Serbia pranoi vulat doganore të Kosovës
Kronika e ditës – Ekstremistët islamikë protestuan në Prishtinë, nën drejtimin e Fuad Ramiqit, njeriut të anatemuar nga të gjitha mediat e Kosovës
Në takimin e sotshëm që ende po vazhdon në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, delegacioni serb ka pranuar vulat doganore të Kosovës, thonë burime të gazetave kosovare. Siç dihet, në vulat doganore të Kosovës shkruan vetëm “Dogana e Kosovës” dhe nuk ka kurrfarë simboli shtetëror - ashtu siç i kanë edhe shumica e shteteve në botë. Përveç vulave, në agjendën e takimit të sotshëm janë edhe këto tema: kadastra, telekomunikacionet, energjia, diplomat universitare si dhe përfaqësimi i Kosovës në takimet dhe forumet ndërkombëtare. Duke folur para nisjes së këtij raundi, shefja e delegacionit të Kosovës në bisedime, Edita Tahiri ka thënë se “ne si qeveri jemi shumë e qartë, vizioni ynë është vizion euroatlantik për Kosovën”. “Dhe jo vetëm kësaj radhe, por që nga fillimi i dialogut ne kemi dëshmuar se duam një qasje konstruktive për të kontribuuar në paqen dhe stabilitetin e rajonit, sikur edhe në lëvizjen drejt Bashkimit Evropian për të dyja shtetet”, ka thënë zonja Tahiri. Homologu i saj, shefi i delegacionit të Serbisë në bisedime, Borko Stefanovic, ka folur haptazi për rezultatet që ai pret të arrihen. “Shpresojmë se pas një dite të gjatë diskutimesh, do të kemi disa rezultate konkrete, posaçërisht lidhur me vulat doganore dhe kadastrat, dhe se do të mund të dalim publikisht me detajet e këtyre marrëveshjeve". “Shpresoj se me marrëveshje do të lehtësojmë situatën, që ajo të jetë shumë më normale seç është sot, për të mundësuar lëvizjen e mallrave”, ka thënë Stefanovic, për të shtuar se kjo do të ndikonte edhe në uljen e tensioneve. Zyrtarët e BE-së ndërkaq kanë thënë se është mirë për të dyja palët të arrihen “sa më shumë marrëveshje, në prag të raporteve të progresit të Komisionit Europian”, të cilat priten të dalin muajin e ardhshëm. Kjo posaçërisht vlen për Serbinë, e cila këtë vit synon të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Ekstremistët islamikë të Fuad Ramiçit kërcënojnë sërish
Pas faljes së namazit të xhumasë, Fuad Ramiqi me një grup njerëzish kanë protestuar para komunës dhe qeverisë së Kosovës. Fjalim ka mbajtur lideri Ramiqi i cili i ka thënë ‘ose i plotësoni kushtet ose i bartni pasojat”. Kjo i është referuar pamundësisë për të arritur një marrëveshje për lokacionin e xhamisë së re në qendër të Prishtinës, raporton Indeksonline. Ramiqi i ka quajtur politikanët kosovarë komunistë. Para qeverisë, turma po kërkon plotësimin e dy kushteve tjera: mësim-besim në shkolla dhe bartjen e shamisë në shkolla. Në tubimin tek Teatri Kombëtar ka folur edhe imami Shefqet Krasniqi i cili ka thënë se nuk do të lejohet që Kosova të shndërrohet në një vend ateist. Kurse, Fuad Ramiqi u ka thënë Hashim Thaçit dhe Behgjet Pacolli t’i mbajnë premtimet e tyre ose ta prishin koalicionin.
...