E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seria A, fiton Roma e Fiorentina, barazon Sampi

Sampdoria nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në “Marasi” përballë Barit të surprizave. Pas këtij barazimi, skuadra e drejtuar nga Delneri mbetet në vendin e tretë në kuotën e 21 pikëve, aq sa ka edhe juventusi.

Më në fund ringrihet Roma. Pas rezultateve zhgënjyese të javëve të fundit, skuadra e Ranierit ka gjetur më në fund rrugën e fitores. Edhe pse me vështirësi, kryeqytetasit ia kanë dalë të jenë triumfues në “Olimpiko” përballë Bolonjës. Miqtë kaluan të parët në epërsi, por Vuçiniç dhe Perrota zhvlerësuan golin e Adailtonit.

Edhe Fiorentina rikthehet te tri pikët. Në “Artemio Franki” vjollcët mposhtën 3-1 Katanian. Markioni dy herë (konfirmon formën e mirë që po kalon) dhe Xhilardino në fund bënë që Fiorentina të hedhë pas krahëve krizën e rezultateve në ndeshjet e fundit në kampionat. Pas kësaj fitoreje, skuadra e Prandelit ngjitet në kuotën e 18 pikëve, përkohësisht në vendin e pestë.

Në ndeshjet e tjera të vlefshme për javën e 11-të të kampionatit italian, Udineze barazoi 1-1 në fushën e Kievos, ashtu si Lacio në Siena. Kaljari mposhti 3-0 në “Sant Elia” Atalantën. Në orën 20:45 do të luhet takimi i fundit, ai midis Palermos dhe Xhenovas.

Seria A, java 11:

Dje
Juventus 2 – 3 Napoli
Milan 2 – 0 Parma

Sot
Roma 2 – 1 Bolonja
Kaljari 3 – 0 Atalanta
Kievo 1 – 1 Udineze
Fiorentina 3 – 1 Katania
Livorno 0 – 2 Inter
Sampdoria 0 – 0 Bari
Siena 1 – 1 Lacio

Palermo – Xhenova (ora 20:45)  
 

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›