E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seriali i vrasjeve, "kryqëzohet" Mile Çami

I dënuar me 22 vjet burg për vrasjen e Loshit të Karbunarës dhe Eduart Dyrmyshit në 2007-ën si dhe i akuzuar për vrasjen e nënën së ish-kapobandës së Beratit, Fatmir Eminit i shtohet dhe akuza për ekzekutimin e biznesmenit nga Fieri 

FIER -Prokuroria i atashon një tjetër akuzë të "fortit" të Fierit, Mile Çami. I dënuar me 22 vjet burg për vrasjen e Loshit të Karbunarës dhe Eduart Dyrmyshit në 2007-ën si dhe i akuzuar për vrasjen e nënën së ish-kapobandës së Beratit, Fatmir Eminit i shtohet dhe akuza për ekzekutimin e biznesmenit nga Fieri. Burime zyrtare nga organi hetimor i këtij qyteti, dje bënë me dije se 52-vjeçari i njohur me nofkën "Mile Çami", dyshohet të jetë autor ngjarjes së bujshme të ndodhur plot tetë vjet më parë, në qendër të Fierit, ku mbeti i vrarë pronari i firmës së ndërtimit "Shpresa", Gjergji Halo. Ndonëse dyshohej se Çami ishte autor i kësaj ngjarjeje të rëndë, për vite të tëra, dosja mbeti e pazbardhur për shkak të mungesës së provave. Rihapja e dosjes në fillim të këtij viti pasoi me dokumentimin e plotë të ngjarjes në fjalë. Mësohet se më 24 dhjetor, Gjykata e Shkallës së Parë e Fierit vendosi masën e sigurisë "arrest me burg" në ngarkim të 'Mile Çamit' për akuzën "vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim" si dhe për "mbajtje të municioneve luftarake pa leje".
VRASJA
Më 12 korrik të vitit 2000 u vra në qendër të qytetit të Fierit, biznesmeni i ndërtimit, Gjergji Halo. Edhe pse kishte informacione që Mile Çami ishte personi më i dyshuar për kryerjen e këtij atentati, policia dhe prokuroria nuk mundën të siguronin prova për vënien e tij nën akuzë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit, pohojnë se me 26 mars të këtij viti u rihap dosja dhe për hetimin e saj u ngrit një grup pune me specialistë të kësaj drejtorie dhe të prokurorisë së rrethit. "Për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur tetë vjet më parë u përdorën të gjitha metodat e hetimit special. Në fund të hetimit rezultoi se Fatmir Emini ishte organizatori i vrasjes së Gjergji Halos. Krimi u krye në bashkëpunim me Bledar Yzeirin", - shprehen burimet policore. Po të njëjtat burime thonë se motivi i kësaj ngjarjeje ishte një konflikt pronësie (Mile pretendonte pronësinë e truallit ku viktima kishte ndërtuar një pallat).
MILE ÇAMI
Vrasja e të vëllait në një lavazh në qendër të qytetit të Lushnjës nga Loshi i Karbunarës (Bujar Sula), shënoi futjen e Mile Çamit në rrugën e krimit. Më 31 dhjetor të 2007-ës, Fatmir Emini merr hak duke ekzekutuar Sulën dhe Eduart Dyrmishin. Pas ma-sakrës së Karbunarës (ekzekutimit të Loshit), Milja bashkohet me grupin e Yzeirëve nga Rrërëza e Kutallisë së Beratit dhe nis konfliktin me bandën e Lul Cakës, të cilët i masakroi dhe ekzekutoi në mënyrë barbare nënën. Aktualisht, 52-vjeçari Mile Çami vuan dënimin me 22 vjet heqje lirie për vrasjen e Loshit të Karbunarës.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›