Chelsea fundos Napolin

Chelsea dhe Real Madridi janë dy skuadrat e fundit që kanë siguruar plasmanin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Anglezët e kanë eliminuar Napolin e Blerim Xhemailit pas 120 minutave të një ndeshje dramatike, në të cilën u shënuan pesë gola. Kurse, Real Madridi pa problem e eliminoi ekipin rus, CSKA.
Chelsea dhe Real Madridi i janë bashkuar Barcelonës, Milanit, Benficas, APOEL-it, Bayern Munchenit dhe Olympique Marseillet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Skuadrës angleze iu kanë nevojitur 120 minuta lojë për ta eliminuar nga kjo garë Napolin e mesfushorit shqiptar, Blerim Xhemaili.
Në fakt, 90 minutat e kohës së rregullt kanë përfunduar me rezultat 3:1, për Chelsean. Por, meqenëse me rezultat identik Napoli kishte fituar në përballjen e parë, është dashur të zhvillohen edhe dy periudha nga 15 minuta lojë shtesë për t’u përcaktuar çerekfinalisti i fundit i këtij edicioni. Gjatë lojë lojës shtesë, Chelsea shënoi edhe një herë për 4:1, rezultat ky që edhe e eliminoi ekipin italian.
Në fakt, vendasit kanë kaluar në avantazh prej 1:0 në minutën e 28-të me një gol që e realizoi Drogba. Chelsea e dyfishoi avantazhin në minutën e 47-të, kur Terry shënoi për rezultat 2:0. Por, Napoli nuk u dorëzua, derisa në minutën e 55-të e zvogëloi disavantazhin në 2:1, nëpërmjet Inler. Mirëpo, eliminimin Chelseas ia evitoi Lampard, i cili në minutën e 75-të nga penaltia shënoi për rezultat 3:1. Me këtë rezultat kanë përfunduar 90 minutat e kohës së rregullt, derisa në fund të 15 minutave të periudhës së parë të lojës shtesë, Chelsea shënoi nëpërmjet serbit, Ivanoviç për rezultat 4:1. Ky gol e dërgoi ekipin anglez në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pasi Napoli në periudhën e dytë të lojës shtesë nuk ia doli të shënoj.
Duhet theksuar se Xhemaili nuk është inkuadruar fare në këtë takim.
Kështu, Chelsea mbrojti nderin e futbollit anglez, pasi në çerekfinale të ligës më prestigjioze evropiane do të jetë ekipi i vetëm nga Premierliga.
Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në ‘Santiago Bernabeu’, CSKA Moska është mposhtur nga Real Madridi me rezultat bindës, 4:1. Spanjollët kanë kaluar në avantazh prej 1:0 në minutën e 26-të me golin që e ka realizuar Higuain, kurse avantazhin në 2:0 e ka regjistruar Cristiano Ronaldo në minutën e 55-të, derisa Benzema në minutën e 70-të ka shënuar për rezultat 3:0. Kurse, golin e vetëm për rusët e ka realizuar Tosic në minutën e 77-të për rezultat, 3:1. Kurse, Ronaldo ka realizuar sërish në minutën e 93-të për rezultat përfundimtar, 4:1. Takimi i parë mes këtyre dy ekipeve pati përfunduar pa fitues, 1:1.