E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sergei Bubka, monumenti që na kujtoi atdhetarinë

Rexhep Meidani

Foto kryesore që shoqëron këtë shkrim është monumenti i atletit legjendar, Sergei Bubka. Monumenti është vendosur në qytetin e tij Donetsk - qytetar nderi i të cilit ai është. Ky monument me 3.5 metra lartësi, kushtuar Bubkës për së gjalli, është vepër e skulptorit Buczka Yasinenko dhe ndodhet afër stadiumit "Lokomotiva", në rrugën "Donetsk Artema", thuajse mu në qendër të qytetit, aty ku në të shumtën ne vendosim monumentet e partizanëve të rënë në Luftën e Dytë ose monumentin e ...ndonjë rilindasi të rrallë. Monumenti i atletit të madh është vendosur mbi një piedestal 6 metra e 15 centimetra, shifër që përfaqëson 6.15 metrat e rekordit mitik të Sergei Bubkës në kërcimin me shkop, vendosur më 31 korrik 1994 në Sestrie të Italisë.
Kështu, prej vitesh kanë filluar të nderojnë korifejtë e tyre edhe ish vendet komuniste, duke mësuar paksa prej Perëndimit, që ka zakonin me të nderue për së gjalli, jo vetëm për së vdekuri.
Sergei Nazarevic Bubkën e kam takuar dy herë: një herë, më 1995 në Montecarlo dhe një herë tjetër vitin e shkuar në Milano. Ka një thjeshtësi të pakrahasueshme, thjeshtësi që e ndjen menjëherë prej fytyrës së tij të qeshur dhe shikimit të tij të butë njerëzor, që vetëm të mëdhenjtë e kanë.
Ky njeri-monument, të cilit mund t'i ndodhë që të kalojë përditë pranë monumentit të tij, këtë javë mori rrugën e panjohur drejt Shqipërisë, vendi i cili rrezikon të shuajë mû sportin e tij të jetës, në të vërtetë kryesportin e njerëzimit: atletikën-mbretëreshë. është vërtet e çuditshme se si Sergei Bubka, sot zëvendëspresident i Federatës Botërore të Atletikës (IAAF), ka marrë guximin për të ardhur në Shqipëri, e cila ende nuk ka asnjë pistë olimpike atletike, padyshim i vetmi shtet në Europë (edhe ajo e vetme me tartan e Stadiumit Kombëtar "Qemal Stafa" nuk ka përmasat olimpike)! Ky 47-vjeçar i lindur në një qytet që mban emrin një gjenerali të Revolucionit, Voroshillovgrad, Kampion Olimpik legjendar, por plot 11 herë Kampion i Botës në natyrë e në sallë, madje me dy shtete, Bashkimin Sovjetik dhe Ukrainën, si dhe 35 herë Rekordmen i Botës, sot përbën një figurë të plotë të stilit perëndimor. Që nga mënyra e jetës e deri te mendësia sportive. Megjithatë, në gjithë qënien e tij ai jeton për Ukrainën e tij. Zëvendëspresident i IAAF, Princ i Austarias, deri para pak deputet i Parlamentit të Ukrainës, kampion simbolik i UNESCO-s, president i Komitetit Olimpik të Ukrainës, Sergei Bubka sot është pasuri e fondit botëror sportiv.
Për një çast të duket sikur ai nxitoi të vinte në Shqipëri për t'i kujtuar asaj se ka edhe atletikë, se atletika kërkon pista e stadiume, se atletika nuk mund të përparojë kur rekordet e saj mbesin 30 e sa vjet pa u thyer, pa përparuar, siç ngjet vetëm në Shqipëri, e se atletika mund të zhvillohet edhe në natyrë, e pra edhe në kodër e mal, se atletika mund dhe duhet të zhvillohet edhe prej të ardhurave të loterive sportive të futbollit që po çmendin Shqipërinë. Madje në këto të fundit, deri në rangun e një Kampionati Botëror, që për çudi mund ta organizoka edhe Shqipëria e vogël. Mbasi ka thënë me tri fjalë rëndësinë humane të atletikës, sidomos për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve dhe të rinisë, Sergei Bubka është larguar i qetë dhe i sigurt se Shqipëria mund ta organizojë Kampionatin Botëror të vrapimit malor.
Dhe vetëm kaq?
Në të vërtetë, Bubka po aq sa sportin na ka kujtuar vlerën e madhe të atdhetarisë, natyrisht përmes sportit, në këtë rast përmes zhvillimit atletik të kombit. Nuk di a i kanë treguar atij se Shqipëria nuk është pa një traditë atletike dhe se ajo Kampionatin e parë të saj Kombëtar në një sport e ka zhvilluar pikërisht në atletikën e lehtë, qysh më 1929, para futbollit madje! Po aq, nuk e di se a është kujtuar dikush t'i tregojë Bubkës, se pikërisht në garën e tij, atë të kërcimit me shkop, Shqipëria ka një traditë fort interesante, teksa ka pasur rekordmenë deri në 3 metra e 40 centimetra (i pashlyeshmi Ibrahim Dizdari) qysh në vitet '30, duke tejkaluar asokohe shumë shtete të botës.
