Sërish thirrje antishqiptare në Maqedoni: Shqiptari i vdekur, është shqiptar i mirë
Fyere raciste dhe antishqiptare nga tifozët maqedonas Komitët të klubit të futbollit Vardar në Shkup. Fyerjet në kor janë dëgjuar vazhdimisht gjatë ndeshjes që u zhvillua dje mes Vardarit dhe klubit Ohri 2004. Shqiptari i vdekur, është shqiptar i mirë, Dhoma gazi për shqiptarët, Shqiptarët të zhduken, kanë qenë disa nga thirrjet e drejtuara në Stadiumin e qytetit Filipi II në Shkup. Për incidentin që ka ndodhur janë dëshmi edhe xhirimet televizive të disa televizione publike dhe lokale në Maqedoni. Federata e Futbollit e Maqedonisë pritet të shqyrtojë këtë veprim racist të tifozëve të njohur Komitët dhe se sot nuk ka pasur asnjë reagim lidhur me aktet e tilla provokuese në stadiumet sportive. Mediat maqedonase nuk i kanë bërë jehonë thirrjeve dhe fyerjeve raciste të tifozëve maqedonas. Një muaj më parë në stadiumin e Prilepit ndodhën fyerje raciste dhe antishqiptare në përballjen midis kombëtareve të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Javën e kaluar ndodhi një incident i kësaj natyre në stadiumin e Kaçanikut në ndeshjen midis Lepencit dhe Dritës së Gjilanit, ku tifozët dogjën flamurin maqedonas dhe përdorën sllogane fyese. Lidhur me këtë veprim, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë kërkoi zbardhjen e incidentit dhe reagoi ndaj këtyre veprimeve, duke i quajtur akte jocivilizuese.