Serbia, mon amour
Nga Jose Ignacio Torreblanca
“El País”
Ka kaluar vetëm një vit nga shpallja e Kosovës si shtet i pavarur dhe gjatë kësaj kohe 54 shtete e kanë njohur formalisht shtetin e ri kosovar, ndër të cilët 22 nga 27 nga shtetet anëtare të BE-së (përfshirë këtu dhe fqinjët tanë portugezë), ashtu si edhe dy nga fqinjët më të rëndësishëm të Serbisë, si Maqedonia dhe Mali i Zi. Por, shteti i ri kosovar është njohur gjithashtu edhe jashtë Evropës, nga demokracitë më të prosperuara dhe të përparuara, si Japonia, Kanadaja, Australia, Koreja e Jugut apo Kosta Rika.
Nga ana tjetër, Spanja nuk e ka hedhur ende këtë hap, duke na bërë kështu pjesë të bllokut të vendeve si Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia. Përtej Evropës, rezistenca për të mos njohur Kosovën si shtet i pavarur është e qartë në harkun e vendeve aziatike, afrikane dhe ato latino-amerikane, si dhe në zonën fqinje të kontinentit, të cilat, me Kinën dhe Rusinë në pararojë, që zakonisht njihen me termin "sovranistë", për shkak të ngurrimit që kanë në pranimin e koncepteve të tilla, si e drejta për të ndërhyrë, përgjegjshmëria për të mbrojtur më të dobëtit dhe respektit për të drejtat universale të njeriut.
Ne po përballemi me një anomali që të bën t'i vësh gishtin kokës. Spanja është një vend i zhvilluar, demokratik dhe perëndimor, që shumë pak gjëra e lidhin historikisht me këto vende dhe shumë më pak me pozicionet e tyre politike, çka tregon qartë se çelësi për të kuptuar qëndrimin tonë nuk duhet kërkuar në politikën e jashtme, përkundrazi, në politikën tonë të brendshme.
Ndonëse pozicioni i Spanjës është qëllimmirë, ajo nuk duhet t'i referohet vetëm këtij motivimi, por edhe në imazhin që krijon jashtë vendit, gjë që nuk ka lidhje fare me realitetin. Ky pozicion i fut në ngërç marrëdhëniet me partnerët evropianë, kur në më pak se një vit, Spanja do të marrë presidencën e radhës së BE-së. Për të qenë sa më racionalë në qëndrimin politik, lipset të debatohet gjatë mes nesh, e njëherazi, t'i shtrojmë vetes pyetjen se dhe për sa kohë çështjet tona të brendshme do të jenë mbizotëruese në politikën tonë të jashtme dhe do të zbehin imazhin tonë ndërkombëtar.
E duke shkuar më tej, si kozmopolitan që jam, simpatia ime shkon drejt atyre që u përmbahen argumenteve se pavarësia territoriale nuk shkakton vetëm dështim të formulës së bashkëjetesës, por krijon gjithashtu një precedent të rrezikshëm. Bota, pa dyshim nuk bëhet një vend më i mirë a më i sigurt, nëse çdo grup etnik ka shtetin e vet. Për më tepër, as parimet dhe as pragmatizmi nuk justifikojnë "vizatimin" e kufijve me vija etnike, aq më pak me përdorim force apo zgjidhje të njëanshme.
Por edhe si kozmopolitan, shpreh simpatinë time të thellë për të gjithë ata që argumentojnë se sovraniteti nuk është një çek i bardhë, duke hedhur pas shpine përgjegjësitë që janë të rënda. E në të njëjtën mënyrë duhet pranuar që qytetarët kanë të drejtën të përballen me shtetin që dhunon sistematikisht të drejtat e tyre. Duket qartë se duhet të ketë një kufi për të respektuar parimin e moscenimit të kufijve, ashtu si edhe për mosndërhyrjen në çështjet e brendshme të shtetit, të cilat duhet të nguliten thellë në psikikën tonë, kulturën e mbijetesës, si dhe lirinë kolektive.
Pas këtyre ngjarjeve kaq traumatike, Spanja me të drejtë duhet të jetë krenare që i ka bërë të ndihen mirë identitetet e ndryshme nacionale që bashkëjetojnë në territorin e saj. Dhe kjo e bën e më thelbësore atë që Spanja duhet ta thotë me zë të plotë e të lartë, se rrugët e ndjekura nga Serbia dhe Spanja janë krejtësisht të kundërta. Nëse Serbia do të kishte ofruar për Kosovën zgjerim autonomie (njëherë e një kohë – shën. im) në vend të suprimimit të saj, më pas nuk do të kishin ndodhur ato që ndodhën.
Duke dhënë imazhin e Spanjës në botë si një model bashkëjetese dhe decentralizimi të pushtetit, nuk ka gjë më të dhimbshme dhe më kontradiktore se sa të shohësh radikalët serbë të valëvisin flamujt spanjollë në demonstratat e tyre. Flitet shumë për "soft power" (pushtet i butë) si simbol atraktiv (tërheqës) i vendit tonë, por është shumë e sikletshme të mendosh se ne jemi bërë shembull për disa në Beograd.
Në fund të fundit, ajo që është më e sikletshme për qëndrimin e Spanjës (për Kosovën – shën. im), është çështja e mungesës së besimit që tregon ndaj vetes. Kanadaja e njohu Kosovën pa e vrarë mendjen fare për Kebekun; Mbretëria e Bashkuar bëri të njëjtën gjë pa menduar gjatë për problemet me nacionalizmin indipendentist skocez dhe Korsika as nuk u mor fare në konsideratë nga Franca. Por, në vendin tonë, problemet në zhvillim dinamik të baskëve dhe katalanasve diktuan një mënyrë arsyetimi a vizioni sa të ngushtë aq dhe të pashoq. Për rrjedhojë, opozitës aktuale që nuk kishte hedhur as edhe një fjalë për be ndaj administratës Bush, iu hap goja çorap, duke e kritikuar atë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, për shkak të nacionalizmit spanjoll; ndërsa e majta përgjithësisht kozmopolitane spanjolle dhe mbështetëse e politikës së homologes së saj amerikane, "nuk është e aftë të shohë pyllin për shkak të drurëve" (nuk e lënë cikërrimat, të shohë gjënë me rëndësi)! E shumta, është e aftë të shquajë turbullt krahun e gjatë amerikan kur i shfaqet para syve!
Dhe kulmi i kulmit është kur të majtët baskë e ngrejnë zërin në erë, e në mënyrë qesharake shpallin se Kosova do të ishte Navarra, djepi i origjinës së baskëve, por i populluar nga katalanasit (në këtë rast, Spanja do të ishte si Shqipëria sipas tyre). Ky unison i çuditshëm, në atë që të gjithë jemi serbë, është prova më e qartë se duhet me patjetër të hedhim vështrimin lart, përtej pasigurive tona.
Përgatiti në shqip: Zamir GJURGJI