Por jam i sigurt ndërkaq, që nuk kanë mundur t'i tregojnë se një atlet i famshëm shqiptar të cilin nuk e ka nderuar askush deri më sot në Shqipërinë e tij me emrin Filip Sosi, dy herë Kampion Kombëtar i Shqipërisë (1929 dhe 1930) me Korçën, në Bastia të Francës në maj të vitit 1934, ka arritur në kërcimin me shkop plot 3 metra e 75 centimetra, një rezultat sensacional shqiptar, kur dihej se rekordi i Botës asokohe ishte vetëm 4 metra e 37 centimetra! Jam i sigurt se nuk ia kanë treguar këtë fakt sensacional, sepse vetëm këto ditë e kam zbuluar, çka për ne përmbys për mirë një histori.
Po aq jam i bindur se nuk kanë guxuar t'i thonë se "ju, i dashur zëvendëspresident i IAAF-it, keni ardhur disi në kohë të gabuar në Shqipëri, sepse pakkush e ka mendjen tek ju ngaqë Shqipëria ka ndalë frymën për Kampionatin Botëror të Futbollit, edhe pse ajo vetë nuk merr pjesë atje. Dhe në këto ditë të qershorit 2010, ajo nuk zhvillon asnjë veprimtari sportive, asnjë kampionat, asnjë garë, asnjë sport, as në fushë as në mal, as në stadium e as në rrugë, as në pistë e as në fushë".
Ndonëse prapë them se nuk është plotësisht kështu. Bubka, për ardhjen e të cilit merita i takon ftesës së Federatës Shqiptare të Atletikës së Lehtë, me në krye presidentin e saj Gjergj Ruli, u gjend përpara një befasie të madhe që nuk i kishte ndodhur asnjëherë në jetën e tij. Ai u prit brenda disa orëve prej tre personaliteteve më të larta të vendit: prej Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Kryeministrit dhe Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve! Të cilët me këtë gjest kanë treguar jo thjesht se e dinë fort mirë se kush është Sergei Bubka, por se një Kampionat Botëror atletik i zhvilluar në Shqipëri është po aq një ngjarje sensacionale në shërbim të atdhetarisë. Këtu vërtet kemi të bëjmë me një kuptim atdhetar, çka na blatoi Sergei Bubka.
Po mandej? Mandej, unë që të duket se "po kërkoj halën në përpéq" te gazetaria, te publiciteti, te media pjesë e të cilit jam prej gati nja pesëdhjetë vjetëve.
Sergei Bubka dhe "ngjarja" e tij shqiptare u injorua. Lajme të shkurtra, të pa kulturë, të pa shije, të pa kompetencë informative, të padituri. Lajm i fshehur në faqet e fundit. Asnjë intervistë, asgjë e posaçme për këtë ngjarje të madhe sportive për Shqipërinë e vogël, nënvlerësim i papamë! Kur sa shumë që mund të bëhej! Jo thjesht biografi të gjëra për protagonistin, por më shumë nderim për këtë gjest, që nuk është thjesht vetjak i Bubkës, por po aq i vetë IAAF-it, i cili e ka në gjirin e vet Shqipërinë qysh më 1935. Dhe?... Asnjë përimtim i këtij Kampionati të mundshëm për t'u zhvilluar në Shqipëri, për kuptimin e tij, për kuptimin atdhetar të vlerës po atdhetare të mbretëreshës - atletikë. Asnjë fjalë, asnjë koment, asnjë problematikë, asnjë trajtim, asnjë mbështetje në gjithë këto ditë! Nuk ngurroj: shtypi, pushteti i katërt, herë-herë edhe pushtet i parë, marramendës, siç është bërë në mënyrën më të papranueshme në Shqipëri këto ditë me rastin e Kampionatit Botëror të Futbollit, nuk e mbështeti as Kampionatin Botëror të vrapimit për Shqipërinë, as Federatën Shqiptare të Atletikës së lehtë, as njeriun-monument me emrin legjendar Sergei Bubka, as gatishmërinë e shtetit, Qeverisë apo ministrisë përkatëse, as idenë e madhe të daljes së Shqipërisë nga prapambetja e pashembullt atletike, në të cilën për fatin e keq ndodhet sot.
Dhe do ta mbyll me një shembull të përsëritur. Kur Italia Fashiste pushtoi Shqipërinë, gazeta e Partisë Fashiste "Fashizmi", çdo të martë kishte një faqe sportive. Botonte një koment për Kampionatin Italian, e cila ishte Kampione e Botës në fuqi. Por vetëm në dy kolona të ngushta. Gjithë pjesën tjetër të faqes, tri të katërtat e saj ia kushtonte kampionateve të shkollave, të gjimnazeve, të lagjeve, të qyteteve. Sepse sporti shqiptar ende nuk i ishte rikthyer kampionateve të tij kombëtare, çka për çudi mû kjo Itali Fashiste do ta bënte menjëherë mbas disa muajve!
Morali i fabulës? Mbasi shtypi shqiptar, media kombëtare injoroi njeriun- monument Sergei Bubka dhe mbështetjen e tij për atletikën tonë Kombëtare, i cili erdhi në Shqipëri e na kujtoi atdhetarinë, ndoshta "shpëtimin" duhet ta gjejmë te satira e Fishtës, te e famshmja "Metamorphosis" e tij: "T'a dijë Shqypnija / Prà, e sheklli mbarë, / Se mâ mbas sodit / Unë s'jam Shqyptàr".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›