Sërish protesta për pronat në Orikum
Dhjetra banorë të Orikumit u janë rikthyer sot protestave, gjithçka për pronat. Dy vjet pas protestave që nisën po me këtë objekt, aktualisht çështje e mbetur pa zgjidhje, tubimi ka kujtuar se deri në zgjidhjen përfundimtare të çëshjes së pronave, do të ketë forma të tilla.
Sot në orët e para të mëngjesit përpara Bashkisë së qytetit janë bashkuar me dhjetëra banorë, të cilët kanë protestuar për tu rikujtuar organeve përkatëse së banorët e Orikumit janë të vendosur të marrin atë çka u takon.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, është bashkuar edhe kryetari i Bashkisë Orikum, Gëzim Capo, i cili tha së çështja e pronave kërkon zgjidhje imediate për ta zgjidhur përfundimisht atë. Protestuesit thanë se kërkojnë nga institucionet përkatëse certifikimin e pronës së tyre. Jemi mbledhur këtu dy vjet pas protestave, të cilat njohën edhe dhunë, për ti kujtuar qeverisë që nuk kemi hequr dorë nga çështja jonë.
Dy vjet më parë, banorë të Orikumit, Dukatit e Tragjasit nisën tubimet për çështjen e pazgjidhur të pronave, çka pasoi me një zinxhir protestash gjatë këtyre dy vjetëve, ku u shënuan edhe përleshje të dhunshme mes banorëve dhe forcave të policisë. / Anila Peçi