E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi duhet të jep mendimin për menaxhimin e integruar të kufijve

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka kërkuar që për çështjen e menaxhimit të integruar të kufijve me Serbinë, për të cilën Qeveria e ka thënë “Po”-në e saj, fjalën e vetë ta thotë edhe Kuvendi i Kosovës.

Ai këto komente i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në të cilën është caktuar seanca e radhës për 17 nëntor, në të cilën pikë kryesore e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i Projektbuxhetit për vitin 2011.

Krasniqi ka thënë me këtë rast se për çështjen e menaxhimit të integruar të kufijve, nuk është bërë ndonjë kërkesë në Kuvendin e Kosovës, por ai ka shtuar se me Kushtetutë, është e paraparë që çdo marrëveshje që ka të bëjë me kufijtë e Kosovës, duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

“Unë e thash atë që e përcakton Kushtetuta. Unë jam kryetar i Kuvendit dhe vendimet nuk janë të kryetarit të Kuvendit, por të seancës, janë të Kuvendit të Kosovës dhe unë kërkoj që Kuvendi i Kosovës të jap mendimin e vetë në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Krasniqi.

Një marrëveshje e tillë pa u ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, sipas Krasniqit, e tejkalon edhe Kushtetutën e Kosovës, jo vetëm rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës për dialogun me Serbinë.

“Jo vetëm që e tejkalon rezolutën, por e tejkalon edhe Kushtetutën, e ne jemi për respektimin e Kushtetutës”, ka thënë ai.

Propozimi për menaxhimin e integruar të kufijve me Serbinë ka ardhur si propozim nga ndërmjetësi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi Robert Cooper.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë se menaxhimi i integruar i kufijve me Serbinë është i pranueshëm për shtetin e Kosovës, sepse është marrëveshje mes dy shteteve.

Sipas saj, ky projekt nuk do të thotë se Kosova dhe Serbia do të bisedojnë ndonjëherë për kufijtë, sepse kjo çështje ka marrë fund me pavarësimin e Kosovës. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›