Fahrudin Hoxha: Pas emergjencës, analizë në strukturat shtetërore

Projektuesi i digave garanton se nuk ka asnjë rrezik për shpërthimin e hidrocentraleve. “Të gjithë ta bëjnë gjumin e qetë për këtë”.
Kreshnik KUçAJ
“Të gjithë duhet ta bëjnë gjumin e qetë pasi digat e hidrocentraleve nuk paraqesin asnjë rrezik”. Ky ka qenë mesazhi që projektuesi i digave profesor Fahrudin Hoxha i dha presidentit Bamir Topi dhe të gjithë shqiptarëve ditën e djeshme ndërsa ndodhej në zyrën e kreut të shtetit. Hoxha, në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Digave të Mëdha, ka përgënjeshtruar në mënyrë absolute, variantin e disa ekspertëve që parashikojnë se digat e hidrocentraleve janë në rrezik çarjeje nga prurjet e mëdha. Megjithatë, Hoxha tha se në përfundim të situatës emergjente të krijuar nga vërshimet e ujit, të gjithë strukturat e shtetit shqiptar bashkë me specialistët dhe teknikët do të merren me analizën e këtij problemi për të bërë të mundur që kjo ngjarje të mos përsëritet. “Unë dua t’i transmetoj të gjithë popullit, atyre që më dëgjojnë, që më shikojnë ose që më lexojnë në shtypin e shkruar që të jenë të sigurtë, që nuk do të ndodhë absolutisht asgjë, që kaskada e Drinit është e sigurtë dhe do të rrijë ashtu siç ka ndenjur deri më sot. Përfitoj nga rasti që ndodhem në Presidencë e përkrah Presidentit, ta siguroj që ta bëjë gjumin më të qetë, me më pak telashe, me më pak shqetësime, sepse gjërat të tilla do të jenë, do të shkojnë drejt minimizimit” tha Hoxha ndërsa ndodhej në konferencën e përbashkët me presidentin Bamir Topi. Ai i cilësoi si “tymnaja të pavërteta” zërat që argumentojnë se rritja e prurjeve dhe tejkalimi i nivelit të ujit mund të rrezikojë digat dhe si pasojë mund të shkaktonte një katastrofë të vërtetë.
Pritshmëritë
Në emrin e tij dhe të kolegëve që kanë punuar për ndërtimin e digave të hidrocentraleve, Hoxha tha se të gjithë duhet të jenë të sigurtë si në shtëpitë e tyre. Po ashtu, profesor Hoxha tha se gjithçka mund të shkojë drejt përmirësimit në kaskadën e Drinit, edhe pse nuk e përjashtoi mundësinë e ndonjë “aksidenti” përsa i përket pritshmërisë së prurjeve. “Unë uroj që kjo që ndodhi të kalojë sa më shpejt, pa asnjë viktimë, me humbjet minimale të mundshme dhe me një solidaritet të plotë të popullit shqiptar, të cilin prej kohësh ka filluar ta shfaqë dhe ta tregojë! Unë dua të them që ngjashmëria, ose probabiliteti është që fenomenet negative të vëzhguara deri më sot në kaskadën e Drinit të shkojnë duke u zvogëluar, duke u minimizuar, sepse edhe gjithë statistikat shkencore të matura deri më sot tregojnë që piket e tyre janë në muajin nëntor, në muajin dhjetor dhe pastaj shkojnë gjithnjë duke rënë. Sigurisht që mund të ketë edhe ndonjë aksident rrugës siç ndodh në ndonjë rast, por e përgjithshmja është, trendi është që kaskada do të shkojë drejt përmirësimit” garantoi Hoxha.
Topi: Institucionet të rrisin bashkëpunimin për emergjencën
Presidenti Bamir Topi bëri dje një apel për bashkëpunim përtej bindjeve politike për të ndihmuar banorët e përmbytur të Shkodrës. Ndërsa zhvilloi takimin me projektuesin e digave të hidrocentraleve, Fahrudin Hoxha, kreu i shtetit tha se sinjalet janë optimiste përsa i përket përmirësimit të situatës. “Që të gjithë pa përjashtim, të gjitha institucionet, mbarë politika, të gjithë qytetarët duhet të rrisin ndjeshëm bashkëpunimin, frymën e solidaritetit, e cila është tradicionale për shqiptarët. Pavarësisht nga retrospektiva dhe direktivat politike, ne në të tilla raste duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin me ç’të mundemi për të dalë sa më shpejt dhe për ta kthyer në rrjedhë normale” tha Topi. Kreu i shtetit shtoi se pasi të kapërcehet situata emergjente, atëhere mund të diskutohet e debatohet për përmirësimin e elementëve teknikë-organizativë. Pavarësisht kësaj, sipas Topit, parësore është kapërcimi i situatës emergjente dhe minimizimi i dëmeve. “Më pas, kur gjërat kalojnë, mund të diskutohet, mund të debatohet, mund të rritet ndjeshmëria për përmirësimin e elementeve teknikë-organizativë, por të gjithë së bashku sot duhet të fokusohemi tek dalja sa më shpejt të jetë e mundur nga situata e zonave të përmbytura. Qytetarët kanë nevojë përveç ndihmës direkte, përveç një organizimi kompleks, i cili do të realizohet, kanë nevojë edhe për një mesazh optimist” tha Topi. Pas takimit me kreun e Komisionit të Digave të Mëdha, Topi tha se ka marrë sigurinë se situata në kaskadën e Drinit po përmirësohet dhe ka elementë të lartë të sigurisë. “Kam pasur një takim me Profesor Fahrudin Hoxhën, me cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Digave të Mëdha në vazhdën e takimeve intensive dhe komunikimeve të vazhdueshme që kemi pasur gjatë këtyre ditëve. Kemi diskutuar për situatën aktuale në kaskadën e Drinit. Fatmirësisht situata është në përmirësim të vazhdueshëm dhe natyrisht që kjo do të influencojë ndjeshëm që edhe zonat e përmbytura të dalin gradualisht duke sjellë një tjetër frymë optimizmi sa më shpejt nga ajo gjendje e krijuar” tha Topi. Kreu i shtetit siguroi se të gjitha strukturat e shtetit janë në një bashkëpunim intensiv dhe profesional për kapërcimin e situatës emergjente.
