Emiratet e Bashkuara: Do financojmë Tiranë-Elbasan
Pas miratimit të projektit, duket se Qeveria shqiptare ka gjetur edhe paratë për financimin e autostradës së re Tiranë-Elbasan. Investimi pritet të financohet nga një kredi e butë e emirateve të bashkuara arabe. Gjatë vizitës së djeshme në Tiranë, Ministri i Jashtëm Al Nahyan, e konfirmoi financimin në takimin me Kryeministrin Berisha. Sipas njoftimit të Qeverisë, gjatë takimit, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, pranoi se po shikonte mundësinë edhe të financimit të Boshtit të Jugut. "Emiratet e Bashkuara Arabe, tha Ministri Al Nahyan, do të financojnë rrugën Tiranë-Elbasan, një ndër projektet më prioritare infrastrukturorë të Qeverisë shqiptare si dhe po shikojnë me mjaft interes dhe përparësi edhe projekte të tjera të mëdha si Boshti i Jugut, portet, resortet turistike dhe projektet për bashkëpunimin në transportin ajror". Por rruga nuk është i vetmi investim i Emirateve në Shqipëri. Gjatë vizitës në vendin tonë, Ministri i Jashtëm, merr pjesë edhe në inaugurimin e Aeroportit të Kukësit,i cili do të mbajë emrin "Sheikh Zyed". Nga ana e tij, Kryeministri Berisha, falënderoi Al Nahyan, për vizitën dhe ndihmën që Emiratet po i japin Shqipërisë. "Marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve dhe mbështetja e fuqishme e të dy vendeve për thellimin e marrëdhënieve ekonomike janë mënyra më e mirë për konsolidimin dhe çuarjen e bashkëpunimit në një nivel edhe më të lartë", theksoi Berisha.
Rruga
Vetëm pak javë më parë, Kryeministri Berisha paraqiti në Elbasan, projektin e rrugës së re me tunel, Qeveria ka vendosur të zgjedhë variantin më të shkurtër, por më të kushtueshëm të rrugës së re. Rruga do të kalojë në dalje të Tiranës, përmes Lundrës, Mulletit, më pas do të futet në tunelin e Qaf Kërrabës, për të dalë sërish në hyrje të Elbasanit, aty ku kalon rruga ekzistuese. Qeveria, pati tre variante dhe zgjodhi pikërisht projektin me dy tunele, që është më i shkurtri por edhe më i kushtueshmi. Burime nga Ministria e Transporteve tregojnë se kosto e përafërt e rrugës shkon diku te 200 milionë euro, por me një limit, deri në 270 milionë euro. Kjo autostradë shkurton ose u kursen së paku 40 minuta kohë. Sipas projektit, parashikohet që tunelet të kenë një gjatësi prej 2.1 kilometrash, ose në total të dy tubat të jenë 4.3 kilometra të gjatë. E gjithë rruga, do të jetë 31.17 kilometra dhe do të ketë katër korsi me gjerësi 3.75 metra secila. Parashikohet që shpejtësia të jetë 100-120 kilometra në orë.
Të dhënat
Trajektorja
Tiranë-Lundër-Mullet-Elbasan
GJATESIA TOTALE
31.17 kilometra
Shpejtësia
100-120 km/h
Gjerësia e korsisë
(katër korsi) 3.75 metra
Gjatësia e tunelit
(dy tubat) 4.3 kilometra