E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia zhbllokon përfaqësimet rajonale

Qeveria e Serbisë në mbledhjen e saj, ka miratuar një udhëzim, se si duhet të sillen përfaqësuesit e autoriteteve shtetërore serbe karshi atyre të Kosovës, në mbledhjet e bashkëpunimeve rajonale, ku sipas tyre, institucionet e Prishtinës, duhet të paraqiten pa flamur, apo me simbole të tjera dhe kërkohet prania e përfaqësuesve të UNMIK-ut.

“Ky udhëzim parasheh përfaqësimin asimetrik të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë dhe përcakton se në tavolinën me “Kosovo *” të gjitha dokumentet mbështetëse duhet të përfshijnë tekstin e fusnotës, të paktën në referimin e parë në secilin dokument”, thuhet në faqen zyrtare të Qeverisë së Serbisë.

Sipas saj, ky udhëzim është miratuar në mënyrë që të shmangen dëmet e shkaktuara nga mungesa e përfaqësuesve të organeve shtetërore serbe në takimet rajonale. Duke munguar në ngjarjet rajonale, bazuar në detyrimet që rrjedhin nga udhëzimi i kaluar, përfaqësuesit e Serbisë, ishin të privuar nga mundësia për të përfaqësuar politikën e qeverisë serbe.

Gjithashtu, Republika e Serbisë, duke munguar në takimet rajonale, ka pësuar humbje të drejtpërdrejta dhe të tërthorta ekonomike.

Sa i përket paraqitjes së Republikës së Kosovës, Qeveria serbe thotë se “përfaqësues të qeverisë serbe janë të detyruar t’u kërkojnë përfaqësuesve të BE-së në takime për zbatim të rreptë të paraqitjes së institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë, pa shfaqjen e flamurit, apo me simbole të tjera, dhe do të kërkohet gjithashtu prania e përfaqësuesve të UNMIK-ut.”

Nëse përfaqësuesit e institucioneve, siç i quajnë ata,“të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë” nuk paraqiten në përputhje me këtë udhëzim, përfaqësuesit e organeve shtetërore serbe do të largohen dhe do ta paraqesin një protestë me shkrim organizatorit./Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›