E Shtunë, 31 Tetor 2026

I pëlqen ideja

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci tha se duke pasur parasysh koston financiare, nuk duket ide e keqe mbajtja e zgjedhjeve presidenciale përnjëherë me ato parlamentare.

Në vitin 2012, apo në vitin 2013? Kjo është dilema që tashmë ka zënë vend në mesin e partive politike, sidomos tek ato që kanë nënshkruar një marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në vitin 2012, pas ndryshimeve kushtetuese, sipas afateve të parapara.

Një dilemë e tillë është ngritur pas mesazhit që kryeministri dhe kreu i PDK-së, Hashim Thaçi ka dhënë një ditë më parë, përmes të cilit ka lënë të kuptohet se është për shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale deri në vitin 2013, në mënyrë që të mbahen përnjëherë me zgjedhjet parlamentare.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci të hënën e ka forcuar këtë qëndrim, duke thënë se PDK’ja i zbaton të gjitha marrëveshjet, por asnjëherë nuk bëhet rob i tyre, por është e gatshme të pajtohet me ndryshimet e mundshme që janë në interes të qytetarëve të vendit.

“Edhe në rastin konkret për zgjedhjet e mundshme, apo shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale për një afat për të qenë të përbashkëta, ne nuk do ta kundërshtonim nëse partitë e tjera do të bien dakord, sepse jemi dëshmitarë të një krize të përgjithshme financiare në botë që po ndodh, e normalisht mund ta përfshijë edhe Kosovën dhe nëse ne bëjmë përpjekje që të kursejmë, ne nuk shohim asgjë të keqe.

Por gjithsesi ne do të presim përfundimin e ndryshimeve kushtetuese, reformën zgjedhore, dhe pastaj do të marrim vendim me partnerët e tjerë, me partitë e tjera, sepse jemi të prirë të respektojmë interesat e qytetarëve të Kosovës dhe asnjëherë interesat e subjektit, pra të PDK’së, sepse PDK’ja ka një përcaktim të qartë, të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të mbrojtjes së interesave të Kosovës”, ka thënë Grabovci.

Por bashkëpartiaku i Thaçit e i Grabovcit, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, duket se nuk është në të njëjtën linjë, ngase ai kërkon që të respektohen marrëveshjet e arritura dhe afatet ligjore e kushtetuese, si dhe dokumentet e miratuara në Kuvendin e Kosovës.

“Ju e dini se Kuvendi i Kosovës në kohën që është zgjedhur presidentja që tani e ushtron detyrën me zgjedhjen që është bërë në Kuvend, ne kemi miratuar një rezolutë, dhe pasi që unë jam ithtar i respektimit të ligjeve dhe dokumenteve që miratohen në Kuvend, jam që të respektohet Kushtetuta. Megjithatë, përgjegjësinë për realizimin dhe zbatueshmërinë e rezolutës e kanë partitë politike që janë të përfaqësuara në Kuvend dhe që e kanë sjellë rezolutën në Kuvend”, ka thënë Krasniqi.

Drejtuesit e LDK’së kanë shprehur qëndrimin që marrëveshja e arritur mes PDK’së, LDK’së dhe AKR’së të zbatohet në tërësi.

Sidoqoftë, Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri deklaron se partia e tij pret zgjedhjet presidenciale në vitin 2012.

“Nëse është marrëveshje, edhe është marrëveshje, atëherë çfarëdo eventualisht shmangie nga kjo nuk është palë e vetme zoti Thaçi, ka edhe të tjerë përpos dy palëve që është edhe LDK-ja, edhe AKR-ja. Mos harroni se është garant edhe dikush tjetër dhe në këtë mënyrë e ka legjitimuar edhe Kuvendi dhe është garant edhe ambasadori amerikan ose shteti amerikan. Prandaj, mendoj që duhet të jemi më serioz në deklarime. Për LDK’në, po e përsëris nuk ka ndryshim”, ka thënë Beqiri.

Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e papërfshirë në marrëveshjen e arritur mes Thaçit, Mustafës e Pacollit, në fillim të këtij viti, konsideron se tri subjektet që kanë bërë këtë marrëveshje po sillen joseriozisht karshi kësaj çështjeje.

“Partitë politike, të cilat janë pjesë e marrëveshjes, ato po i luajnë edhe afatet. Prandaj, joserioziteti ka qenë edhe kur kanë bërë marrëveshje pa i pyetur të tjerët që kanë fuqi elektorale në Kosovë dhe po ashtu po i luajnë edhe afatet. Ky joseriozitet po e përcjell skenën politike të Kosovës, duke mos i respektuar edhe marrëveshjet e arritura”, ka thënë nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi.

Sidoqoftë, ai ka thënë se AAK’ja është e përgatitur që zgjedhjet të mbahen në afatin e përcaktuar dhe do t’u përgjigjet pozitivisht këtyre zgjedhjeve, kurdo që mbahen ato.

Edhe LDK’ja është shprehur e gatshme për zgjedhje presidenciale, duke thënë se megjithatë emri i kandidatit nuk është diskutuar në parti.

Emra të ndryshëm janë përmendur deri tani nga subjekte të ndryshme, si kandidatë të mundshëm për president, ndërsa deri tani publikisht kandidaturën e tij e ka shpallur ish-gazetari Seremb Gjergji. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i pyetur nëse do të kandidoj për president, e ka lënë të hapur këtë çështje.

“Kur të vijë koha, shikojmë”, ka thënë ai, raporton KosovaPress.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›