeqytetit: “Rama koalicion me 25 parti pa Dulen, bashkon ish të përndjekurit me komunistët”, qe me të vërtet sensacional. Kur e pashë, e zeza mbi të bardhë, nuk u besova syve. Nëse pakësh qenë çmendur Simon Miraka, ta zëmë, a ndonjëri prej kryetarëve të shoqatave që njihen ligjërisht në Shqipëri, kjo s’donte me thënë se ishin çmendur qindra mijë anëtarët e tyre. Simon Miraka reagoi aty për aty, në mos për titullin në fjalë që s’di në ia ka zënë syri apo jo, për lajmin e stisur i cili, sigurisht, ka dalë nga kuzhina e së ashtuquajturës Seli Rozë. Shpresoj të kenë reaguar ose të reagojnë edhe kryetarë të tjerë shoqatash. Veç në u janë errur sytë për ndonjë post ministror, premtuar nga ana e liderit opozitar, çka për mua do të ishte po aq e besueshme, sa edhe të pranoja që klasikët e marksizëm-leninizmit u ngritën nga varri e ua mbushën mendjen kryetarëve të renditeshin bri Ramës. Sepse, ku lë Laroja të hajë Baloja!... 



Nuk marr përsipër të komentoj titullin e së përditshmes nëse ishte lajthitje e gazetarit, mosnjohje, tendencë për të pështjelluar opinionin apo ironi e hollë, për të qesëndisur tryezën e Ramës. Gjithsesi, më duhet të sjell në kujtesë ndonjë moment nga historiku i ish-të përndjekurve, shpërndarë sot në disa shoqata të ndryshme.



Ish-të përndjekurit politikë refuzuan të krijonin parti qysh në fillim të proceseve demokratike. Themeluesit e Shoqatës patën nuhatjen e hollë se ata i bashkonte përndjekja nga regjimi komunist,  jo përkatësia politike. Rrjedhimisht, duke mos qenë parti, ata nuk mund të bëheshin as mund të bëhen pjesë e ndonjë koalicioni partish, pavarësisht numrit të anëtarëve të regjistruar në secilën nga shoqatat e sotme. S’di të them me bindje nëse alternativa e zgjedhur prej themeluesve qe më e mira apo do të ishte më e përshtatshme ndonjë tjetër. Për fat të keq, sot asnjëra nga shoqatat nuk mund të pretendojë se përfaqëson interesat e gjithë ish-të përndjekurve. Votat e tyre gjatë viteve të pluralizmit janë shpërndarë në parti të ndryshme. Padyshim, ato janë përthithur në masën më të madhe prej partive të krahut të djathtë, antikomunist. Nga ana tjetër, nuk përjashtoj që, për nostalgji, një pjesë e votave të pjesëtarëve të ish-nomenklaturës komuniste të dënuar nga regjimi që i ngriti dhe pastaj i plasi nëpër burgje e kampe pune, si pasojë e luftës midis klanesh, të kenë shkuar majtas. Kam parasysh, në këtë rast, edhe familjarët, të cilët përjetuan, në mos burgun, internimin e punën e rëndë fizike fermave shpërndarë anekënd Shqipërisë. Them për nostalgji, pasi s’ma ka ënda të mendoj si shkak shpëlarjen e trurit të tyre, si pasojë e mbingopjes me ideologji komuniste, qysh se lindën dhe gëzuan të mirat e atij regjimi mizor. Ndër ta, ka individë që nuk ngjajnë me tru të shpëlarë. Sipas meje, është ADN-ja politike që s’i lë të shohin përtej asaj ideologjie. Ka të bëjë apo s’ka të bëjë ADN-ja me shpëlarjen e trurit, kjo, besoj, do të jetë fushë interesante e studimeve socio-psikologjike.



Në tryezën e vet, Rama paska pasur “25 parti pa Dulen” dhe paska “bashkuar ish të përndjekurit politikë me komunistët”. Lojëra të tilla fjalësh, ma merr mendja, i shkojnë për osh marrëzisë politike të liderit socialist. Çfarë alternativash programore do të investonin në programin “Rilindja” aventurierët politikë të tipit Spartak Ngjela, Preç Zogaj, Kurt Kola etj., të cilët qëndisën tryezën e koalicionit? Sa për prurjet elektorale të Gjinushit e të Milos si përfaqësues partish të majta me jetë njëzet-e-ca-vjeçare, dihet që ato nuk peshojnë shumë. Dihet  gjithashtu se, qoftë njëri, qoftë tjetri, në të gjitha edicionet zgjedhore, përjashto të kaluarin, kanë ngrënë në kurriz të PS-së dhe të PD-së.



