Serbia nuk arrin të japë ide evropiane

Duke folur për vizitën e fundit të ndërmjetësit evropian, Robert Kuper, në Prishtinë, Edita Tahiri thotë gjatë takimit kanë biseduar për nevojën e implementimit të marrëveshjeve të arritura në Burksl, mes Kosovës dhe Serbisë, por gjithashtu sipas saj, në takim Kuperi shpalosi idenë e menaxhimit të integruar të kufijve.
“Ajo që unë pres, është që BE-ja të shfrytëzojë të gjitha instrumentet, në mënyrë që t’i bëjë presion Serbisë, së pari të zbatohen marrëveshjet dhe kjo ishte një prej çështjeve që diskutuam me zotin Kuper, dhe po ashtu, që në raundin e ardhshëm të bisedojmë për bashkëpunimin rajonal, për çështjen e telekomunikacionit dhe energjisë, si dhe zoti Kuper shpalosi më hollësisht idenë për menaxhimin e integruar të kufijve. Pikat kryesore që ai paraqiti, janë se kjo marrëveshje e mundshme zbaton plotësisht këtë model evropian për menaxhimin e kufijve që është një marrëveshje midis dy shteteve të pavarura, të cilat pajtohen që me parime evropiane të bëjnë menaxhimin e kufirit dhe të doganave”, ka thënë Tahiri.
Ajo shtoi se mbi bazën e bashkëpunimit si dy shtete të pavarura dhe fqinje, Qeveria e Kosovës ka dhënë pëlqimin pozitiv dhe në të ardhmen do të angazhohet që këto parime të reflektohen në një marrëveshje që mund të nënshkruhen nga shteti i Kosovës, i Serbisë dhe Bashkimi Evropian.
Kurse, sa i përket deklaratave të presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, se menaxhimi i integruar kufijve ka qenë ide e tij, Tahiri thotë se Tadiqi duhet ta ketë parasysh që koncepti evropian për menaxhimit e integruar të kufijve është një koncept i definuar me ligjet evropiane, që flet qartë për vendosjen e bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet dy shteteve të pavarura dhe kjo është baza juridike e politike e çfarëdo marrëveshje që mund të del në këtë drejtim.
“Për sa i takon ideve dhe politikave të Serbisë, ende nuk kanë dal nga kornizat e nacionalizmit, pra nuk kanë arrit që të japin ide evropiane, apo t’i zbatojnë idetë evropiane”, ka thënë Tahiri.
Kryenegociatorja Edita Tahiri po ashtu potencoi se Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Bashkimi Evropian më shumë konstruktivitet si palë në bisedime, që Kosova të shpërblehet me marrjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.
“Ne si palë në këto bisedime, kemi kërkuar që data 20 nëntor të jetë data e zbatimit të gjitha marrëveshjeve, të cilat nuk janë zbatuar deri tash dhe arritja e marrëveshjeve të reja, kështu që ne kemi vendosur një datë dhe arsyeja është sepse Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian takohet në dhjetor për të marrë vendim për përmbarimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian. Andaj ne kemi vlerësuar se Këshilli i Ministrave të BE-së, duhet të ketë kohë të mjaftueshme për të matur përformancat e palëve, pra të Kosovës dhe Serbisë, për dialogun teknik, kështu që mendimi im është që në qoftë se do të ketë vazhdim të dialogut, do të jetë i shpejt”, ka thënë ajo.
Sipas Tahirit, Kosova gjatë këtij dialogu ka shënuar fitore shumë dimensionale, pasi që është hera e parë që Serbia kushtëzohet në rrugën e integrimeve evropian me Kosovën, por gjithashtu një fitore tjetër është që Kosova dhe Serbia për herë të parë gjatë një historie armiqësore kanë arritur pesë marrëveshje.