E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriminelët "heronj" të Serbisë



Nga Enver BYTYÇI

Mitologjia serbe vazhdon të pjellë shenjtorë:

Vetëm dy ditë pas vendimit të Gjyqit të Hagës për ta shpallur të pafajshëm ish-presidentin serb, Milutinoviç, një prej anëtarëve të kabinetit qeveritar të Tadiçit, ministri i Infrastrukturës, Milutin Mërkoviç, ka deklaruar se Sllobodan Millosheviçi ishte "hero i të gjithë heronjve".

Përfundimisht, në Beograd është thënë publikisht ajo që publicistët, analistët dhe kohët e fundit politikanët e Prishtinës kanë artikuluar për atë çfarë përfaqëson qeveria e sotme e Serbisë; se kjo qeveria vepron me skemat e Millosheviçit, mendon si Millosheviçi, sillet si Millosheviçi, vetëm se i mungojnë disa nga kapacitetet ushtarake, politike dhe gjeopolitike të kohës së Millosheviçit. Megjithatë, shumë ngjarje që kanë ndodhur e ndodhin në Kosovë, kanë provuar dhe po dëshmojnë rikthimin e të gjitha politikave të agresionit serb në shtetin e brishtë e të padefinuar pa sovranitet të plotë në të gjithë territorin e tij, në shtetin e Kosovës.

Pardje, 150 serbë, të cilët thuhej se ishin nga shërbimi i "drejtësisë" dhe i "ligjeve" kanë bllokuar dyert e gjykatës së Mitrovicës dhe kanë penguar zhvillimin e një gjyqi të paralajmëruar kundër dy hajnave të nacionalitetit serb. Megjithatë, gjyqi nuk kishte objekt ndonjë krim politik, por hajni banale, por edhe për kaq EULEX-i nuk pati fuqi ta niste gjykimin. Protestuesit serbë kanë arritur qëllimin e tyre, duke parandaluar një gjyq, në të cilin do të përdoren simbolet e shtetit të Kosovës.

Tri ditë pas vendimit të Hagës për ta "shfajësuar" shtetin e Serbisë nga krimet dhe gjenocidi shtetëror ushtarak kundër shqiptarëve, në Beograd është rikthyer mitologjia e heronjve, duke nxjerrë në krye të tyre kriminelin Sllobodan Millosheviç, ndërsa në Kosovë serbët lokalë kanë marrë zemër për t'u thënë “jo” “vulave” të Republikës së Kosovës, Kushtetutës.

Tri ditë pas vendimit të Hagës, gjyqtarët politikë të saj, prokurorja e dikurshme antishqiptare dhe e "fascinuar nga qëndrimi i Sllobodan Millosheviçit", siç thoshte vetë Karla del Ponte në një intervistë të saj të vitit 2006, si dhe prokurori i tanishëm, gjithashtu vetë shtetet evropiane e më gjerë po shohin revanshin nacionalist të Serbisë për të realizuar skenarët e OKB-së sipas projektit të Millosheviçit, pa Millosheviçin. Tri ditë pas atij vendimi politik, fyes dhe cinik ndaj qindra mijë viktimave të Millosheviçit e Milutinoviçit, janë shfaqur në hapësirën ballkanike të njëjtat ethe të nacionalizmit serb, si dhe në vitet '90. Dhe skenaristët tashmë nuk janë të kufizuar vetëm në Beograd, ata janë shfaqur në sallën e Tribunalit të ashtuquajtur "drejtësi ndërkombëtare", janë instaluar në Bruksel, nga ku ftohet "qeveria demokratike" e Tadiçit të bëhet anëtare e "klubit politik" evropian, veprojnë prej dhjetë vitesh në UNMIK-un e OKB-së dhe prej tre muajsh në mekanizmin e euforisë së radhës ndër shqiptarët, me emrin EULEX.

