E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sërish trazira në Egjipt, kanali i Suezit shpallet “zonë e ndaluar”

Sikur të mos mjaftonin javë të tëra protestash të përgjakshme, me pasoja në njerëz, të tjera protesta janë regjistruar sërish në Egjipt.

Sheshi “Tahrir” në qendër të Kajros, që ishte pikënisja e rrëzimit të regjimit të ish-presidentit Hosni Mubarak në Egjipt, vazhdon të qendrojë i mbushur me protestues. Edhe në fundjavë mijëra njerëz u grumbulluan për të kërkuar rinisjen e menjëhershme të reformave për demokratizimin e jetës politiko-ekonomike të vendit.
 

Protestuesit kërkojnë gjithashtu edhe gjykimin e të gjithë efektivave të sigurisë të cilët gjatë protestave të fillim-vitit ushtruan dhunë ndaj manifestuesve. Megjithë premtimet e kryeministrit, Essam Sharaf, protestuesit thonë se nuk do të braktisin sheshin pa plotësimin e kërkesave të tyre.

Ndërkaq të lundrosh në kanalin e Suezit është një mision i pamundur pasi askujt nuk i lejohet të kalojë përtej tij. Lajmin e bëri publik presidenti i autoritetit vendor egjiptian që merret me rregullat e strategjisë së kalimit në kanalin e Suezit, që gjendet në lindje të gadishullit të Sinait, mes portit Said në Mesdhe dhe Suezit në Detin e Kuq.

Duke folur për agjencinë italiane “ANSA” gjenerali Ahmed Fadel, deklaroi se “kanali i Suezit ndodhet tërësisht në mbikëqyrje të rreptë. Nuk do të lejojmë askënd t`i afrohet apo të krijojë një situatë rreziku në këtë zonë”, nënvizoi Fadel. Sipas gjeneralit egjiptian vënia në mbikëqyrje të rreptë e kanalit bëhet për ruajtjen e sigurisë kombëtare të vendit. Vendimi për ta vënë në rreth të kuq si zonë të ndaluar kanalin e Suezit erdhi pasi nga e mërkura vendi është përfshirë nga protesta, që ende nuk kanë shënuar ndonjë përplasje që të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në funksionimin e kanalit të Suezit.
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›