E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ndarë rreth vazhdimit të misionit të EULEX-it

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi deklaron se rezoluta për mandatin e Misionit të EULEX-it deri në vitin 2014 duhet të vjen para 10 shtatorit në Kuvend për t’u miratuar. Zgjatjen e mandatit të këtij misioni e kanë përkrahur partitë opozitare, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka thënë se ky mision nuk i duhet Kosovës. Edhe pse është thënë se është arritur marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe Brukselit për të zgjatjen e mandatit edhe për dy vite, ende zyrtarisht ka një deklarim nga Brukseli.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka thënë se për këtë çështje do të diskutohet kur të sillet në Kuvend materiali nga Qeveria. Ai ka thënë se kjo gjë duhet të ndodh para 10 shtatorit.

“Me 10 shtator është një seancë solemne për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe nuk do të ketë çështje tjera në rend të ditës. Nëse ajo duhet të vjen, duhet të vjen para të 10-it”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri ka përkrahur vazhdimin e mandatit të këtij misioni.

“Ne do të përkrahim vazhdimin e mandatit të EULEX-it, sigurisht që EULEX-i do të mund të bëjë punë edhe më të mirë. Megjithatë mund të konsideroj se ende nuk kanë pushuar gjitha arsyet, por pse jo edhe nevojat që EULEX-i të jetë prezent në Kosovë. Sidoqoftë është një institucion, kjo nuk do të thotë që nuk kemi besim për institucionet tona, por megjithatë mund t’i drejtohen qytetarët tanë në fushën normalisht të cilën e kanë dhe ne si LDK vazhdimin e mandatit, ashtu siç parashihet dhe me prezantimin që do të bëhet në Kuvend, ne do të përkrahim”, ka thënë Beqiri.

Edhe kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka mbështetur vazhdimin e misionit të EULEX-it, duke e konsideruar si të nevojshëm ende për vendin.

“Po rikonfirmoj se Aleanca mendon se Kosova ka nevojë për mbështetjen në forcimin e sundimit, rendit dhe ligjit dhe në këtë drejtim ne e mbështesim një mandat shtesë për kohë të caktuar të EULEX-it në Kosovë”, ka theksuar Gjini.

Ndërkaq, kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka kundërshtuar vazhdimin e mandatit për këtë mision.

“Në parim, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë përherë kundër pranisë së EULEX-it. Mendojmë që tash edhe është dëshmuar që prania e EULEX-it ka qenë e dëmshme, për shkak se EULEX-i është mision i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, pra është neutral karshi statusit të Kosovës, dhe e dyta, është mision i cili është në kundërshtim me të drejtën sovrane para institucioneve të Kosovës për të ushtruar kompetencat e veta në të gjitha fushat që kanë vështirësi që mbulohen nga EULEX-i, gjyqësi, polici e dogana”, ka deklaruar Ymeri.

Për më tepër, ai ka shtuar se ende nuk është teksti i marrëveshjes dhe ende nuk dihen detajet e marrëveshjes.

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se EULEX-i nuk duhet të qëndroj në Kosovë dhe i vetmi plan që do të jetë për këtë mision është se si do të largohet. Ymeri thotë që ai duhet të largohet sipas fazave, por jo të përfshijë një periudhë të gjatë kohore.

Ndryshe ende nuk ka ardhur përgjigja zyrtare nga Brukseli për arritjen e marrëveshjes për zgjatjen e mandatit të këtij misioni, por sipas gjitha gjasave para përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë do të votohet rezoluta në Kuvend për zgjatjen e mandatit të EULEX-it./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›