E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia kineze

TIRANE- Çeshtja e bojkotimit nga Serbia të ceremonisë së dorëzimit të çmimit Nobel për Paqë në Oslo shkrimtarit dhe desidentit kinez, Liu Xiaobo, më 10 dhjetor, u shndrrua në një nga momentet më interesante të provës për masën reale të vullnetit europian të qeverisë dhe të shtetit serb. Ministri i jashtëm, Vuk Jeremiç, urdhëroi bojkotin nga ana e ambasadorit të Serbisë, sepse në ceremonitë e çmimit Nobël ftohen ambasadorët e shteteve të akredituar në Norvegji, dhe ministri serb deklaroi se pas vendimit të bojkotit është qeveria e Serbisë.
Bojkoti qeveritar serb ndaj ceremonisë së çmimit Nobël për Paqë, kishte dy kuptime domethënëse. Së pari, që qeveria e Serbisë nuk ka koncept të njejtë me Bashkimin Europian për standartet demokratike dhe për sistemin perëndimor të vlerave. Së dyti, që Serbia, mes Bashkimit Europian, (i cili përshëndeti dhënien e çmimit Nobël veprimtarit të shquar kinez për të drejtat e njeriut), dhe Kinës, (e cila u dërgoi nota ministrive të jashtme dhe ambasadave të të gjithë botës me kërkesën për të mos marrë pjesë në ceremoni), iu bind kërkesën së Pekinit dhe jo qendrimit të Brukselit. Vendimi i Beogradit për bojkotimin diplomatik dhe qeveritar të ceremonisë, la gojë hapur disa zyrtarë dhe diplomatë të Bashkimit Europian, të cilët si rregull e ulin shumë stekën e kërkesave dhe të kushteve të plotësimit të kritereve të integrimit, kur është fjala për Serbinë. Në fakt është për të mbetur gojëhapur, kur një shtet, i cili ka aplikuar për të marrë statusin e shtetit kandidat në Bashkimin Europian, demostron zyrtarisht dhe në praktikë se ai nuk ka të njejtën konsideratë dhe koncept për vlerat demokratike dhe për të drejtat e njeriut, që ka Bashkimi Europian. Kryetari i delegacionit të Europës Juglindore në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, deklaroi më 8 dhjetor se bojkotimi i ceremonisë së çmimit Nobël është një mesazh negativ, që Serbia i dërgon Brukselit. Kurse raportuesi i posaçëm i Parlamentit Europian për Serbinë, Jelko Kacin, u shpreh me këtë rast se nuk ka shtet kandidat apo shtet potencial për kandidat, që ta manifestojë në këtë mënyrë bindjen ndaj Kinës.
Bojkotimi, që Serbia i bëri në rang diplomatik dhe qeveritar ceremonisë së çmimit Nobël për Paqë për veprimtarin e shquar kinez të të drejtave të njeriut, nuk është as incident i izoluar dhe as gabim protokollar. Nuk duket se ka vend për t'u habitur shumë me qendrimin e qeverisë serbe ndaj të drejtave të njeriut, po të mbahet parasysh mungesa konstante e bashkëpunimit, që qeveritë e Serbisë kanë manifestuar në drejtim të Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Serbia ka 15 vjet, që nuk dorëzon kriminelët e luftës si Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç, dhe ajo luan me Bashkimin Europian, i cili ka pesë vjet që njëherë i vë kusht për integrimin Serbisë dorëzimin e kriminelëve, dhe njëherë ia heq këtë kusht. Bojkoti i Serbisë ndaj ceremonisë së çmimit Nobël për një veprimtar të shquar të të drejtave të njeriut, i cili ndodhet në burgjet kineze dhe nuk u lejua nga autoritetet kineze të vinte në Oslo për të marrë çmimin, është më tepër se sa një simbolikë diplomatike dhe politike. Ai shpreh një politikë shtetërore dhe zyrtare, e cila është ende larg të përkufizohet si europiane dhe demokratike. Serbia ndjehet më mirë me Kinën, se sa me Europën dhe fakti është se ajo tregoi se cila është zgjedhja e saj.
