E Diel, 1 Nëntor 2026

Serish të shtëna me armë zjarri në veri

"Dëme materiale të shkaktuara nga të shtëna me armë zjarri janë raportuar të kenë ndodhur në zyret e “DEMI” program i mbështetur në kuadër të USAID, në rrugën “Mbreti Petër” në veri të Mitrovicës", thuhet në një njoftim të Policisë së Kosovës.

Sipas policisë rasti është raportuar sot, ndërsa policia është informuar përmes kontaktit telefonik nga njëri prej punëtorëve të kësaj zyre.
"Sipas paditësit, dëmet në lokal janë vërejtur sot, kur njëjti është paraqitur në punë ndërsa dyshohet se të shtënat kanë ndodhur gjatë fundjavës", thuhet në njoftim.

Njësitë patrulluese të policisë së Kosovës të stacionit veri në Mitrovicë, thuhet se kanë kontrolluar lokacionin ku ishte raportuar për të shtëna me armë zjarri, ndërsa kanë vërejtur dëme materiale të shkaktuara në lokal nga armë zjarri.

Hetuesit policorë së bashku me teknikët e kriminalistikës, të cilët kanë bërë ekspertizën në vendin e ngjarjes kanë vërejtur dëmet e shkaktuara në xhamin e dritares dhe vrimat në murin e zyrës që besohej të ishin shkaktuar nga arma e zjarrit.

Prokurori publik i prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, është informuar lidhur me rastin, ndërsa policia ka iniciuar hetimet e para të rastit të regjistruar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›