E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia refuzonpr/rezolutën e BEpër Kosovën

BEOGRAD - Serbia e ka refuzuar propozimin e Bashkimit Evropian që së bashku të hartojnë një rezolutë të re për Kosovën, që do t’i dërgohej Asamblesë Parlamentare të Kombeve të Bashkuara pas shpalljes së mendimit të GJND-së.

Në takimin e krerëve të institucioneve të Serbisë, të kryesuar nga presidenti Boris Tadic, sipas gazetës “Blic”, që e transmeton Telegrafi, është vendosur që të mos pranohet propozimi i BE-së me arsyetimin se është shumë neutral dhe i papranueshëm për Beogradin zyrtar.

Propozimi i BE-së që së bashku me Serbinë të hartojnë një rezolutë të re për Kosovën, e cila më pas do t’i dërgohej Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, për Kosovën, nuk përmend fare statusin dhe as bisedimet rreth kësaj çështje.

“Propozimi, i cili Serbisë i është dorëzuar në formë të shkruar, nuk përmend fare bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit për statusin e Kosovës, prandaj për ne është i papranueshëm”, ka thënë për “Blic” një zyrtar i lartë serb në kushte anonimiteti.

Ndërkohë krerët e institucioneve të Kosovës kanë përsëritur të martën se Prishtina zyrtare është e gatshme të bisedojë për çështje teknike me Beogradin, por asnjëherë për çështje të statusit, i cili, sipas tyre, është vulosur përgjithmonë me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›