E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me shkrimtarët në gjuhën e ftohtë



Në gjuhën e ftohtë, siç është ajo e Norvegjisë, Ismail Kadare nuk është marrë prej shqipes. Duke kaluar nga frëngjishtja e Jusuf Vrionit, përkthyesja Bente Christiensen na tregon “pushtetin” e gjuhëve, kapjen e zërit të shkrimtarit. Zv.presidente e FIT dhe Drejtore e Bordit Ekzekutiv të “Kopinor”, anëtare e Bordit drejtues të PEN, Norvegji, Christiensen ekskluzivisht sjell rrëfimin sublim mbi gjuhët. “Nuk kam asgjë kundër gjuhës angleze si një gjuhë, por jam kundër faktit që pothuaj të gjitha komunikimet bëhen në këtë gjuhë, e kështu gjuhë të tjera kanë tendencën të shtypen prej kësaj gjuhe të gjithëpushtetshme”. Ka çuar në botën nordike pothuaj kolanën më të suksesshme të Kadaresë, dhe na flet për këtë shkrimtar si ndër më të dashurit e saj. Ka njohur në rininë e saj Shqipërinë që “ndërtonte socializmin me forcat e veta”, dhe enigma e vendit tonë i është zbuluar si natyrë përmes veprave të Kadaresë. Benten e ka tërhequr “Dosja H”, por adhuron kompleksin e Simone de Beauvoirs, na e kthen kohën e psikologjisë humane për të preferuarit e saj, Molierin dhe Ibsenin, është e dhënë pas Italo Svevos etj. “Për mua përkthimi i letërsisë është të kapësh zërin e shkrimtarit dhe ta përshtatësh e përkthesh atë në mënyrën më të bukur për lexuesin norvegjez. Është gjithashtu dialog midis kulturave, për këtë arsye e ndiej që bëj një punë shumë të rëndësishme”.

Në të menduarin tim çdo gjuhë është një perlë, tingull i muzikës së botës që këndojmë përherë, por çdo shkrimtar është një koral në shtratin e koraleve... Për ju si përkthyese, a është e vështirë apo e thjeshtë t’i mbash këto perla e korale të sigurta në kohët moderne?

Mendoj që është një prej detyrave më të rëndësishme të përkthyesve të mbajnë gjallë gjuhët e ndryshme të botës, duke i përkthyer ato e duke krijuar ura lidhëse midis gjuhëve dhe letërsive. Nuk kam asgjë kundër gjuhës angleze si një gjuhë, por jam kundër faktit që pothuaj të gjitha komunikimet bëhen në këtë gjuhë, e kështu gjuhë të tjera kanë tendencën të shtypen prej kësaj gjuhe të gjithëpushtetshme. Për sa u përket shkrimtarëve, ka kaq shumë zëra dhe kaq shumë vepra, e kaq shumë mënyra të shkruari sa është pak a shumë e vështirë t’i përshtatësh të gjithë, pavarësisht afinitetit që një përkthyes mund të ketë për ndonjë shkrimtar në veçanti. Disa shkrimtarë kanë një zë dhe një fjalor, të cilin unë nuk jam në gjendje ta përshtat, ndaj në këto raste i them jo përkthimit të tyre, por dikush tjetër duhet t’i përkthejë ata.

Përmes leximit dhe përkthimit, ju keni prekur kultura të ndryshme të vendeve të ndryshme. Ku po shkon bota?

Mendoj se bota po shkon në dy drejtime të kundërta. Një drejtim është drejt sipërfaqësores, sensacionales, globalizmit në kuptimin e keq të fjalës. Drejtimi tjetër është drejt globalizmit në kuptimin e drejtë të fjalës: vetëndërgjegjësim dhe krenari në një kulturë të caktuar, kërkime për kuptime të thella, qëllime të rëndësishme për zhvillimin e gjuhëve dhe kulturave dhe mbi këto baza është komunikimi në gjuhë dhe kultura të ndryshme.

Ju keni përkthyer disa vepra nga Kadare në norvegjisht. Si ndodhi?

U pyeta nga Shtëpia Botuese “Capelen”, në Norvegji, të përktheja “Pallatin e ëndrrave”, nga një shkrimtar për të cilin kisha dëgjuar, por që nuk e kisha lexuar ende dhe ky ishte Ismail Kadare. Normalisht, nuk është e këshillueshme të përkthesh nga një gjuhë që nuk është origjinali, por në këtë rast askush në Norvegji nuk mund të përkthente nga gjuha shqipe, kështu që vendosëm ta përkthenim përmes gjuhës frënge në norvegjisht. Përkthimin e bëra pra nga frëngjishtja, në këtë gjuhë. “Pallati i ëndrrave” ishte përkthyer nga Jusuf Vrioni, një përkthyes që vetë Kadareja e kishte aprovuar. U dhashë menjëherë mbas tekstit, kur shtëpia botuese më kërkoi të përktheja edhe dy libra të tjerë “Prilli i thyer” dhe “Dosja H”, thashë menjëherë po! Më vonë Kadare erdhi në Norvegji të merrte pjesë në një panair libri dhe u takuam, e folëm. Kjo ishte një eksperiencë mjaft interesante për mua.

