E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia nuk do t'ia kompensojë Kosovës dëmet e luftës

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka vlerësuar se deklarata e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me nënshkrimin e “njëfarë” marrëveshjeje në mes Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e dëmeve të luftës, shërben ekskluzivisht për konsum të brendshëm.

Dacic ka thënë se asnjëherë nuk është përmendur diçka e tillë gjatë bisedimeve në Bruksel.

“Kurrfarë marrëveshje paqësore apo rregullim i çështjes së kompensimit të dëmeve të luftës nuk janë përmendur në bisedimet zyrtare mes Beogradit dhe Prishtinës. Ato janë deklarata për konsum të brendshëm. Diçka e tillë, për neve është absolutisht e papranueshme”, ka thënë Dacic, për gazetën serbe Kurir.

Edhe avokati i njohur serb, Toma Fila potencon se deklarata e kryeministrit të Kosovës nuk ka kurrfarë peshe, sepse, sipas tij, Kosova nuk mund të kërkojë diçka të tillë, meqë nuk është subjekt i të drejtës ndërkombëtare, pasi nuk është e njohur nga OKB-ja.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ekspozesë së tij në Këshillin e Sigurimit në New York, ka deklaruar se angazhohet për nënshkrimin e marrëveshjes paqësore në mes Kosovës dhe Serbisë, me të cilën do të rregullohej edhe çështja e kompensimit të dëmeve të luftës./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›