Krasniqi: Serbia ndjek politikën e terrorit
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se arrestimet brutale të dhjetë ish-luftëtarëve të UÇK-së nga forcat serbe të xhandarmërisë në Luginën e Preshevës, tregojnë se udhëheqja aktuale serbe në vazhdimësi nuk shkëputet nga politika e terrorit dhe genocidit. Sipas Krasniqit, arrestimet e fundit janë në funksion të frikësimit të popullatës shqiptare, por që nuk do t'ia arrijnë qëllimit. Ai ka dënuar ashpër këto arrestime duke shtuar se Beogradi zyrtar në vend që të sqarojë fatin e rreth dymijë shqiptarëve të rrëmbyer gjatë luftës në Kosovë, bën arrestime dhe hyn e del kur të dojë në Kosovë. "Në vend që të pranojë krimet e forcave serbe dhe të ndjekë kriminelët e luftës, të cilët madje si në paradë marshojnë herë pas herë drejt Kosovës, në vend që të kërkojë falje dhe të shtrijë dorën e miqësisë me shqiptarët dhe Republikën e Kosovës, Beogradi arreston shqiptarët, që të krijojë përshtypjen sikur ata ishin kriminelët e jo ushtria serbe", tha Krasniqi. Krasniqi iu bën thirrje autoriteteve serbe që të jenë të përgjegjshëm në këto momente të rëndësishme historike, nëpër të cilat po kalon rajoni si dhe Kosova e Serbia. "Ne iu bëjmë thirrje autoriteteve të Beogradit që t'i kthehen një politike të fqinjësisë së mirë me Kosovën dhe të sigurojnë të gjitha të drejtat qytetare, njerëzore e kombëtare për popullsinë shqiptare në Serbi. Në këtë kuptim presim lirimin e qytetarëve të arrestuar dhe qetësimin e popullatës së shqetësuar", u shpreh Krasniqi. Në fund kryeparlamentari kosovar vlerësoi se interesi i dy popujve nuk janë tensionet e reja por paqja, mirëkuptimi, fqinjësia e mirë dhe integrimi europian. Krasniqi kërkoi që kjo politikë agresive, destabilizuese e represive serbe ndaj shqiptarëve të dënohet nga Komuniteti ndërkombëtar, OKB-ja, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara. Sipas mediave serbe, të arrestuarit pritet që të shtunën të dalin para gjykatës.