Më kujtohet që më keni thënë se “Zbuluat natyrën shqiptare përmes librave të Kadaresë”...

Mendoj që Kadare është një shkrimtar i jashtëzakonshëm. Mendoj që tekstet e Kadaresë kanë një kualitet vizual dhe taktik. Unë shoh, ndiej dhe përfytyroj natyrën, male dhe borë, njerëz që jetojnë nën çati të njëri-tjetrit. Para se të lexoja prej librave të Kadaresë, e njihja Shqipërinë në rininë time si “fanar ndriçues të socializmit në Evropë”, sikur ishin mësuar të shpreheshin studentët e kohës sime. Kisha dëgjuar edhe për Enver Hoxhën.

Por, nuk kisha lexuar tjetër shkrimtar shqiptar. Shpresoj që letërsia shqipe dhe veprat e saj të përkthehen më tepër për t’u njohur më mirë me botën.

Ju jeni anëtare e bordit drejtues të “Kopinor”. Si funksionon kjo organizatë dhe cilat janë disa nga qëllimet dhe planet strategjike më të rëndësishme të “Kopinor”?

“Kopinor” është ndërtuar prej 21 organizatave të fushës së kulturës, shkrimtarëve, përkthyesve, kompozitorëve, piktorëve, gazetarëve, botuesve etj. Është ajo çka ne e quajmë një shoqëri e përmbledhur. Një shoqëri që kujdeset për të drejtat e botimit dhe mbajtësit e të drejtave. Qëllimi i saj kryesor është t’u japë përdoruesve akses me tekste dhe punë të tjera, dhe në të njëjtën kohë të respektojë copy write dhe mbajtësin e të drejtave. Ka një bord ekzekutiv që përbëhet nga përfaqësuese të organizatave të ndryshme anëtare, dhe një administratë që kujdeset për çështjet e përditshme. “Kopinor” ka nënshkruar marrëveshje të ndryshme me sektorë të ndryshëm të shoqërisë norvegjeze dhe grumbullon para, që i dërgohen organizatës dhe kjo ua shpërndan anëtarëve të saj si grant. Kur është e pamundur të gjejmë mbajtësin e të drejtës së një vepre, a teksti që është fotokopjuar, paratë për këtë tekst kalohen në fond, i cili rritet vit pas viti dhe në këtë mënyrë ne aplikojmë për të organizuar aktivitete të ndryshme. Në të ardhmen do të shohim ç’mund të bëhet me zhvillimet dixhitale, një fushë kjo më e komplikuar se fotokopjet e letrave.

Jeni edhe zv.presidente e FIT. Si funksionon FIT? Pse është kaq i rëndësishëm për botën e letërsisë?

FIT, Federata Ndërkombëtare e Përkthyesve, përbëhet prej organizatave të përkthyesve nga të pestë kontinentet. Përfaqësohet me afërsisht 40.000 përkthyes nga e gjithë bota, ka përkthyes letërsie dhe përkthyes të tjerë. Në ditët tona vepron si shoqëri shumëkombëshe dhe ka tendencën të trajtojë veçanërisht përkthyesit e librave të cilët trajtohen keq. Është e rëndësishme të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të dimë ç’ndodh me përkthyesit në vende të tjera. Gjithashtu, kujdeset edhe për përkthyesit në zonat e nxehta të luftës, si në Irak, ku ata rrezikojnë jetën. Është e rëndësishme ta kemi një organizatë mbarëbotërore, e cila shqetësohet dhe kujdeset për përkthyesit. FIT gjithashtu punon me “Copyright” - të drejtën e autorit dhe për cilësinë e përkthimit, por edhe për solidaritetin midis të gjithë përkthyesve.

Ne të gjithë kemi prirjet tona drejt një letërsie të caktuar, sidomos ndaj asaj që shkruhet dhe lexohet sot në botë. Për ju konkretisht, cili është libri më i dashur midis atyre që keni përkthyer, si edhe autori më i preferuar?

Mendoj që ka shumë autorë të rinj mjaft interesantë në ditët tona dhe ne jemi me fat që bota po zvogëlohet, kështu që ne kemi fatin t’i njohim ata. Një gjë mjaft interesante janë autorët që kapërcejnë kufijtë gjuhësore dhe gjeografike dhe që kanë tendencën të shkruajnë në gjuhët e mëdha si anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja. Kjo përbën ndryshim dhe zhvillim. Ndërsa them këtë mendoj që ekziston edhe një prirje e jashtëzakonshme për t’u përhapur me gjuhë letrare angleze nëpër botë, të cilën do ta përcaktoja si prurja kryesore dhe që vende të ndryshme dhe vende të ndryshme blejnë të njëjtët libra në panaire madhështore të librit dhe i përkthejnë ato. Kjo do të çonte lehtësisht drejt një uniformizimi. Kam përkthyer 50 libra, kështu që nuk është e lehtë të zgjedh, por mendoj që Kadare me librat e tij, veçanërisht “Dosja H” e Kadaresë, është absolutisht një libër mbresëlënës, veçanërisht për mua, si specialiste në letërsinë e krahasuar, me “Iliadën” dhe “Odisenë” gjithmonë në mendje. Në një stil krejt të ndryshëm, kanë Simone de Beauvoirs me librin “Seksi i dytë”, një prej librave më të preferuar për mua. Është një libër kompleks dhe i pasur, një libër që çdo burrë e çdo grua duhet ta lexojnë.

