E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia proteston ndaj Qeverisë së Shqipërisë

Ministria e Jashtme e Serbisë ka protestuar sot fuqishëm me rastin e kumtesës së Qeverisë së Shqipërisë, lidhur me heqjen e përmendores në Preshevë, më 20 janar. Ministria e Jashtme serbe konsideron se fjalori që është përdorur në kumtesën e përmendur (të Qeverisë së Shqipërisë) nxit direkt aktivitetet e mëtejshme të orientuara në destabilitetin e situatës në jug të Serbisë, por edhe në rajonin e gjer, në vendet fqinje të banuara me shqiptar.

“Kualifikimet dhe akuzat e orientuara kundër Qeverisë së Serbisë, janë nën çdo dinjitet dhe në kundërshtim të plotë me bindjet e dhëna personalisht nga ana e kryeministrit shqiptar, Berisha, gjatë vizitës së paradokohshme të Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Mërkiq në Tiranë, se Shqipëria është e gatshme të shpalos një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve”, thuhet në kumtesë.

“Arsyetimi i retorikës së zjarrtë me brengosje për pozitën e pakicës kombëtare shqiptare në jug të Serbisë, paraqet manipulim të vrazhdë”, konsideron kjo ministri, duke pasur parasysh se mbrojtja e pakicës shqiptare te të gjitha pakicave tjera në Serbi është në harmoni me standardet më të larta ndërkombëtare, shumë më tepër nga ato që zbatohen ndaj pakicave kombëtare që jetojnë në vet Shqipërinë, raporton RTK. 

“Pikërisht, duke pasur parasysh mosekzistimin e çfarëdo kornize juridike për mbrojtjen e pakicës serbe dhe të tjera nacionale në Shqipëri, konsiderojmë se autoritetet shqiptare duhet të ndërmarrin masa serioze që të sigurohet mbrojtja e të gjitha komuniteteve në harmoni me standardet ndërkombëtare në fuqi”, thuhet në kumtesë.

“Nga Shqipëria, si shtet i cili si prioritet të vetin e thekson pranimin e vlerave evropiane dhe anëtarësimin në BE, presim që vërtetë edhe të sillet në harmoni me prioritetet e proklamuara dhe me aksionet e veta të mos kontribuojë në stabilitetin e situatës në vendet fqinje”, theksohet në fund të kumtesës së Ministrisë së Jashtme të Serbisë. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›