Thaçi nuk voton, emri i tij nuk gjendet në listë

(E plotësuar) Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni, bëri të ditur se deri në orën 13, në zgjedhjet për pushtetin lokal, kanë dalur 34.78 për qind e votuesve.
Pjesëmarrje më e madhe e votuesve është regjistruar në Komunën e Kërçovës me gjithsej 54.69 për qind. Në këtë qytet po zhvillohet garë mes kandidatit shqiptar të BDI-së, Fatmir Dehari, dhe atij të koalicionit VMRO-LSDM, Bllagoja Despotovski.
Nga KSHZ-ja kanë bërë të ditur se procesi zgjedhor në përgjithësi po zhvillohet në atmosferë të qetë, por komisionet komunale dhe partitë politike kanë denoncuar parregullsi.
Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi nuk ka mundur të votojë pasi emri i tij nuk figuronte në qendrën e votimit në Tetovë.
“Nuk isha në listën zgjedhore edhe pse dokumentin e kam biometrik, kam pasaportë biometrike. Ministria e Punëve të Brendshme, njësia rajonale e Tetovës, nuk e ka informuar Entin statistikor se unë kam dokument biometrik dhe kam të drejtë të votoj. Kjo na shtynë të dyshojmë se shumë çështje janë të parregullta. Shpresoj që gjithçka do të jetë në rregull, por ky është një sinjal shumë i keq për mundësinë e manipulimit të procesit zgjedhor”, ka deklarur kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
........
Në Maqedoni sot po mbahen votimet për zgjedhjet lokale, në të cilat rreth 1.743.403 qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin drejtuesit e rinj të pushtetit vendor në 80 komuna dhe Shkupin si njësi e posaçme e vetadministrimit lokal.
Zgjedhjet zhvillohen në 2.976 vendvotime, ndërsa garojnë 8.878 kandidatë, apo 350 lista për kryetar të komunave dhe 480 për këshilltarë komunal.
Në bazë të informacioneve të para të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, procesi zgjedhor ka nisur mirë dhe nuk ka raportime për ndonjë ngecje apo probleme tjera të natyrës teknike, që do të ndikonin në legjitimitetin e zgjedhjeve.
“Jehona e votuesve deri në orën dhjetë arrin 12 për qind në nivel republikan”, ka bërë të ditur zëdhënësja e KSHZ-së, Biljana Jovanovska.
Ndërkaq, edhe drejtuesi i asociacionit "MOST" që monitoron zgjedhjet me mbi 3 mijë vëzhgues në 50 për qind në tërë territorin e Maqedonisë, Darko Aleksov, ka bërë të ditur se procesi zgjedhor po zhvillohet pa probleme.
“Si asociacion qytetar 'MOST', mund të konstatojmë se në të gjitha vendvotimet ku janë përqendruar monitoruesit tanë, procesi zgjedhor realizohet pa probleme”, ka thënë Aleksov.
Ai ka shtuar se vëzhguesit e këtij asociacioni, kanë regjistruar disa probleme të natyrës teknike në pjesën Lindore të Maqedonisë, të cilat janë eliminuar.
Edhe qytetarët e anketuar thonë se zgjedhjet realizohen në frymë demokratike pa probleme
"Po, mirë është duke shkuar procesi zgjedhor”, shprehet një qytetar, derisa tjetri thotë:
“Shpresoj të vazhdojë kështu, unë votova pa probleme, s'kishte as shumë”.
“Besoj se zgjedhjet siç janë duke kaluar tani do të realizohen në një atmosferë demokratike edhe gjatë tërë ditës, duhet të fitojë më i miri”, shprehet një qytetare nga Shkupi.
Ndryshe, një ditë më parë kanë votuar personat e sëmurë, si dhe të burgosurit. Procesi zgjedhor po monitorohet nga 410 vëzhgues ndërkombëtarë dhe 8.379 vendorë.
Zgjedhjet e sotme vijnë pas një fushate parazgjedhore 20-ditëshe, e cila është zhvilluar në atmosferë të qetë, në veçanti te blloku politik shqiptar. Garë e fortë ndërmjet partive pritet të zhvillohet për qytetet e mëdha si Shkupi, Tetova, Manastiri, Ohri dhe Kumanova.
Kësaj radhe, zgjedhjet lokale kanë marrë edhe dimensionin e garës ndëretnike për qytetet e Strugës dhe Kërçovës, ku partitë janë ndarë në baza etnike.
Në Kërçovë garojnë dy kandidatë, një shqiptarë dhe një maqedonas andaj edhe partitë janë mobilizuar si asnjëherë më parë për të marrë drejtimin e kësaj komuna, e cila, pas bashkimit me disa komuna rurale ka ndryshuar strukturën etnike dhe është më tepër e banuar me popullatë shqiptare.
Pavarësisht fushatës së tensionuar, partitë kanë bërë thirrje për zgjedhje të drejta dhe demokratike.
Qendra e votimit do të mbyllen në orën 19, ndërsa rezultatet e para KSHZ-ja do t’i publikojë në formë elektronike në faqen e saj zyrtare në internet ashtu siç arrijnë nga vendvotimet.
..................
