E Shtunë, 31 Tetor 2026

Server: 2008, vit i sukseseve në Kosovë

Prishtinë - Daniel Server, drejtor i Iniciativës ballkanike në Institutin Amerikan për Paqe, vitin 2008 e ka vlerësuar të suksesshëm për Kosovën. “Shpallja e pavarësisë ka qenë një akt mjaft pozitiv. Pas saj, një tjetër hap I rëndësishëm ishte edhe aprovimi I Kushtetutës. Njohja e pavarësisë nga 53 shtete është një tjetër zhvillim pozitiv.” tha Server në një intervistë për TV21. Server vlerësoi se qeverisja e mirë në këto momente është shume e rëndësishme. "Ju që tashmë jeni të pavarur tregoni se dini të qeverisni duke i trajtuar qytetaret tuaj në mënyrë të barabartë, korrekte, duke ua garantuar të drejtën e sundimit të ligjit, duke siguruar se askush nuk do të keqtrajtohet sepse flet serbisht apo shqip", ka porositur Server. Kjo nuk është përgjegjësi vetëm e lidershipit, thotë Server, por e tërë qytetarëve të Kosovës, për të cilët thotë se janë sjellë mjaft të mirë dhe duhet të vazhdojnë të sillen, madje ndoshta edhe më mirë! Server është i mendimit se përmirësimi i raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit është i rëndësisë vitale për rajonin, por siç thotë nuk nuk do të dëshironte "OKB-në në mes", sepse ajo deri më tani ka treguar se përkrahë Serbinë. "OKB është organizatë e vendeve sovrane dhe për Kosovën nuk është lehtë të anëtarësohet në të. Pikërisht për këtë arsye unë mendoj se forma më e mirë është bisedimet me Beogradin, edhe po qe se jo për çështjen e statusit, atëherë për çështjet problematike aktuale një nga një, me qasje praktike që është pjesë e qeverisjes së mirë, që është formë e sigurimit të pakicës serbe që jeton në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilës nuk jeton në veri, që ata të ndihen të sigurt se nuk do të keqtrajtohen".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›