E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pluralizmi informativ dhe media e shkruar

Ilir Kalemaj

Tregu i gazetarisë së shkruar në botë është në rënie, ndërsa vetë cilësia lë shumë për të dëshiruar, duke qenë se deviza kryesore është tashmë përshtatja me shijet e publikut sesa formimi i tij. Kjo është pak evazive si maksimë, pasi publiku është nën një ballafaqim konstant me një mori informacioni, shpesh vanitoz që në fakt sendërton shijen e tij në radhë të parë. është ajo që paralajmëroi Presidenti Obama para ca kohësh në një fjalim universitar, ku vuri theksin te rreziku që vjen nga pluralizmi i skajshëm i medias dhe informacionit, ndonëse vetë një nga përfituesit kryesorë të kapitalit politik me të cilën kjo e fundit është e asociuar. Në 2008-ën, vit i krizës financiare, të ardhurat nga reklamat në shtypin e shkruar, ranë mbi 16 për qind në SHBA dhe po kaq mendohet të bien nga periudha e tanishme deri në 2012-ën. Po ashtu, subvencioni qeveritar për gazetat, praktikë e njohur në disa vende, është i rrezikshëm për pavarësinë editoriale të tyre, ndërsa nga ana tjetër, rritja e konkurrencës nga lajmi falas i shpërndarë rëndom në internet apo lajmi televiziv e bën të vështirë një konkurrencë të ndershme për rezistencën e shtypit të shkruar.
Por ka disa sinjale pozitive dhe këto vijnë kryesisht ose nga media me reputacion të fortë lokal dhe ndërkombëtar, të financuar nga manjatë seriozë, por edhe të afta të gjenerojnë të ardhura si një kompani e mirëfilltë, gazeta të tilla të mirënjohura si Wall Street Journal, Financial Times, apo Bild. Një pjesë e tyre, si psh, mediat e Murdoch-ut kanë filluar prej kohësh aplikimin me pagesë të gazetës online për formatin e plotë, ndërsa lejojnë pjesë të veçanta të lexohen falas, nismë e suksesshme dhe që gjeneron shpresë për një mbijetesë dhe madje sukses në tregun gjithnjë dhe më kompetitiv të informacionit. Të tjerë janë shndërruar në tabloidë apo praktikojnë variante miks në përpjekje për të kënaqur gjithë llojet dhe kategoritë e lexuesve. Nga njëra anë duket se po përfundon koha e një epoke të artë për median e shkruar, nga ana tjetër duket se po rilind një tjetër shpresëdhënës dhe mjaft premtuese në perspektivë, ndonëse pa një formulë të qartë suksesi.
Një nga gazetarët më të shquar të shekullit të kaluar, i cili revolucionarizoi gazetarinë televizive, është Edward R. Murrow, historia e të cilit është përshkruar mjeshtërisht në filmin "Good night and good luck" të George Clooney-t. Murrow, i cili jetoi në vitet 50-të, njihej mbi të gjitha për kundërvënien publike që i bëri një prej aktorëve më të frikshëm të skenës politike amerikane, senatorit Joseph Mçarthy i cili njihet për 'gjuetinë e shtrigave', ndaj ata që ai cilësonte komunistë në SHBA sipas oreksit dhe që prekte garancitë e të drejtave civile që gëzonin qytetarët amerikanë. Gjithashtu filmi hapet me një fjalim lamtumire, që gazetari i shquar e jep në fund të karrierës, atëherë kur shenjat e para të infeksionit në gazetari dhe ku gjurmët e pushtetit të ardhshëm të korporatave, që janë më të theksuara se kurdoherë sot, kishin filluar të shfaqeshin. Paralajmërimi i Murrow-t dhe gazetarëve të tjerë të shquar të atyre dekadave, që bënë histori dhe revolucionarizuan tregun e informacionit më tepër se një parashikim i një Kasandre, duhet parë si një thirrje aktuale, për të parë se çfarë duhet bërë, qoftë edhe në kontekstin lokal që media e shkruar mos të humbasë terren ndaj konkurrentëve televizivë, radiofonikë apo internetikë.
Në Shqipëri ka pasur një traditë jo të pakët gazetarie kurajoze, emancipuese, formuese dhe informuese në të njëjtën kohë. Sikundër shprehet Petro Marko në kujtimet e tij "Intervistë me Vetveten: Re dhe Gurë", Branko Merxhani me Përpjekjen Shqiptare të tij, dhe nevojshmërinë për një organ shtypi të tillë, tha ndër të tjera se nevojitej një e tillë jo vetëm që ta informonte lexuesin, por mbi të gjitha ta formonte atë. Me këtë kishte parasysh, duke parë nivelin e përgjithshëm të popullsisë, analfabetizmin kancerogjen dhe sjelljet anadollake të një pjese të elitës që të krijohej pikësëpari ai opinion publik që do ishte në gjendje të dilte përtej thashethemnajës, apo ajo që sot kemi qejf ta quajmë 'telenovela politike' apo 'reality show'. Publicistika e viteve '20-30 konsiderohet ndër më të arrirat në historinë e gazetarisë shqiptare edhe për arsye se rrokte tema me ndjeshmëri të lartë sociale, promovonte kulturë dhe se ndërtonte një nivel të tillë debati që reflektohej dhe në kulturën dhe sjelljen politike, por mbi të gjitha manifestohej te besimi që gëzonte shtypi në radhët e atyre që dinin ta lexonin (dhe te tjerëve që e dëgjonin kur këndohej më zë të lartë në kafene, pra atyre që kishin akses tek informacioni që ai përcillte).
Si atëherë, si tani, për fat të keq, media e shkruar nuk ka mundur të depërtojë dot në zonat rurale, duke shkaktuar një diskrepancë të tillë që nuk mund të mbulohet dot thjesht dhe vetëm me median vizive. Madje shumë nga gazetarët me përvojë që kanë nisur apo vazhdojnë të kontribuojnë në shtyp, ndonëse kanë dhe angazhime në televizion, prapëseprapë pohojnë me bindje që shtypi është dashuria e parë e çdo gazetari dhe si e tillë e pamundur të harrohet apo neglizhohet. Të shpresojmë që kjo dashuri e parë mes atyre që shkruajnë dhe lexuesit të vazhdojë dhe të njohë rritje si cilësore, edhe sasiore. Krijimi i infrastrukturës së nevojshme që tregu i medias së shkruar të jetë i pranishëm në zonat rurale dhe periferike, po aq sa në ato urbane dhe qendrore, ka një funksion jo vetëm informues, por edhe formues. Paralelisht me të duhet të shkojë dhe rritja e besueshmërisë së medias së shkruar, diferencimi në produktin që ofron me llojet e tjerë të burimit të informacionit dhe ndjesia që ajo gjeneron te lexuesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›