Gjatë ditës pritet të aterrojnë në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit edhe 4 aeroplanë me mërgimtar shqiptarë që vijnë për të votuar në zgjedhjet lokale sot në Maqedoni . Dje edhe krahas shantazhimeve të shumta aterruan 8 aeroplan carter me mërgimtar shqiptarë. Ndërsa u shënua edhe rritje e madhe e qarkullimit në pikën kufitare Tabanocë ku vetëm gjatë ditës së djeshme në vend kanë hyrë mbi 6 mijë persona.
.................
Nuk do të tolerojë kurrfarë uzurpimi ose prishje të procesit zgjedhor, potencojnë nga MPB-ja dhe theksojnë se Shtabi operativ republikan i ka pëfunduar me përgatitjet për sigurimin e një procesi zgjedhor të qetë, korrekt dhe demokratik gjegjësisht me të gjitha aktivitetet lidhur me sigurimin e fushatës së periudhës parazgjedhore.
Tani për tani, njoftoi në konferencën për shtyp ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, nuk janë paraqitur as nuk janë regjistruar kurrfarë problemesh.
"Edhe një herë dëshiroj të apeloj qytetarët dhe partitë politike të tregojnë vetëdije të lartë dhe të mos lejojnë të involvohen në çfarëdo incidentesh ose parregullsi. Nuk do të lejohet kurrfarë uzurpimi ose prishje e procesit zgjedhor", tha Jankulloska.
Në ditën e zgjedhjeve, të dielën, Ministria e Brendshme do t'i sigurojë të gjitha 2.976 vendvotimet nga ora 6 e mëngjesit deri në ora 19.00, gjegjësisht deri në përfundim të procesit zgjedhor.
Sigurimi, sqaroi Jankulloska, përfshin sigurinë fizike të objekteve ku ndodhen vendvotimet dhe kalimin deri tek ata gjatë zgjedhjeve, sigurimin fizik të materialeve votuese dhe sigurinë personale të votuesve, kandidatëve, përfaqësuesve partiakë, anëtarëve të Këshillit Zgjedhor, vëzhguesve të akredituar dhe në përgjithësi opinionin. Do të ndërmerren të gjitha masat e domosdoshme për eliminimin e kanosjeve potenciale sipas sigurisë në këtë periudhë. Do të ndërmerren edhe masa për eliminimin e pengimit, frikësimit ose maltretimit të votuesve, gjatë kanosjeve eventuale të orientuara nga anëtarët e organeve kompetente për zbatimin e zgjedhjeve, vëzhguesve të autorizuara, mediat, parandalimin e mbajtjes së armeve në vende publike, ndërsa të mos lejohet mbajtja e armëve brenda dhe rreth vendvotimeve.
Pas përfundimit të zgjedhjeve, paralajmëroi ajo, do të ndërmerren të gjitha masat edhe për sigurimin e kushteve për grumbullimin e rezultateve të votimit dhe për punë të papengueshme të këshilleve zgjedhore dhe komisioneve komunale zgjedhore, si dhe sigurimin e materialit zgjedhor në të gjithat fazat e dorëzimit.Në kuadër të përgatitjeve të këtyre zgjedhjeve, MPB ka përpiluar hartë me vende me rrezik të rritur nga tensionet në bazë të incidenteve të regjistruara gjatë cikleve zgjedhore paraprake dhe në bazë të njohurive dhe informacioneve operative.
........................................
Në Maqedoni sot kanë nisur votimet për zgjedhjet lokale, në të cilat rreth 1.743.403 qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin drejtuesit e ri të pushtetit vendor në 80 komuna dhe Shkupin si njësi e posaçme e vetadministrimit lokal.
Zëvendëskryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve,Subhi Jakupi, tha se në bazë të informacioneve të para të KSHZ-së, procesi zgjedhor ka nisur mirë dhe nuk ka raportime për ndonjë ngecje apo probleme tjera të natyrës teknike.
Zgjedhjet zhvillohen në 2.976 vendvotime, ndërsa garojnë 8.878 kandidatë, apo 350 lista për kryetar të komunave dhe 480 për këshilltarë komunal.
Një ditë më parë kanë votuar personat e sëmurë, si dhe të burgosurit. Procesi zgjedhor po monitorohet nga 410 vëzhgues ndërkombëtarë dhe 8.379 vendorë.
Zgjedhjet e sotme vijnë pas një fushate parazgjedhore 20 ditëshe, e cila është zhvilluar në atmosferë të qetë, në veçanti tek blloku politik shqiptar. Garë e fortë ndërmjet partive pritet të zhvillohet për qytetet e mëdha si Shkupi, Tetova, Manastiri, Ohri dhe Kumanova.
Kësaj radhe, zgjedhjet lokale kanë marrë edhe dimensionin e garës ndëretnike për qytetet e Strugës dhe Kërçovës, ku partitë janë ndarë në baza etnike.
Në Kërçovë garojnë dy kandidatë, një shqiptarë dhe një maqedonas andaj edhe partitë janë mobilizuar si asnjëherë më parë për të marrë drejtimin e kësaj komuna, e cila, pas bashkimit me disa komuna rurale ka ndryshuar strukturën etnike dhe është më tepër e banuar me popullatë shqiptare.
Pavarësisht fushatës së tensionuar, megjithatë partitë kanë bërë thirrje për zgjedhje fer dhe demokratike.
Qendra e votimit do të mbyllen në orën 19, ndërsa rezultatet KSHZ-ja do t’i publikojë në formë elektronike në faqen e saj zyrtare në internet ashtu siç arrijnë nga vendvotimet./Indeksonline/