E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi padit Komunën e Prishtinës

Nëse e kërkoni korrupsionin e gjeni në Komunën e Prishtinës. Kështu thotë Hamdi Thaçi, qytetar i Prishtinës, i cili muaj më parë ka ushtruar padi private kundër zyrtarëve të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Padia e tij është drejtuar kundër Shyqëri Spahiut, ish-drejto i Drejtoratit për Urbanizëm, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Nazmie Tora, U.D e shefes së Sektorit të Urbanizmit në këtë drejtori dhe Vjosa Rexhepit, punëtore e kësaj drejtorie. Këtë padi, Thaçi e ka adresuar në Gjykatën Komunale të Prishtinës dhe në Prokurorinë e EULEX-it, duke i akuzuar këta tre persona se kanë shpërdorur detyrën zyrtare, duke i lëshuar leje urbanistike Fahredin dhe Sami Maçastenës, kundër Ligjit mbi ndërtim dhe plan rregullativ për lagjen “Aktash” në Prishtinë. Kjo është lagjja në të cilën Thaçi jeton.

“Nëse do të përfillet ligji, ata kanë kryer vepër penale të ‘shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit’”, thotë i shqetësuar Thaçi për Express.

Ai thotë se është detyruar të bëjë këtë padi kundër këtyre personave, sepse sipas tij, që nga viti 1987, kur është aprovuar dhe është në fuqi plani rregullativ i ndërtimit për lagjen “Aktash”, nuk është aprovuar asnjë plan detal tjetër për këtë lagje.

“Dhe kjo leje e lëshuar vitin e kaluar nga kjo drejtori, në emër të Fahredin dhe Sami Maçastenës, bie ndesh me planin e vjetër të kësaj lagjeje”, sqaron Hamdi Thaçi.

Sipas lëshimit të lejes për vëllezërit Maçastena, etazhi i objektit duket të jetë 2 kate (P+2), kurse Thaçi thotë se zyrtarët në fjalë, e kanë shkelur edhe këtë pikë të lejes.

“Shtëpia është ndërtuar në 3 kate (P+3), që bie ndesh me lejen e lëshuar”, pohon ai.

Përveç padisë, Hamdiu ka dhënë edhe disa arsyetime. Ai thotë që shtëpia për të cilën ka bërë ankesë, nuk është ndërtuar aty ku e ka pasur lejen, por ka lëvizur 3 metra, duke iu afruar kështu drejt shtëpisë së tij.

“Unë si i dëmtuar kam intervenuar menjëherë duke shkuar në të gjitha instancat e Drejtorisë për Urbanizëm, por asnjëherë nuk kam marrë përgjigje konkrete nga ata”, thotë ai. Për më tepër, tash një pjese të shtëpisë së tij i është zënë drita e diellit.

Pas pritjeve të gjata, Thaçi është detyruar të takohet personalisht me zyrtarë të Drejtorisë së Urbanizmit, për t’u takuar me Vjosa Rexhepin. Ai e akuzon atë se asnjëherë nuk ka dalë në terren për të shikuar gjendjen faktike të këtij problemi.

“E dija që ajo ka qenë gjatë kohës kur është lëshuar kjo leje. Sapo fillova t’i tregoj, e pashë që filluan t’i dridheshin duart. E pyeti kolegu i saj se çfarë ke, dhe ajo me zë të ulët i tha se është detyruar ta lëshojë këtë leje me presion nga Shyqëri Spahiu”, citon Hamdiu, fjalët e Vjosa Rexhepit. Kurse në padinë e Hamdi Thaçit shkruan se ish-drejtori e fajëson Vjosa Rexhepin për lejen e lëshuar. Madje ai shpjegon se nga biseda me Shyqëri Spahiun, ai i ka thënë se përgjegjësinë e mban autorja e lejes, Vjosa Rexhepi, për lëshimet që i ka bërë.

Por, përveç tre të akuzuarve, Thaçi për këtë rast fajëson edhe drejtuesit aktualë të Urbanizmit në Prishtinë, pasi që nuk i janë përgjigjur kërkesave të tij që të ndërpriten punimet derisa të sqarohet situata.

“Drejtoresha Luljeta Sokoli duke e zvarritur përgjigjen e kërkesave të mia të protokolluara, do t’i mundësojë ndërtuesit që të më vërë para aktit të kryer dhe kështu bëhet bashkëpjesëmarrëse e të dyshuarve”, shkruan në padinë e Thaçit, i cili thotë se është takuar edhe me Ismet Halitin, inspektor i Komunës së Prishtinës.

“Ai më pati premtuar më parë se nuk do të lejojë as një metër të ndërtohet pa leje, por e kotë. Kësaj radhe më tha që do të intervenojë që ta ndalojë punën, por as kjo kurrë nuk ndodhi”, shpjegon Hamdi Thaçi, sipas të cilit, tashmë është e kotë të bëhet ankesë.

“Sepse shtëpia është ndërtuar, nuk mund të ankohem para një akti të kryer”, shpjegon ai.

Gjatë kohës kur ai ka kërkuar intervenim nga ana e këtij drejtorati, Thaçi ka marrë një përgjigje nga inspektori Hazir Zhitia, por për të cilin kjo përgjigje është sipërfaqësore.

“Është ruajtur ky normativ deri në një masë të caktuar, por jo me saktësi”, thuhet në përgjigje. Pos kësaj, Zhitia e pranon se Fahredin dhe Sami Maçastena e kanë tejkaluar edhe këtë leje, që edhe ashtu nuk është krejt në rregull. Expressi ka tentuar të marrë edhe një përgjigje nga zyrtarët e Komunës, mirëpo ata kanë zgjedhur të mos flasin për këtë çështje. Sidoqoftë, Hamdi Thaçi thotë se nuk do të ndalet me kaq. Ai këmbëngul që kësaj çështjeje t’i shkojë deri në fund.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›