E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbisë t’i bëhet trysni për të pagjeturit

Drejtues të institucioneve të Kosovës i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë më tepër presion ndaj Beogradit për ndriçimin e fatit të të pagjeturve shqiptarë.

Në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare për Persona të Pagjetur, ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, për moszbardhjen e fatit të personave të pagjetur ka fajësuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili sipas saj, asnjëherë nuk i bëri presion Serbisë të japë informacione për personat e zhdukur gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Ndërsa presidenti Sejdiu ka thënë se asnjëherë në të ardhmen e popujve të rajonit nuk duhet të përsëriten tragjeditë e së kaluarës, siç ishte ajo e popullit të Kosovës.

“E përsëris thirrjen tonë posaçërisht drejtuar institucioneve të shtetit serb që të bëjnë distancën e madhe nga njerëzit që kanë bërë krime dhe nga ato politika që kanë dashur të jenë hegjemone ndaj të gjithë popujve të rajonit, nga ato politika që fatkeqësisht edhe sot mbeten me viktimat e mëdha të pazbuluara”, ka thënë Sejdiu, transmeton KosovaPress.

Presidenti Sejdiu u shpreh se çështja e të pagjeturve dhe identifikimi i mbetjeve mortore ka qenë dhe mbetet të trajtohet si prioritet shtetëror.

Edhe pas gati 11 vjet të përfundimit të luftës në Kosovë nuk dihet për fatin e më shumë se 1800 kosovarëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›