E Shtunë, 31 Tetor 2026

Servet Pëllumbi: “Rrëzimi i qeverisë më 30 prill, naivitet”

Autori i Lajmit: Redaksia
Servet Pëllumbi, një nga personazhet kryesore të Partisë Socialiste, kritikoi dje mesazhet e dhëna nga Edi Rama deri më tani për “rrëzimin e pushtetit në protestën e 30 prillit”. Sipas “profesorit” të Partisë Socialiste, tentativa për rrëzimin e Qeverisë më 30 prill do të ishte një naivitet. “Mosbindja qytetare para dy vjetësh në Francë brenda një nate dogji 20 mijë makina, siç kam dëgjuar unë ndonjë politikan të së majtës, i cili, fatkeqësisht, thotë se më 30 prill merr fund qeveria, më 30 prill merr fund korrupsioni, është naivitet”,- është shprehur Servet Pëllumbi në një aktivitet për librin e tij të fundit mbajtur dje në Tiranë.
Programi
Për sa u përket ideve të programit të ri të socialistëve, Servet Pëllumbi ka kritikat e tij për distancimin nga e majta. “Ajo që është e majtë, duket sikur ka turp të thotë që është e majtë. Pse? Sepse nuk u referohet atyre shtresave, kategorive të njerëzve, që janë të majtë dhe kërkojnë një program të majtë, nga vetë gjendja e tyre social-ekonomike. Po të jetë se partinë e ke parti në përgjithësi apo rreth një grupi njerëzish dhe pa referencë në hapësirat sociale, atëherë ajo nuk është parti në kuptimin e vërtetë të fjalës. Po të jetë se u drejtohesh zgjedhësve, votuesve dhe jo shtresave që kanë nevojë për programin tënd, atëherë vetëvetiu mos kërko të të votojnë dhe mos kërko që pse nuk më mbështesni”, - tha Pëllumbi. Në projektprogramin e ri të socialistëve ato vetëquhen një parti e qendrës së majtë dhe liberale. Ky emërtim është cilësuar i papranueshëm për shumë nga figurat e socialistëve.
Kritikat
Ai tha se, nëse partia është një lëndë në përgjithësi apo rreth një grupi njerëzish, pa referencë në hapësirat sociale, atëherë ajo nuk është forcë politike në kuptimin e vërtetë të fjalës. “Po të jetë se u drejtohesh zgjedhësve, votuesve dhe jo vetëm shtresave që kanë nevojë për programin tënd, atëherë vetëvetiu mos kërko të të votojnë dhe mos kërko që pse nuk më mbështesni”,- u shpreh më tej Servet Pëllumbi. Pasi e kritikoi Kryetarin e Partisë Socialiste për marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin, këtë të shtunë Pëllumbi e ka akuzuar Ramën se me aksionet e dështuara që po ndërmerr pas humbjes në zgjedhje, po e tkurr elektoratin e majtë, i cili nuk ndihet më i përfaqësuar në programin e partisë së tij. Pëllumbi ka lënë të kuptohet se filozofia e shfaqur nga Rama në fushatën e qershorit “Përtej së majtës dhe së djathtës” po zhgënjen votuesit, që kanë votuar historikisht për Partinë Socialiste. “Aksionet politike të Ramës gjithnjë dhe më shumë po kundërshtohen jo vetëm nga rivalët e tij, por edhe nga vetë socialistët”. Kështu, Pëllumbi u shtohet zërave kundër Ramës, duke u rreshtuar përkrah Mejdanit e Blushit.

Ky lajm është publikuar: 25/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›