E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkrimtarët tanë, thesari në pragun e shtëpisë

Fabula e romanit të famshëm të Paulo Coelhos “Alkimisti”, më ngjan si shenja më e përshtatshme e krahasimit me rastin që dua të shqyrtoj. Një udhëtim plot aventura në kërkim të një thesari që e paskemi pasur mu aty në pragun e shtëpisë. është si të kthesh kokën pas, kur ndjen se harresa është davaritur e shkëndija të një ndjesie të shkuar të ftojnë t’i ndjekësh. Edhe pse nuk ke shpjegim për këtë. Thjeshtë i ndjek dhe i shijon. Si një libër që e ke pasur në bibliotekë prej kohësh, por dora s’është ndalur asnjëherë tek ai. As që e ke marrë mundimin ta hapësh. Paragjykim? Një zhgënjim i mëparshëm? Një betim i llojit “Asgjë e re!…S’kam për të prekur kurrë më një libër të këtij lloji…!” Shumë njerëz që njoh, e kanë bërë këtë betim (edhe pse s’na pëlqen) për autorë të letërsisë shqiptare. Që në krye të herës e përjashtoj Ismail Kadarenë. Pas tij edhe Fatos Kongolin. Kur kujtoj një shkrim të para do viteve “Ervin Hatibi dhe Mimoza Ahmeti, poetët bestseller”, shtyhem të bëj dhe këtë përjashtim. Përjashtimi i tretë? Në të vërtetë kuptoj se nuk është përjashtim. Ka qenë një grishje e kësaj që po ndodh sot. Ishte e pabesueshme të flisje para pak vitesh për lexues që blejnë romane të autorëve shqiptarë, në shifra që e kalojnë 1000 kopje (tirazhi fillestar që hedhin zakonisht botuesit shqiptarë). Por, prej dy-tre viteve po konfirmojmë se kjo po ndodh. Dhe është gjithnjë e më e dukshme nga viti në vit. Në 2009-ën shtëpia botuese “Toena”, sipas statistikave të fundvitit, shënonte në listën e botimeve më shumë se 80% tituj të autorëve shqiptarë. Pra një vit i sunduar prej autorëve tanë. Për këtë arsye do t’i referohem pikërisht kësaj shtëpie botuese, nga ku mësoj lajmin e fundit, befasues për mua... Dy romane të sapobotuar prej kësaj shtëpie botuese kanë shitur të gjithë tirazhin e parë, dhe nga fillimi i këtij muaji kanë hedhur në librari tirazhin e tyre të dytë. Bëhet fjalë për romanin e Bashkim Shehut, “Moxart me vonesë” dhe romani “Ku je?”, i shkrimtares Flutura Açka. Romani i Bashkim Shehut doli në qarkullim më 4 shtator 2009. Në fund të dhjetorit libri ishte shitur i gjithi. E njëjta gjë ndodhi edhe me romanin e ri të Flutura Açkës, “Ku je?”, i hedhur në qarkullim në fillim të nëntorit, i cili shënoi shitjen e gjithë tirazhit të parë prej 1000 kopjeve dhe tashmë 1000 kopjet e dyta po shkojnë në duart e lexuesve. Të dy këta autorë, sipas botuesve të “Toenës” kanë rezultuar të suksesshëm edhe me romanet e mëparshme të tyre. Romani “Rrethi” i Shehut, gjithashtu ka njohur ribotime, sikurse edhe romani “Angelus Novus”, me të cilin shkrimtari ishte pretendenti kryesor për çmimin “Balkanika” para dy viteve. S’di në ka saktësi në argumentin rreth ngjarjeve, personazheve dhe atmosferës së këtyre romaneve. Në të vërtetë, dy veprat që po marr shembull, “Moxart me vonesë” dhe “Ku je?” trajtojnë fabula nga koha e diktaturës. Gjetjet janë interesante. Por mbase duhet marrë parasysh edhe një prej konstatimeve të atyre pak njerëzve që synojnë të bëjnë kritikë letrare në vendin tonë, konstatim që lidhet me pjekurinë artistike të shkrimtarëve të mësipërm. Në po të njëjtën vazhdë logjike do të ecnim nëse trajtojmë edhe shembuj të tjerë shkrimtarësh shqiptarë, veprat e të cilëve janë hedhur në tregun e librit gjatë 2008 dhe 2009-ës. Toena përmend emra si Agron Tufa, Diana çuli, Besnik Mustafaj, Ylljet Aliçka, e sigurisht shkrimtari që e ka fituar betejën me tregun shqiptar prej vitesh, Fatos Kongoli, romanet e të cilit ribotohen vazhdimisht. Më së fundmi u ribotua për të disatën herë “Kufoma”, një prej romaneve të hershme të tij, pa përmendur romanin e fundit “Bolero në vilën e pleqve”, që theu gjithë parashikimet e botuesve sa u takon shitjeve dhe ribotimeve. Krejt në fund dhe jo pa qëllim lashë rastin e shkrimtarit Ben Blushi. Ai nuk hyn në këtë rrjedhë. Pasi romanet e tij kanë shënuar një kulm krejt të paimagjinueshëm për tregun tonë të librit. Romani i tij i parë “Të jetosh në ishull”, sapo ka shënuar plot 30 mijë kopje të shitura, ndërsa vijon në ngjitje pa u ndalur edhe romani i tij i dytë “Otello, Arapi i Vlorës”. Gjithçka mora në analizë janë vepra dhe autorë të botuar nga “Toena”, një shtëpi botuese që e përsëris, i është qasur autorëve shqiptarë në masën 80% vitin që lamë pas, duke synuar ta çojë më tej për vitin që sapo kemi nisur. Botimi i librit është së pari biznes, një biznes i cili nëse nuk vjel fitime, duhet të jesh Don Kishot të vijosh me ritme të tilla. Janë edhe shumë botues të tjerë shqiptarë, prej të cilëve s’kanë dalë shifra të sakta, por na bëjnë me dije një ecuri të kënaqshme të autorëve të tyre shqiptarë, si Omsca, Ideart, Ombra GVG, Onufri, Dudaj etj. Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se letërsia dhe autorët shqiptarë po thyejnë barrierën që prej vitesh ishte vendosur mes tyre dhe lexuesit. Arsyet e shembjes së këtyre barrierave meritojnë një analizë më të thellë, një analizë që duhet bërë prej specialistëve, që në fund të fundit gjithçka u tha më lart të mos mbetet një konstatim i momentit, por të studiohet si një fenomen i ri që po lind. Një kthim në botën e ndjesive tona që gjallojnë mes fabulave, personazheve, atmosferës dhe gjetjeve që i paskemi pasur mu aty, në pragun e shtëpisë sonë, e që lexuesi shqiptar me intuitën e tij na bën me dije se i ka rigjetur...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›