E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serra e shkollës

Nxënësit dhe arsimtarët e Shkollës së bujqësisë “Zenel Hajdini” në Ferizaj, kanë bërë një tezgë të vogël, ku kanë nisur t’i shesin prodhimet e tyre nga serra që gjendet në oborr të shkollës. “Shitja po ecën mirë. Blerës janë kryesisht punëtorët e shkollës, po nuk është i vogël as numri i qytetarëve që vijnë e i marrin prodhimet tona të freskëta”, thotë zëvendësdrejtori i shkollës, Sami Vranovci.

Për hir të transparencës, punëtorët e angazhuar për shitje, mbajnë evidencën në një fletore, ku shihet se interesimi për blerjen e prodhimeve të tyre është i madh.

Serra e kësaj shkolle ka 32 metra katrorë. Është e ndërtuar sipas parametrave më bashkëkohore. Ajo ka edhe nxehjen qendrore, që të mund të funksionojë në çdo kohë. Serra është një projekt i qeverisë daneze, përkatësisht i organizatës DANIDA, e cila edhe ka investuar 14 mijë euro. Muajin e kaluar këtë shkollë e ka vizituar edhe vetë ambasadori danez. Ai ka ardhur nga Tirana dhe ka mbetur i habitur me punën e mirë që kanë bërë nxënësit e kësaj shkolle.

Serra e kësaj shkolle llogaritet të jetë më e mira në Kosovë. “Nxënësit e kësaj shkolle vërtet janë treguar të dobët në testin kombëtar, ama në punët praktike janë treguar si shumë të suksesshëm”, thotë zëvendësdrejtori i kësaj shkolle, Sami Vranovci.

Ndërsa në sezonin e kaluar, nxënësit e kësaj shkolle kishin kultivuar më shumë lule, këtë sezon kanë mbjellë domate, speca dhe tranguj. Në tezgën e tyre pranë serrës, prodhimet e tyre i shesin me çmime çfarë janë edhe në treg. Tre kilogramë tranguj i sheshin për 1 euro. Domatet i shesin për 0,55 euro kilogramin, ndërsa specat i shesin për 0,60 euro kilogramin.

Sejdi Sadiku është kujdesur vullnetarisht për punën në serrë. Tek tash pas dy muajve shkolla e ka futur në listën e pagave. Megjithatë, punën e bërë, Sadikut do t’ia kompensojnë nga shitja e prodhimeve. Nga kjo shitje, kolektivi i shkollës pret të realizojë një shumë të mirë parash. “Do të kujdesemi që t’i shfrytëzojmë sa më mirë për nevojat e shkollës dhe të kolektivit”, thotë kryetari i Sindikatës së arsimit të Ferizajt, Rexhep Sadiku, njëherazi mësimdhënës në këtë shkollë.

Përgjegjës i këtij projekti është profesori Eshref Qerimi, për të cilin të gjithë në kolektiv kanë fjalë të mira. Meqë oborri i kësaj shkolle ka një hapësirë të konsiderueshme, zëvendësdrejtori thotë se kanë planifikuar të nisin edhe me kultivimin e pemëve. Ai thotë se këto projekte kanë bërë që nxënësit e kësaj shkolle të mos shkojnë më në Therandë, Rahovec e Lipjan për punë praktike, por këto tashmë i kryejnë në oborrin e tyre.

Megjithatë, interesimi për këtë shkollë, përkundër kushteve të mira të punës praktike, është tepër i vogël.

“Duket bujqësia ende nuk është joshëse për të rinjtë tanë. Për këtë afat të regjistrimit, vetëm 40 nxënës janë lajmëruar, ndërsa është planifikuar që në vitin e parë të ketë 416 nxënës”, thotë zëvendësdrejtori i shkollës, Sami Vranovci.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›