E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia s’po respekton marrëveshjet për bashkëpunim rajonal

Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar sot, siç thuhet, me zhgënjimin e saj të thellë për moszbatimin e marrëveshjes për bashkëpunim rajonal nga ana e Serbisë të arritur në Bruksel më 24 shkurt 2012.

“Kjo shkelje e marrëveshjes nga ana e Serbisë ka ndodhur sot në kuadër të konferencës regjionale ‘Partneriteti për ndryshim: shoqëria civile dhe qeveritë në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi’, e cila po mbahet në Beograd.

Serbia si organizatore e kësaj konference ka dështuar të zbatoj pikën 2 dhe pikën 4 të marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.

Për rrjedhojë, përfaqësimi i Republikës së Kosovës në këtë konferencë është pamundësuar dhe përfaqësuesi i qeverisë së Republikës së Kosovës ka braktisur konferencën në fjalë”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës, e cila ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që në përputhje me rolin e tij si ndërmjetës dhe garantues i zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme për të garantuar zbatimin në praktikë të marrëveshjeve të arritura.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›