Seria A, tashmë ndeshje të premten dhe të hënën
ROME- Kërkesa e bërë pak kohë më parë nga Zhoze Murinjo, më në fund po gjen mirëkuptim në radhët e klubeve. Liga Italiane e Futbollit duket gati të ndryshojë oraret e Serisë A, duke vendosur që ajo të luhet edhe ditëve të premte në javët që ka Champions League. Murinjo kërkoi pak kohë më parë që skuadrat, të cilat të martën do të luanin në Ligën e Kampioneve, t’i zhvillonin që të premten ndeshjet e tyre në kampionat. Revolucioni duket i pranueshëm, duke parë se Italia tashmë rrezikon seriozisht të humbasë vendin e katërt në Champions kundrejt Gjermanisë. Ndryshime të tjera janë ato që një ndeshje të luhet edhe të dielën në drekë, në orën 12.30, një eksperiencë që u provua pak ditë më parë në sfidën Kievo-Inter. Gjithçka bëhet për të ndërtuar një kampionat më modern, i shpërndarë në ditë e orare në mënyrë që të favorizojë spektatorët në shtëpi dhe stadiume. Pak a shumë, një sistem i ngjashëm është edhe në Evropë dhe që kreu i Konfindustrisë së futbollit në Itali, Mauricio Bereta, kërkon ta përshtasë për Serinë A. Në rast se skuadrat italiane do të eliminohen para atyre gjermane në Evropë, Italia rrezikon shumë për vendin e saj të katërt në Champions. Drejtuesit e Ligës janë gati që ta eksperimentojnë sistemin e ri që në muajin shkurt, kur do të nisin sfidat me eliminim direkt në Champions League. Ndryshimet Diskutimi tjetër është mbi oraret që do të luhen këto ndeshje ditën e premte. Një ide është që të jenë të dyja në orën 20.45, ndërsa ideja tjetër është që njëra të luhet në 19.00 dhe ndeshja e dytë në 21.00, në mënyrë që sërish t’u vihet në ndihmë tifozëve që shkojnë në stadium dhe atyre që e ndjekin Serinë A nga televizori. Ka edhe një tjetër ide, sipas së cilës, ndeshja e të premtes të luhet gjithnjë, ka apo nuk ka Champions League. Futja në fuqi e këtyre rregullave do të bëhet që në muajin shkurt. Kështu, Milan-Udineze (që paraprin ndeshjen Milan-Mançester më 16 shkurt), do të luhet më 12 shkurt, ditën e premte, në orën 20.45. E njëjta ide është edhe për çelsi-Inter, në program në datën 16 mars. Ndërkohë, dy ndeshjet e të shtunës do të vazhdojnë të mbeten në kalendar në oraret e mëparshme, pra në orën 18.00 dhe në 20.45. E diela pritet të ketë gjithashtu një ndryshim, në mënyrë që edhe Seria A të rrisë vlerën e saj në tregun ndërkombëtar, sidomos atë aziatik. Duket e sigurt se një ndeshje do të luhet gjithnjë në orën 12.30 dhe një tjetër në mbrëmje. Ndërsa e reja e fundit lidhet me një ndeshje që mund të luhet ditën e hënë në mbrëmje, por kjo vetëm në javë të caktuara dhe jo gjithmonë. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)