Skenarët për koalicionet e pas 12 dhjetorit në Kosovë
Derisa çdo ditë e më tepër i afrohemi ditës së mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 12 dhjetorit, kanë filluar të përmenden shpesh opsione për koalicionet e mundshme paszgjedhore, të lakohen emrat e partive se kush me kë ka gjasa të bëjë koalicion për qeverisjen e vendit në katër vjetët e ardhshëm. Mirëpo, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, si në zgjedhjet e vitit 2001, 2004 dhe 2007, ku diferenca ndërmjet partisë fituese dhe partisë së dytë dhe tretë ishte shumë e madhe, në këto zgjedhje duket se gjërat qëndrojnë krejt më ndryshe.
Të paktën këtë e thonë sondazhe të ndryshme, si ato të publikuara edhe ato interne, që bëhen qoftë nga organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare. Sondazhi i fundit i publikuar nga Klubi për Politikë të Jashtme ka vënë në pah se diferenca ndërmjet partisë së parë dhe të dytë është shumë e vogël, siç është diferenca shumë e vogël edhe ndërmjet partisë numër tre dhe katër. Thuajse të njëjtën gjë e thonë edhe sondazhe të ndryshme interne që ka arritur t’i shohë gazeta. Prandaj, duke i pasur parasysh këto statistika dhe këto diferenca shumë të vogla ndërmjet katërshes së parë, atëherë pa dyshim se kalkulimet për koalicione do të jenë tepër të vështira.
Nëse i referohemi sondazhit të KPJ-së, i cili si fitues të zgjedhjeve e ka “shpallur” PDK-në e kryeministrit në dorëheqje Hashim Thaçi me 30 për qind, e pasuar nga LDK-ja me 28 për qind, Lëvizja “Vetëvendosje” me 16 për qind dhe AAK me 12 për qind, dhe nëse iu referohemi edhe raporteve ndërmjet subjekteve kryesore politike, atëherë koalicioni do të jetë shumë i vështirë të formohet. Jo vetëm sondazhi i fundit i KPJ-së, por edhe sondazhe të tjera favorizojnë dy ish- partneret e koalicionit, PDK-në dhe LDK-në, si partitë që mund t’i fitojnë zgjedhjet, por me një diferencë shumë të vogël.
Duke i pasur parasysh këto fakte, tani partitë tjera do të detyrohen të ndahen në dy blloqe kryesore, në ato që janë pro PDK-së dhe ato që janë pro LDK-së dhe rrjedhimisht do t’i kishim dy skenarë. Skenari i parë, në rast se të dielën PDK-ja do të dilte si partia e parë, atëherë ajo do ta ketë shumë të vështirë ta bëjë koalicionin. Krejt çka mund të llogariste PDK-ja do të ishin votat e Koalicionit Kosova e Re, më në krye Behgjet Pacollin, si dhe votat e minoriteteve, ngase me LDK-në as që do të diskutohet mundësia e ndonjë koalicioni, për shumë arsye tashmë të njohura. PDK-ja aq më pak mund të llogarisë në votat e Vetëvendosjes dhe të AAK-së. Edhe në rast se me Pacollin dhe me minoritetet PDK-ja do të arrinte ta bënte qeverinë, ajo do ta kishte shumë vështirë të qeverisë vendin. Në njërën anë, qeveria Thaçi II do ta kishte përballë një opozitë shumë të fortë, në krye me LDK-në, AAK-në dhe Vetëvendosjen, dhe kështu do ta kishte shumë të vështirë arritjen e një stabiliteti dhe qëndrueshmërie politike e institucionale, derisa në anën tjetër, ajo duhet ta marrë përsipër një sfidë edhe më të madhe – fillimin e negociatave direkte me Beogradin.
Ndërsa, sipas skenarit të dytë, nëse LDK-ja do të dilte partia e parë, me gjasë koalicioni do të bëhej më lehtë, ngase Isa Mustafa do të mund të llogariste në votat e AAK-së, të minoriteteve, FER-it, natyrisht nëse do të hynte në Kuvend, duke mos e përjashtuar mundësinë të përfshirjes në koalicion edhe të AKR-së. Me këtë skenar, qeveria do të ishte më e fortë, përkundër opozitës që po ashtu do të ishte shumë e fortë në krye me PDK-në dhe Vetëvendosjen. Megjithatë, në fund të fundit do të jenë qytetarët ata që do të përcaktojnë se kush do të jetë fituesi. Me pjesëmarrjen e tyre ata do ta përcaktojnë skenarin më të mirë. Sa më e madhe të jetë dalja e qytetarëve, aq më legjitime do të jetë qeveria e ardhshme. S’ka dilemë!
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”