Serbia po fiton

Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka deklaruar se nga procesi i bisedimeve Kosovë –Serbi deri më tani ka përfituar më shumë kjo e fundit.
“Ne disa herë e kemi thënë se vetë fillimi i bisedimeve ka qenë politik dhe e kemi thënë shumë hapur dhe qartë se janë bisedime të papërgatitura, pa cak të caktuar dhe mbi të gjitha që i kontribuojnë dhe i ndihmojnë Serbisë në synimet e saj, që realisht edhe po del që i kanë ndihmuar në një mënyrë, po qe se e fitojnë statusin e kandidatit”, ka thënë Beqiri në një intervistë për Radion Europa e Lirë.
Deputeti Beqiri ka theksuar se edhe pse janë arritur marrëveshje, nuk kanë dhënë rezultate.
“Ajo që është realizuar nëse mund të thuhet, ose është arritur, nëse mund të quhet arritje në këto bisedime, ajo nuk po implementohet dhe ne jemi skeptikë dhe mendojmë që në këtë punë nuk ka pasur nevojë të ketë nguti, e as tash nuk ka nevojë për nguti, sepse nuk ka rezultate”.
Beqiri ka aluduar edhe për një proces jotransparent të bisedimeve.
“Nuk është ndonjë avancim i madh, e kemi thënë disa herë që të kthehemi me tabela KS, të kthehemi pas, po e marr më të thjeshtën dhe me dokumentet përcjellëse dhe sot e kësaj dite nuk e dimë se çka janë ato dokumente përcjellëse, këto konsideroj se e devalvojnë shtetësinë e Kosovës”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se bisedimet politike që janë përfolur deri më tani nuk bën të mbahen.
“Ajo që e kemi thënë disa herë për LDK’në, për qytetarët e Kosovës, dhe po besoj thellë edhe për bashkësinë ndërkombëtare, nuk do të duhej të kishte bisedime të ashtuquajtura politike për çështjen e Veriut, sepse për ne qytetarët e Kosovës jashtë Pakos së Ahtisaarit, çdo gjë tjetër është e papranueshme, dhe si të tillë nuk do të duhej të negociohej, nuk do të duhet të negociohej as në qarqe të ngushta, e as të gjera, sepse kjo do të ishte shkelje ose në kundërshtim me sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës”, ka theksuar deputeti i LDK’së.
“Besojmë se nuk ka ndonjë politikan të “çmendur”, i cili do të guxojë të dalë kundër vullnetit të qytetarëve tanë”, ka shtuar Beqiri.
Deputeti i LDK’së ka folur edhe për Raportin e Progresit
“Nuk kemi pritur që do të jetë ndonjë raport më pozitiv sesa ashtu që doli. Realisht nuk është raport, i cili do të duhej të na krijonte jo komoditet, por përkundrazi do të duhej të na shqetësonte për të gjeturat e këtij raporti në shumë segmente, në shumë sfera të jetës në Kosovë”.
Beqiri ka thënë se është shqetësuese sidomos mungesa e sundimit të ligjit në Kosovë.
“Ato janë thënë publikisht, po ajo që veçmas na shqetëson është mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni i lartë. Këto janë dy shtyllat, por edhe shumë të gjetura të tjera që kanë të bëjnë edhe me shfrytëzimin jo të mirë të buxhetit, ndikimet politike pothuajse në çdo sferë. Në Kosovë, fatkeqësisht nuk po mbetet asgjë pa u politizuar, edhe këtu ndikimi edhe involvimi është padyshim i Qeverisë dhe qeveritarëve në mënyra dhe forma joligjore”, ka shtuar ai.