E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia në Allias, nipi: Ja si autori mashtroi e vrau tezen dhe të shoqin

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 04-07-2011 12:35

Tiranë Dera e shtëpisë së marrë me qira, e familjes Elmazi, është hapur për ngushëllime. Përpara saj, në tavolina e karrige, të afërmit e familjes shpërndanin cigare e kafe për mort. Ende pa u tharë mirë dheu i hedhur mbi arkivolin e Anife Elmazit, një tjetër arkivol pritet t’i bashkohet asaj ditën e sotme. Fatmir Elmazi ndërroi jetë ditën e djeshme, duke mos i mbijetuar dot plagëve të marra. Varfëria e kësaj familje kuptohet menjëherë, mjafton t’i hedhësh një sy të shpejtë kushteve në të cilat ata jetojnë. Ndaj edhe varrimi i dy viktimave është bërë falë kontributit të një shoqate dhe të një biznesmeni të zonës. Katër fëmijët e mbetur jetimë të çiftit Elmazi janë të mbyllur brenda banesës, por djali i madh i familjes është ai që e vuan më shumë këtë ngjarje të rëndë. Bashkë me të, në banesën përdhese është dhe nusja e tij, babai i së cilës shkaktoi tragjedinë në këtë familje. Nipi i Anife Elmazit, teksa afrohet, pranon të tregojë atë çfarë ka ndodhur mëngjesin e së shtunës.

Pasojat e krimit të ndodhur natën duke u gdhirë e shtuna janë rënduar edhe me vdekjen e Fatmirit. Me aq sa jeni në dijeni, cilat janë shkaqet e kësaj tragjedie?

Unë nuk kam qenë këtu në momentin e ngjarjes, pasi shtëpinë e kam më larg. Gjithçka ka nisur pas rrëmbimit të vajzës. Ajo në fakt erdhi me dëshirë, por ne kështu e quajmë në gjuhën tonë. Babai i vajzës nuk ishte dakord me martesën e tyre dhe vajti në polici për ta denoncuar largimin. Më pas, edhe Ylli Sherifi dhe burri i tezes shkuan në polici për t’u pajtuar dhe për ta mbyllur këtë muhabet. Të premten në darkë, Ylli trokiti në derë duke u thënë që ta hapnin derën, pasi kishte sjellë pajën e vajzës. I pari doli burri i tezes, Fatmiri, i cili u gëzua kur dëgjoi këto fjalë, pasi mendoi se gjithçka ishte mbyllur. Por kur hapi derën u qëllua me kallashnikov nga ana e Yllit. Pasi dëgjoi krismat, tezja doli me vrap dhe u plagos dhe ajo. Ndërsa Ervini ishte në banjo në momentin e ngjarjes dhe sapo dëgjoi krismat doli për të parë se çfarë kishte ndodhur. Aty u plagos me dy plumba në këmbë dhe më pas u fsheh për t’i shpëtuar plumbave të tjerë.

Po ju si e morët vesh ngjarjen?

Më njoftuan të afërmit dhe nuk arrita ta besoja. Ne të gjithë ishim në dijeni të këtij konflikti, por nuk mund ta mendoja kurrë që mund të ndodhte kjo gjë. Sapo erdha këtu, e mora vesh ngjarjen dhe akoma dhe sot nuk arrij t’i jap një shpjegim gjithë kësaj që ndodhi. Tezja bashkë me burrin ishin njerëz shumë të qetë dhe nuk kishin probleme. Ishin të varfër dhe mundoheshin të punonin për të siguruar bukën e gojës. Te kjo shtëpi ata kanë ardhur vetëm pak ditë më parë, pasi nuk kishin as shtëpi dhe jetonin sa andej-këtej. Imagjinoni që dhe varrimi i tezes është bërë nga një shoqatë, ndërsa varrimi i burrit të tezes që do të bëhet nesër (sot), do paguhet nga një biznesmen i zonës. Nuk di çfarë t’ju them më shumë.

A e njihnit ju më përpara Ylli Sherifin?

Jo, nuk e njihja më parë. Vetëm kur mësova që djali i tezes donte të martohej me vajzën e tij, atëherë e njoha. Mesa më kanë thënë, ai ishte një njeri shumë i qetë dhe që nuk ngatërrohej me njerëz të tij, por në familje ishte shumë i rreptë dhe nuk pranonte që t’i kthehej fjala.

Po vajza, ka ardhur me dëshirë në shtëpi apo është detyruar?

Jo, jo, ajo ka ardhur me dëshirën e vet. Madje, ajo ishte ndarë nga i fejuari që kishte, pasi kishte rënë në dashuri me djalin e tezes. Erdhi në shtëpi dhe ndenji aty, pasi do të martoheshin, por babai i saj nuk ishte dakord dhe bëri atë që bëri.

A kanë ardhur për ngushëllim të afërmit e Ylli Sherifit?

Jo, jo nuk kanë ardhur dhe nuk besoj që do vijnë. Ata janë mbyllur në shtëpi dhe nuk dalin prej andej. Ata banojnë vetëm pak minuta që këtu, por nuk besoj që do kenë guximin që të vijnë për ngushëllim, pasi kjo që ka bërë ai është shumë e rëndë dhe nuk ka asnjë justifikim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›