E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytje në Fier dhe Lezhë, rrëshqitje dherash në disa qytete

Reshjet e shiut që prej një jave vijojnë të bien me intensitet kanë shkaktuar probleme në disa zona të vendit. Në aksin Tiranë-Elbasan janë rrëzuar 3 pisha pranë zonës së Farkës. Pesha e madhe e drunjte të rrëzuar ka shkaktuar radhë të gjata në qarkullimin e automjeteve. Drejtuesit e mjeteve qëndrojnë në pritje që drejtoria e rrugëve të heqë pishat nga aksi, transmeton shekulli.

Lezha, shumë toka bujqësore të përmbytura

Janë rreth 1700 ha tokë ende të përmbytura në qarkun e Lezhës nga reshjet e shiut të ditëve të fundit që shkaktuan dhe daljen nga shtrati të Lumit Drin.

Në Zadrimë ka ende 250 hektarë tokë të përmbytura, në fushën e Torovicës janë 1100 hektarë nën ujë, në fushën e Bregut të Matit 250 hektarë dhe në Fushë Gjorm rreth 100 hektarë tokë ende të përmbytura

Mhilli bëri të ditur se ulja e nivelit te ujit në lumenj dhe kanalet kulluese do të sjellë normalizim të plotë të situatës në ditët në vazhdim. Probleme ka vetëm me tokat bujqësore në Zadrimë, Balldre e Bregu i Matit, ndërsa nuk ka banesa me prezencë te ujit brenda ambienteve të tyre, por në zonat që janë nën nivelin e detit dhe ka ndërtime informale gjenden akoma shtëpi të rrethuara nga uji.

Përgjegjësi i emergjencave civile në prefekturën e Lezhës ka deklaruar se edhe java në vazhdim do të përcillet me reshje shiu, por sipas tij intensiteti i tyre do të jetë i ulët e për pasojë nuk do të ketë probleme.

Fieri, përmbytje tokash në komuna

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme në disa komuna të Fierit. Përmbytje të tokave bujqësore raportohen në komunën Mbrostar, si dhe në Qendër-Libofsh.

Berat, problematik aksi Berat- Poliçan-Skrapar

Në Bërat raportohet se ka pasur rrëshqitje dherash. Më problematik është aksi Berat- Poliçan-Skrapar, ku si pasojë e motit të keq në këtë aks bien edhe gurë shkëmbor dhe dhera.

Në Durrës, në zona Kodër Vilë uji ka hyrë në disa banesa. Në zonën e Currilave njëra korsi e rrugës është bllokuar nga shkarja e dherave. Po e njëjta situatë paraqitet edhe në aksin nga universiteti i Durrësit deri në Currila.

Vlorë, rrëshqitje dherash pranë banesave

Ndërsa në Vlorë, ka pasur rrëshqitje toke në lagjen “10 Korriku”. Kjo ka shkaktuar shembjen e një pjesë të kodrës ku masiv dherash kanë rënë mbi rezervuarin që furnizon me ujë qytetin e Vlorës. Nga ana tjetër banorët kanë bërë apel pranë autoriteteve përkatëse të qytetit sepse masivet e dherave kanë rënë pranë banesave të tyre. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›