K.K
PS: Të ikin Berisha e Prifti, janë ideatorët e përmbytjes
Partia Socialiste kërkoi dje largimin e kryeministrit Sali Berisha e të ministrit të Energjetikës Dritan Prifti si shkaktarët kryesorë për përmbytjet në Shkodër. Përmes deputetit Damian Gjiknuri, Partia Socialiste shprehu shqetësimin për mosnisjen e hetimeve për krizën humanitare të krijuar në Shkodër. “Partia Socialiste vazhdon të ndjekë me shumë shqetësim situatën e krijuar nga përmbytjet në zonën e Shkodrës. Përtej solidaritetit të natyrshëm me të gjithë banorët e dëmtuar dhe strukturat e sigurisë që punojnë pranë tyre, nuk mund të qëndrojmë gojëkyçur ndaj shkaqeve dhe përgjegjësive që sollën një situatë të tillë. Ditë pas dite, nga dëshmitë e ekspertëve dhe të dhënat kontradiktore të qeverisë, shqiptarët po mësojnë se shkaku kryesor i përmbytjes nuk është natyror, por njerëzor” tha Gjiknuri. Sipas tij, dëshmitë e ekspertëve po nxjerrin në pah se tragjedia erdhi si rezultat i keqmenaxhimit nga ana e strukturave shtetërore përgjegjëse për veprat në kaskadën e Drinit, të cilët me veprimet dhe mosveprimet e tyre shkaktuan përmbytjen më të madhe që ka parë ndonjëherë ky vend. Në këto kushte, sipas Gjiknurit, përpara se Berisha dhe eskorta e tij qeveritare të akuzojë opozitën për përhapje paniku, Berisha duhet të kërkojë i pari hetime të thella për shkaqet e tragjedisë, nëse nuk e ndjen veten e tij fajtor. “Nëse nuk e ndjen veten me faj, Berisha duhet të shkarkojë menjëherë Dritan Priftin, cili me arrogancë dhe neglizhencë, duket të ketë shmangur çdo kërkesë që përcaktonte rregullorja në fuqi për menaxhimin e prurjeve ujore. Nëse nuk vepron edhe pas gjithë këtyre dëshmive që flasin qartë për përgjegjësitë e ministrit të tij, Berisha duhet të largohet bashkë me të, si ideatori i politikave që parapërgatitin situatën që shkaktoi tragjedinë” vijoi Gjiknuri. Deputeti socialist tha se e njëjta thirrje vlen edhe për prokurorinë, e cila duhet të kishte filluar menjëherë hetimet, dhe jo të presë deri sa uji të hyjë në zyrat e saj, e më pas të kujtohet se ka një përmbytje. “çfarë tjetër pritet të ndodhë në këtë shtet që një ministër të largohet, apo një prokuror të fillojë hetimin!?”përfundoi Gjiknuri.
K.K
Poni: Do kërkojmë mbledhjen e Këshillit Bashkiak
Partia Demokratike tha dje se do të mbledhë Këshillin Bashkiak të Tiranës për të miratuar një fond të veçantë për përmbytjet që janë shkaktuar në Shkodër. Pavarësisht se kryebashkiaku Edi Rama përmes Partisë Socialiste ka organizuar rrjetin e vullnetarëve, ka mbledhur vendorët socialistë dhe ka ngritur edhe një shtab emergjence në ndihmë të banorëve, kreu i këshilltarëve demokratë Ferdinant Poni tha se duhet që Bashkia e Tiranës të miratojë edhe një fond të veçantë për përmbytjet. “Akoma s’kemi asnjë reagim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. çuuditërisht sikur ka humbur si kripa në ujë. Në këto kushte Këshilli Bashkiak do të mblidhet jashtë rradhe për të caktuar në emër të qytetarëve të Tiranës dhe në emër të atij solidariteti të domosdoshëm për çdo shqiptar, që t’i vijë në ndihmë zonave dhe qytetarëve me emergjencë atje. Ne po formulojmë kërkesën që Këshilli të mblidhet jashtë rradhe. Besoj që nesër (sot) apo pasnesër(nesër) të mblidhet me emergjencë, ndoshta edhe me rotacion që edhe Bashkia e Tiranës, pavarësisht nga mosreagimi i kryetarit t’i bashkohet këtij solidariteti” tha Poni.