E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësohen dëmet e tërmetit të 10 marsit

Dy javë pas tërmetit që goditi vendin tonë, Drejtoria për emergjencë në Pejë ka dalë të enjten me shifrat përfundimtare të dëmeve të shkaktuara, 37 objekte të dëmtuara në masë të madhe, 15 prej të cilave konsiderohen të pariparueshme, ndërkaq dëmet totale kapin vlerën 328 mijë euro.

Sipas drejtuesve të drejtorisë për emergjencë, këto 15 shtëpi që nuk mund të riparohen janë të rrezikshme për banim dhe konsiderohet me rrezik qëndrimi në to. Kryesisht këto shtëpi janë në qytetin e Pejës dhe në fshatrat që janë në kufi me komunën e Istogut.

Kuvendi Komunal i Pejës ka përgatitur materialin për rastet më ekstreme, i cili do t'i dorëzohet Qeverisë në mënyrë që të ndihmohen. Sipas zyrtarëve komunalë për riparimin e dëmeve të shkaktuara që të mund të shfrytëzohen objektet për banim nevojiten 165 mijë euro.

Gjithashtu, shkolla “Lidhja e Pejës” në Jabllanicë e Vogël, nuk mund të riparohet për shkak të dëmeve të mëdha të shkaktuara nga tërmeti i 10 marsit.

Zyrtari për arsim i DKA-së, Leonard Shabanaj, ka thënë se autoritetet e kësaj drejtorie kanë shikuar nga afër dëmtimet e shkollës dhe sipas ekspertëve është vlerësuar se derisa të ndërtohet shkolla e re objekti mund të shfrytëzohet pa rrezik për mbajtjen e procesit arsimor.

Tërmeti i 10 marsit kishte fuqi 5.2 ballë sipas shkallës së Riterit dhe epiqendra e tij ishte në rajonin e Dukagjinit. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›