Serbia vazhdon me politikë të terrorit

Arrestimet brutale dhe spektakulare të dhjetë ish-luftëtarëve të lirisë nga forcat serbe të xhandarmërisë në Luginë të Preshevës, tregojnë se udhëheqja aktuale serbe ne vazhdimësi nuk shkëputet nga politika e terrorit dhe gjenocidit, ka deklaruar të shtunën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Sipas tij, arrestimet e fundit janë në funksion të frikësimit të popullatës shqiptare, por që nuk do t'ia arrijnë qëllimit. Ai ka dënuar ashpër këto arrestime duke shtuar se "Beogradi zyrtar në vend se të sqarojë fatin e rreth dymijë shqiptarëve të rrëmbyer gjatë luftës në Kosovë, ai bën arrestime spektakulare dhe hyn e del kur të dojë në Kosovë". "Në vend që të pranojë krimet e forcave serbe dhe të ndjek kriminelët e luftës, të cilët madje si në paradë marshojnë herë pas herë drejtë Kosovës, në vend që të kërkojë falje dhe të shtrijë dorën e miqësisë me shqiptarët dhe Republikën e Kosovës, ai në stilin e hajnit që thërret 'kapeni hajnin' arreston shqiptarët, që të krijojë përshtypjen sikur ata ishin kriminelët e jo soldateska serbe", tha Krasniqi. Krasniqi u bën thirrje autoriteteve të Beogradit që të jenë të përgjegjshëm në këto momente të rëndësishme historike nëpër të cilat po kalon rajoni si dhe Kosova e Serbia. "Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Beogradit që t'i kthehen një politike të fqinjësisë së mirë me Kosovën dhe të sigurojnë të gjitha të drejtat qytetare, njerëzore e kombëtare për popullsinë shqiptare në Serbi. Në këtë kuptim presim lirimin e qytetarëve të arrestuar dhe qetësimin e popullatës së shqetësuar", tha Krasniqi. Në fund kryekuvendari, Jakup Krasniqi, vlerësoi se interesi i dy popujve tonë nuk janë tensionet e reja por paqja, mirëkuptimi, fqinjësia e mirë dhe integrimi evropian. Ai kërkoi që kjo politikë agresive, destabilizuese e represive serbe ndaj shqiptarëve të dënohet nga Komuniteti ndërkombëtarë, OKB, BE dhe SHBA. Sipas mediave serbe të arrestuarit pritet që sot të dalin para gjykatës.