E Diel, 1 Nëntor 2026

Peqin, Berisha homazhe për policin e vrarë në detyrë

PEQIN- Kryeministri Berisha, mori pjesë sot në homazhet e zhvilluara për efektivin e Policisë, Zabit Caka, i vrarë një natë më parë në krye të detyrës, teksa merrte pjesë në një aksion policor për kapjen të një shtetasi të dyshuar për vjedhje. Caka ishte baba i katër fëmijëve, tre vajzave dhe një djali 17-vjeçar.
Duke ngushëlluar familjarët e efektivit të rënë në krye të detyrës, kryeministri tha: “Oficeri Zabit Caka ka rënë në krye të detyrës me një trimëri dhe vetëmohim të paparë. Ngushëlloj familjen, qytetarët e Peqinit, kolegët e tij në Komisariatin e Policisë së Peqinit, dhe të gjithë efektivat e Policisë së shtetit”, tha në fjalën e tij kryeministri, pas zhvillimit të homazheve në ambientet e Qendrës së Kulturës "Ferdinand Deda” të qytetit të Peqinit.

Në këtë ceremoni kryeministri ishte i shoqëruar nga deputetë të Elbasanit, Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit, Hysni Burgaj si edhe përfaqësues të presidencës.
Trupi i pajetë i 50 vjeçarit, Zabit Caka do të prehet në varrezat e dëshmorëve të qytetit të Elbasanit.

TOPALLI MESAZH NGUSHELLIMI
Edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i përcolli sot ngushëllimet familjes së policit të vrarë në Peqin, duke shprehur hidhërimin dhe dhimbjen për vrasjen në krye të detyrës të efektivit të policisë.

Sipas zyrës së shtypit pranë Kuvendit, Kryetarja Topalli tha se, kjo është një humbje e madhe për familjen, për Policinë e Shtetit dhe për të gjithë shoqërinë shqiptare. "Me hidhërim të thellë dhe dhimbje të madhe mësova për vrasjen në krye të detyrës të efektivit të policisë, Sabit Caka. Kjo është një humbje e madhe për familjen, për Policinë e Shtetit dhe për të gjithë shoqërinë shqiptare. Akti sublim i efektivit të forcave të rendit të Peqinit, Sabit Caka, në mbrojtje të rendit dhe sigurisë tregon guximin, ndershmërinë, përkushtimin në kryerjen e detyrës me vetmohim dhe devotshmëri të lartë", thuhet në mesazhin e saj.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›