E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sërish tërmete në Japoni

Vijojnë pa reshtur lëvizjet sizmike në Japoni. Gjatë orëve të vona të së shtunës janë regjistruar sërish tërmete në këtë vend. Kështu, një tërmet i fuqishëm me fuqi 4.8 ballë të Rihterit goditi prefekturën japoneze Nigata, ndërsa menjëherë pas kësaj, është vënë re të dalë tym i dendur nga centrali bërthamor në këtë prefekturë.

Autoritetet njoftuan se pas tërmetit të ri nuk janë publikuar raporte për viktima apo dëme të mëdha, dhe nuk është dhënë as alarmi për cunam. Epiqendra e tërmetit ka qenë në prefekturën Nigata në thellësi prej afro 30 kilometrash, ka njoftuar agjencia sizmologjike japoneze. Ndërkohë, nga stacioni i kontrollit të centralit bërthamor ka filluar të dalin shtëllunga tymi, raportoi agjencia japoneze e lajmeve Kjodo. U raportua se incidenti ka ndodhur gjatë verifikimit të sistemit për pastrimin e ujit në kompleksin bërthamor Kashivazaki-Kariva, njoftoi kompania energjetike TEPKO.

Gjatë ditës së shtunë, japonia regjistroi edhe një tjetër tërmet në orët e mengjesit. Tërmeti ishte me intensitet 5.9 ballë i shkallës Rihter. Fatmirësisht as nga ky tërmet nuk ka patur njoftime për viktima a dëme, dhe gjithashtu as paralajmërim për cunam. Japonia u godit rëndë më 11 mars të këtij vitit nga tërmeti 9 ballë i shkallës rihter, që gjeneroi më pas edhe një cunam të fuqishëm. Këto fenomene provokuan vdekjen e mijëra njerëzve dhe shkatërrime masive në impiantin nuklear të Fukushimas.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›