Nëse në një shtet ndodh që nuk ndëshkohet krimi, atëherë ai vend do të pushtohej nga anarkia, nga protestat masive, madje dhe nga dhuna hakmarrëse. Shqiptarët nuk janë as shurdhë e as qorra të mos shohin se ç'ndodhi e ç'po ndodh në Greqi, pse një polic qëlloi dhe vrau një të ri. Ndërsa për lirimin e njeriut përgjegjës që ka vrarë me vetëdije e gjakftohtësi mbi 21 mijë shqiptarë dhe ka dhunuar njerëz, duke shkaktuar pasoja psikike të pashërueshme edhe në ditët e sotme, për lirimin e atij që në krye të Serbisë, së bashku me Millosheviçin, kishin hartuar dhe zbatuar një plan të tërë të spastrimit etnik dhe të shkatërrimit të gjithçkaje që mbante emblemën e institucioneve të Kosovës dhe disa media heshtin para lirimit të Milutinoviçit. Nëse diku nuk zbatohet drejtësia ndaj kriminelëve, atëherë ndodh detyrimisht të bërit vetë drejtësi. Në rastin e vendimit të Tribunalit të Hagës, mungesa e drejtësisë dhe mosndëshkimi i kriminelit Milutinoviç, po ashtu si dhe mosndëshkimi i kriminelit Millosheviç, u ka dhënë zemër serbëve të rikthehen në pozicionet fashiste kundër shqiptarëve. Ndërsa këta të fundit, viktima të krimit shtetëror serb, "mbahen në vathën" e tolerancës absurde e vazhdojnë të besojnë në përrallat që tregojnë UNMIK-u, EULEX-i apo Tribunali i padrejtësisë në Hagë.

Në Kosovën tolerante, në Kosovën e disiplinës politike të imponuar, në Kosovën gati të nënshtruar prej fatit çfarë mund të sjellin ndërkombëtarët, nuk lejohet as të protestohet në gazeta, nuk lejohet asnjë kritikë në gojën e politikanëve, pse janë të bindur ndaj lloj-lloj unmikasi, euleksasi, madje dhe beogradasi. Ministri serb i "qeverisë demokratike" në Serbi e ka shpallur tashmë hero të heronjve Hitlerin e Stalinin e Ballkanit, atë që dikur ishte etiketuar si "Kasapi i Ballkanit" ose "Sadami i Ballkanit". Unmikasit dhe euleksasit bashkëpunojnë me këtë ministër e këtë qeveri për të vendosur ligjet serbe në Kosovë. Në Mitrovicë serbët luftojnë që aty të zbatohet Kushtetuta e Beogradit, Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale i Beogradit, që të përdoret vula e shtetit të Serbisë, që të shpallet gjykimi dhe vendimi i gjyqit në emër të popullit e shtetit të Serbisë, pra, që një e treta e Kosovës të quhet Serbi.

Natyrisht, nuk mund të pritej gjë tjetër pas atij vendimi makabër, të cilin e ka marrë Tribunali i Hagës më 26 shkurt, kur nxori "të pafajshëm" njërin nga ideologët dhe organizatorët e spastrimit etnik në Kosovë, vetëm pse ai, si i zgjedhur me mandat, mund të implikonte shtetin serb në një faj kolektiv për gjenocidin e ushtruar para dhjetë vjetësh. Me këtë akt çmendurie “juridike” të paprecedent në historinë e jurisprudencës ndërkombëtare, Serbia, Tadiçi e Jeremiçi kanë marrë mandatin e ndërhyrjes me të gjitha mjetet për ta penguar zhvillimin në paqe e në harmoni të shtetit të Kosovës.

Por Kosova nuk do të vazhdojë gjatë të ngopet vetëm me fjalë. Kosova ka nevojë për veprim, Kosova ka nevojë ta ndiejë shtetin në çdo qelizë të vetën. Kosova ka nevojë që Millosheviçit dhe millosheviçëve të sotëm t'u tregohet vendi. Kosova ka nevojë që të rikthejë memorien, të mos harrojë. Nëse humbet memorien dhe harron ato që ka pësuar jo më shumë se para dhjetë vjetësh, atëherë do t’u japë shanse kasapëve të rinj të Ballkanit që vishen me gëzofin e Millosheviçit, si Tadiçi etj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›