Individë pa bindje të qëndrueshme politike, por me dëshira të pafrenueshme arriviste, i shkojnë përshtat fushatës zgjedhur të Edi Ramës për të mbijetuar ai vetë në politikë paçka se, po të donte Zoti të binin dardha nga qielli, do të shijonin edhe aleatët nga një. 



Mbaj mend kohën kur, si kryeredaktor i gazetës “Liria”, kam qenë një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Kurt Kolës. I ishte mbushur mendja asohere se një ditë do të bëhej ministër i brendshëm. Madje, peshku në det, tigani në zjarr, kishte filluar t’i ndante postet e zëvendësministrave, të drejtorëve, të komisarëve etj. Zaten, me këtë nijet e nisi edhe grevën e urisë në verë të 1994-s, fundi i së cilës i dha goditje të rëndë Shoqatës Kombëtare dhe e prishi Kurtin me shumicën e bashkëpunëtorëve, me të cilët duhet të bashkëpunonte për të mbrojtur të drejtat e ish të përndjekurve. Për rrjedhojë, aventura e hodhi në krahët e së majtës, bashkë me një ish të burgosur që, pas ‘97-s, u bë sekretar i përgjithshëm i Presidencës, ose me një tjetër, sot analist i vetëshpallur për gjithçka, i cili mërinë e grumbulluar në burgjet Enver Hoxhës, si ish-pinjoll i një familjeje komuniste, po e zbraz kundër arritjeve demokratike ose kundër arritjeve në rrafshin mbarëkombëtar. Kurti, gjithashtu, nuk mbeti thatë. Gjatë qeverisjes socialiste pas ‘97, kryesoi për ca kohë Institutin e Integrimit, derisa e hoqën vetë ata që e vunë. 



Ende me shpresë që ta futnin në hulli atë çikë shoqatë që mbeti në duart e Kurtit pas grevës së urisë dhe pas ndarjes së Shoqatës, disa ish të përndjekur që spikasnin për kulturë, për vullnet e për ndjenja antikomuniste, kuturisën e i qëndruan pranë. Nuk shkoi shumë dhe të gjithë e braktisën një e nga një, që nga ata që trashëguan gazetën “Liria”, Luan Myftiu, Mëhill Gjinaj, Kostaq Xoxa, Vejsel Kulla, deri te kryellogaritari, i ndjeri Ylli Liço, te shoferi Qamil Zhuta e te ndonjë tjetër që i bënte fresk. Mbahet mend thënia e Kurtit se do ta quante veten kryetar qoftë me një anëtar shoqate të dhe me shoferin, dy. Nuk di nëse partia Rruga e Lirisë, me të cilën u përfaqësua në tryezën e Ramës, ka më shumë apo më pak anëtarë nga sa i mbetën kur e quante veten kryetar, pa pasur as kryesi, as anëtarësi, por është e pamundur që ish të përndjekurit politikë t’i shkojnë pas me idenë se ato çka pësuan nën diktaturë qenkan “të shkuara, të harruara”. 



Ç’të përndjekur paska bashkuar, pra, Edi Rama me komunistët në tryezën e tij? Të përndjekurit politikë nuk e harrojnë vitin 1997, kur, për konsum të jashtëm, komitetet e shpëtimit bashkuan duart e Kurt Kolës dhe të dy ish të burgosurve të tjerë që përmenda më sipër në këtë shkrim, me duart e Namik Dokles në fushën sportive të lagjes “Ali Demi”.



S’ka dyshim se tryeza e pretenduar e Edi Ramës për koalicionin e majtë e përjashton logjikën e bashkimit të programeve politike, në emër të rotacionit e në të mirë të vendit. Ajo është prodhim i logjikës absurde për t’u bashkuar me këdo kundër Berishës. 



...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›