E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infektivi, lekë më shumë për kushtet e punës

Nga Esmeralda Keta
Mjeket që shërbejnë në pavijonin ku trajtohen sëmundjet Infektive në QSUT do të marrin një shtesë mbi pagën prej 8 mijë lekësh të reja. Kjo eshte quajtur ndryshe shtesa për kushtet e punës 

TIRANE-Bluzat e bardha që shërbejnë në pavijonin ku trajtohen sëmundjet Infektive në Qendrën Universitare Spitalore "Nënë Tereza" do të marrin një shtesë mbi pagën prej 8 mijë lekësh të reja. E quajtur ndryshe shtesa për kushtet e punës, kjo shtesë mbi pagën merret çdo muaj dhe aplikimi i saj i shtrin efektet financiare që nga 1 janari i 2009-ës. Ka qenë ky vendimi që është marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë, për pagat e reja të stafeve mjekësore, i cili ka diferencuar të gjithë ata që shërbejnë tek spitali Infektiv. Ndërkohë që rishikimi i pagës për bluzat e bardha që shërbejnë tek ky spital kanë qenë edhe një ndër rekomandimet e "Avokatit të Popullit"
Kushtet e Punës
Stafi mjekësor i Infektivit përballet çdo ditë me situata që vënë në rrezik shëndetin e tyre. Kjo për shkak të natyrës së sëmundjeve që trajtohen në këtë shërbim, ku më e rrezikshmja është ajo e AIDS-it. Madje, në këtë shërbim nuk kanë munguar as precedentët në mjekim. Kështu vetëm gjatë 2008-ës u regjistruan dy raste ku infermieret e këtij shërbimi, gjatë mjekimit të pacientëve të infektuar me HIV, u shpuan pa dashje me gjilpërën me të cilën po manipulonin të sëmurin. Për fat të mirë, të dyja këto raste nuk ishin fatale për personelin. Por pikërisht për shkak të rrezikshmërisë që paraqet për shëndetin e tyre, puna në Infektiv, personeli mjekësor i këtij shërbimi ka këmbëngulur që të trajtohet me pagë të diferencuar. Në fakt kjo kërkesë e tyre është pasqyruar edhe në propozimin që Ministria e Shëndetësiëë ka dërguar në Qeveri për nivelin e ri të pagave që do të marrin bluzat e bardha të QSUT-së. Qeveria ka vendosur që "shtesën për kushte pune, në masën 8 000 lekë, që përfitojnë punonjësit e shërbimit infektiv në QSUT, e përfitojnë edhe mjekët me tituj e grada shkencore, që janë pjesë e këtij shërbimi, të cilët trajtohen me pagë me vendimin nr.1231, datë 2.7.2008, të Këshillit të Ministrave, "Për pagat e punonjësve mbështetës në institucionet buxhetore dhe të nëpunësve të disa institucioneve buxhetore". Vendimi i marrë në mbledhjen e qeverisë së tre ditëve më parë detajon gjithashtu se efekti financiar, për paga e sigurime shoqërore, që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi, për shtesën për kushte pune të punonjësve të shërbimit Infektiv në QSUT, të fillojë nga data 1 janar 2009 dhe të përballohet nga fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit, të vitit 2009, miratuar për sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Avokati i Popullit
Rishikimi i pagave për mjekët dhe të gjithë personelin ndihmës të Infektivit, ka qenë një nga rekomandimet që "Avokati i Popullit" u ka drejtuar institucioneve përgjegjëse, pas një inspektimi që ka bërë në këtë shërbim. Sipas tij, shtesa prej 2 mijë lekësh të reja që ata kanë përfituar gjatë muajit korrik, dhe konkretisht shtesa për kushte pune, nuk i justifikon vështirësitë me të cilat hasen çdo ditë kjo kategori bluzash të bardha. Pikërisht për këtë arsye, Avokati i Popullit, Emir Dobjani, u ka kërkuar QSUT-së dhe Ministrisë së Shëndetësië mbështetje financiare të punonjësve të stafit mjekësor që punojnë në spitalin Infektiv dhe konkretisht dhënien e shtesës për kushte pune, të diferencuar nga kategoritë e tjera. Në fakt një kërkesë të tillë e kanë bërë edhe vetë mjekët më parë, duke e argumentuar pretendimin e tyre me rrezikun e marrjes së infeksioneve spitalore.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›