Në Bruksel nuk duhet të habiten shumë, sepse shteti serb, që ka aplikuar për statusin e kandidatit për në Bashkimin Europian, zyrtarisht e mbështet politikën e vet të jashtme në katër shtylla, siç rikonfirmoi Vuk Jeremiçi më 9 dhjetor. Styllat, ku bazohet politika e jashtme e Serbisë zyrtarisht janë BE, SHBA, Rusia dhe Kina. Nuk ka asnjë shtet europian apo ballkanik, as anëtar, as kandidat dhe as aspirant për në BE, që zyrtarisht të përkufizojë dy shtylla të politikës së jashtme të drejtuara nga Perëndimi, dhe dy shtylla të drejtuara nga Lindja. Serbia është i vetmi shtet, që ka politikën e jashtme në këto katër shtylla, të cilat ecin në drejtime të kundërta. Nuk ka informacion nëse në pyetësorin, që duhet të plotësojë Serbia, janë përfshirë pyetje për domethënien dhe arsyet përse Serbia ka nevojë të ketë katër shtylla të politikës së jashtme, në një kohë që gjithë shtetet e tjera të Europës dhe të Ballkanit kanë vetëm shtyllat perëndimore. Nuk ka informacion nëse në Bruksel ka mirkuptim për shtyllat ruse dhe kineze, ku mbështetet politika e jashtme e Serbisë. Duke justifikuar qendrimin kinez të diplomacisë serbe, shefi i kësaj diplomacie deklaroi se marrëdhëniet me Kinën përfaqësojnë një nga interesat më të larta kombëtare të Serbisë. Por është një gjë të kesh marrëdhënie shumë të mira me Kinën dhe është tjetër gjë të kushtëzosh politikën e jashtme dhe orientimin europian nga kërkesat dhe porositë e Kines. Ndaj dhe qeveria kineze, më 9 dhjetor, nëpërmjet ambasadorit të saj në Beograd, Wei Jinghua, përshëndeti vendimin e qeverisë serbe për bojkot dhe deklaroi se kur është fjala për parteritetin strategjik me Serbinë ne gjithmonë kemi mirkuptim për interesat e saj jetike. Nuk është e qartë përse ambasadori kinez e gjeti me vend të kritikonte tani dhënien më 2008 të çmimit Nobël për Paqe për ish presidentin finlandez, Marti Ahtisaari, personalitet i shquar ndërkombëtar dhe një nga mediatorët më të suksesshem të konflikteve të ndryshme në botë. Diplomati i Kinës doli kështu hapur me hipotekën, ku Kina e ka lidhur Serbinë dhe konkretisht tek çeshtja e Kosovës. Përkrahja, që Kina i ka dhënë qendrimit të Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës është kthyer në një instrument presioni mbi qeverinë serbe, instrument i cili funksionon sipas skemës së interesave kineze, siç dëshmoi dhe bojkoti i ceremonisë së çmimit Nobël.
Pjesëmarrja në ceremoninë e sivjetshme nuk qe rutinë diplomatike, por ishte çeshtje e qendrimit, që shtetet mbajnë ndaj sistemit të vlerave, standarteve demokratike, të drejtave të njeriut dhe mënyrës së jetesës, që përfaqëson Bashkimi Europian . E parë në këtë prizëm, Serbia mbeti në klasë në provimin e të drejtave demokratike dhe të vlerave perëndimore. Qendrimi i Serbisë ishte kaq hapur i diktuar nga interesat e një shteti të largët lindor, sa që edhe brenda në Serbi ai shkaktoi një në valë reagimi protestues në shumë qarqe intelektuale dhe krijuese.
Ombusmani i Serbisë, Sasa Jankoviç, iu drejtua direkt ministrit të jashtëm që të rishikonte vendimin e bojkotit diplomatik, por Jeremiç i ktheu përgjigje negative. Duke parë që qeveria po ndërmerrte një hap të gabuar, që dëmtonte imazhin inteligjencës, të vetë Serbisë dhe të popullit serb, ombusmani Jankoviç mori vendimin të shkojë vetë në Oslo dhe të marrë pjesë në ceremoni. Gjestin e ombusmanit, kryeministri serb, Mirko Cvetkoviç u përpoq ta shfrytëzonte si një gomë shpëtimi për faqen shtetërore dhe, për të ndrequr disi gafën diplomatike të Serbisë, shpërndau informacionin sikur ombusmanin e dërgoi qeveria dhe ai po përfaqësonte Serbinë. Së pari, kjo nuk është e vërtetë, sepse shtetet në ceremonitë e dhënies së çmimit Nobël, si në Oslo, ashtu dhe në Stokholm, përfaqësohen nga ambasadorët, dhe jo nga organizatat jofitimprurëse. Së dyti, vetë ombusmani Sasa Jankoviç e hodhi poshtë manovrën qeveritare të akaparimit të gjestit të tij dhe deklaroi me 10 dhjetor se vendimi për pjesëmarrjen e tij në Oslo ishte vendim i tij personal, dhe me vjen keq që udhëtimi im në Oslo shkaktoi spekullime lidhur me arsyet e vendimit tim.
Pikërisht për këtë krijohet një ndjenjë keqardhjeje, kur konstaton se edhe disa zyra dhe media të rëndësishme europiane, e përtypën bllofin e qeverisë serbe dhe nxituan të përhapin të pavërtetën se Serbia e koregjoi qendrimin e saj dhe dërgoi në Oslo, përfaqësues, i cili nuk ishte as ambasador dhe as anëtar qeverie.
Në Beograd po përhapin edhe insinuatën se bojkotin e ka marrë me mendjen e vet shefi i diplomacisë serbe, dhe presidenti Boris Tadic nuk dinte asgjë për atë vendim. Një lojë tipike ballkanike dhe bizantine, që tenton t'i hedhë hi syve të Europës për të fshehur të vërtetën se Serbia kineze po e mund Serbinë europiane.

(G.SH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›