Për sa u përket autorëve të mi të preferuar, më pëlqen të kthehem mbrapa në kohë. Mendoj që të dy dramaturgët, Molieri dhe Ibseni janë gjenialë në mënyrat e tyre, të ndryshme, për të pushtuar psikologjinë humane, e cila nuk ka ndryshuar shumë në këto 400 vitet e fundit. Po kështu jam shumë e dhënë mbas shkrimtarit nga Trieste, Italo Svevo dhe prej austriakëve më pëlqen Elias Canetti. Së fundmi, por jo e fundit është shkrimtarja suedeze për fëmijë, Astrid Lindgren, “nëna” e “Pipi Çorapegjata”. Mendoj se vetëm sepse shkroi për fëmijë, ajo nuk mori çmimin “Nobel” për letërsi.

Por gjithmonë ka një fillim... për të shkruar apo për gjithçka tjetër... Si e nisët përkthimin? Cili është libri i parë që keni përkthyer? Cili është libri që keni përkthyer së fundmi? Ndonjë plan të së afërmes?

E nisa përkthimin kur isha studente në Departamentin e Frëngjishtes në Universitetin e Oslos. Ne kishim një mësuese që ishte ideale për ne. Ajo ishte përkthyese dhe kishte përkthyer krejt veprën e Prustit. Ndërkohë po punoja temën për romanin e ri francez, dhe libri i parë që përktheva ishte “Topologie d’une cite Phantome” nga Alain Robbe - Grillet. Ishte shumë vështirë, sepse ai përdor një material dhe gjuhë të vështirë, e cila është e vështirë të përshtatet në gjuhën norvegjeze.

Së fundmi kam përkthyer tri libra, një është “Amerika ditë pas dite” nga Simone de Beauvoir, të cilin ajo e shkroi pas udhëtimit të parë në Amerikë në vitin 1947. Ky është një libër jashtëzakonisht aktual. Kam përkthyer edhe “Origjinat” nga Amin Maalouf, një libër ku ai flet për paraardhësit e tij, veçanërisht për gjyshin. Një libër tjetër është “Kompleksi i DI” nga shkrimtari kinez Dai Sijie, që jeton në Paris dhe shkruan në gjuhën frënge, është një libër surealist rreth një psikonalisti kinez që kthehet prej Francës në atdheun e vet.

Ndërsa së shpejti do të punoj me një libër shkruar nga Assia Dejbar, gruaja e katërt e pranuar në Akademinë Franceze. Bëhet fjalë për librin “Ombre Sultane” rreth gjendjes së grave në Algjeri. Një libër tjetër do të jetë përsëri një novelë nga Simone de Beauvoir. Ndërkohë që jam duke punuar me botimin e një libri rreth qendrës së shkrimtarëve dhe përkthyesve në Rodos, një aventurë mjaft interesante të cilën do të jem e lumtur ta shpjegoj një herë tjetër.

Ndodh që shkrimtarët “kanë frikë” për fatin e veprës në një gjuhë tjetër, për shkak të ndryshimeve kulturore dhe ndryshimeve në strukturën e gjuhës që kanë zgjedhur ta shkruajnë veprën së pari, apo sepse i përkasin fillimisht një gjuhe të caktuar...

E konsideroj çdo shkrimtar të ri që përkthej si një udhëheqës që më drejton kah gjërave të reja që zbuloj dhe mësoj për gjuhët, kulturat dhe stilet. Ndërkohë, ata që i kam përkthyer më duken si miq të mirë, të vjetër. Për mua përkthimi i letërsisë është të kapësh zërin e shkrimtarit dhe ta përshtatësh e përkthesh atë në mënyrën më të bukur për lexuesin norvegjez. Është gjithashtu dialog midis kulturave, për këtë arsye e ndiej që bëj një punë shumë të rëndësishme.

Çdo njeri merr diçka të çmuar nga bota, një libër, një varg, një fjalë a një suvenir...

Si shumica e norvegjezëve e dashuroj natyrën dhe suveniret më të çmuara për mua janë gëzimet prej momenteve të lumtura në natyrë, duke bërë ski në malet plot borë nën një qiell blu të thellë, duke notuar nëpër fjordet a ujëvarat, dielli i kuq... Muzika dhe letërsia kanë qenë e mbeten jeta ime... Duke dëgjuar Brahms, duke lexuar një poezi nga poeti im i preferuar norvegjez, Rolf Jakobsen. Shpresoj që ai do të përkthehet një ditë në gjuhën shqipe.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›