E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’është bërë progres, Fyle shtyn sërish vizitën

09/11/2011  Stefano Sannino vjen këtë javë në Shqipëri për integrimin

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, ka shtyrë sërish vizitën e tij në vendin tonë, të parashikuar për këtë javë. Arsyeja, sipas burimeve nga KE-ja, është mospasja e asnjë lloj progresi sa i takon dialogut politik mes palëve. Burime nga Komisioni Evropian shprehen se në vend të Fyles, vendin tonë do ta vizitojë drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Stefano Saninno. Kjo është hera e dytë që komisioneri shtyn vizitën e tij për të njëjtat arsye. Ai kishte menduar të vizitonte vendin në fund të muajit maj, gjatë vizitës në rajon së bashku me presidentin e Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso. “Kurdo që nisesh për diku, ke njëfarë pritshmërie, kërkohet dhe një mjedis i favorshëm për atë vizitë. Në atë kohë, ne do të kishim ardhur në mes të një debati tepër të nxehtë, në mes të ngërçit politik, pa asnjë shpresë se gjërat mund të ecnin përpara qoftë edhe ndonjë centimetër”, - ka thënë Fyle për anulimin e majit. Ndërkohë, duke iu drejtuar partive politike, ai u ka kërkuar atyre të sigurohen që kurdo që të planifikojë një vizitë të tillë radhës tjetër, “të ndihem i mirëpritur e të ndiej se po flasim në mënyrë konstruktive mbi ato çështje që do ta sillnin Shqipërinë më afër BE-së, eventualisht dhe në BE. Në këtë mënyrë, duket se komisioneri për Zgjerimin ka paralajmëruar anulimin e vizitës në një kohë kur politika shqiptare ka mbetur në vend dhe nuk ka asgjë për të diskutuar për sa i takon konsensusit mes palëve. Jashtë situatës politike zgjedhore, komisioneri duket se ka anuluar një vizitë në vendin tonë edhe në janar të këtij viti, për shkak të ngjarjeve të 21 janarit. Gjatë një deklarimi për mediat, ai tha se u ra dakord edhe me përfaqësuesen e lartë Cathy Ashton për anulimin e vizitës, meqenëse kjo çështje kishte me të vërtetë pasoja politike. Ndërkohë që Saninno, i cili pritet të vijë “në këmbë” të Fyles, herën e fundit që ka vizituar vendin tonë ishte një javë pas publikimit të progresraportit, ku u takua me përfaqësuesit më të lartë të vendit tonë. “Ajo që është e rëndësishme për ne është që të krijojmë kushtet për të çuar përpara axhendën evropiane. Ne duhet të sigurojmë që perspektiva evropiane e Shqipërisë të bëhet realitet. Ne tashmë kemi një shembull shumë të mirë, që është ai i liberalizimit të vizave, dhe ne mendojmë se është në interesin e përbashkët të qytetarëve të këtij vendi që të afrohen më tepër me BE”, - deklaroi ai në takimet e tij.

Porosia për bashkëpunimi

Të dyja palëve u nevojitet shumë punë për të rifituar besimin, e konkretisht përmes dy çështjeve: në njërën anë është reforma zgjedhore, e për këtë ofruan ndihmën e tyre OSBE dhe Komisioni i Venecias, dhe në anën tjetër është përmbushja e 12 prioriteteve kyçe, ku nevojitet bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës, një parakusht ky në vetvete, me qëllim që Shqipëria të përmbushë sipas planit të saj të aksionit listën e 12 prioriteteve kyçe.

Mundësia në dhjetor?

Për mundësinë e marrjes së statusit kandidat në dhjetor, shtetet anëtare, pra Këshilli i ka kërkuar komisionit që të paraqesë këtë dokument (progresraportin). Nuk mund të thuhet që nëse do të ketë ecuri, përparime apo shenja të rëndësishme, Këshilli do të japë statusin e vendit kandidat, por ajo që është e sigurt është se, nëse sinjalet pozitive jepen gjatë kësaj periudhe, komisioneri Fyle dhe Këshilli do të marrin në konsideratë sinjalet. Kjo varet nga klasa politike shqiptare.

Vizita e ambasadores polake

“Integrimi, bëni çmos për plotësimin e kritereve”

Ambasadorja e Polonisë në Shqipëri, Irena Tatarzyska, ka deklaruar nga Shkodra se Shqipëria duhet të bëjë çmos që të plotësojë kriteret që duhen për anëtarësimin në BE, pasi cilësia e zgjerimit të BE varet nga plotësimi këtyre kushteve. “Programi i presidencës polake në BE konfirmoi edhe një herë mbështetjen e shtetit që unë përfaqësoj për integrimin e Shqipërisë. Sigurisht, një nga qëllimet e rëndësishme të presidencës polake në BE është garantimi i zhvillimit për strategjinë e zgjerimit të BE, por sigurisht kjo kërkon nga kandidatët potencialë plotësimin e kritereve që duhen për t’u anëtarësuar në BE. Frika është e njëjtë për të gjitha vendet që duan të integrohen në BE dhe sigurisht cilësia e zgjerimit të BE-së varet nga plotësimi i këtyre kushteve dhe ky rregull i përket të gjitha vendeve që aspirojnë BE-në”, - tha ambasadorja polake. Tatarzyska zhvilloi në Shkodër një takim me drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës, të Dhomës së tregtisë dhe të shoqatës së biznesit, ku është diskutuar për dialogun rajonal ekonomik. Mes palëve u diskutua për hartimin e projekteve të përbashkëta në fushën ekonomike, që do të ndikonin pozitivisht në marrëdhëniet mes dy vendeve në këtë fushë, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të biznesit.

Zv.kryeministri në Gjermani

Haxhinasto diskuton për integrimin e Shqipërisë

Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, ka mbërritur në Gjermani, në kuadrin e një vizitë zyrtare dyditore, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Guido Westerwelle. Gjatë qëndrimit në Gjermani, përveç bisedimeve me homologun e tij gjerman, kreu i diplomacisë shqiptare do të zhvillojë takime me Kryetarin e Komisionit të Bundestagut për çështjet e Bashkimit Evropian, Gunther Krichbaum, me deputetë gjermanë, si dhe me këshilltarin e Kancelares Merkel për Çështjet e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Christoph Heusgen. Në fokus të bisedimeve do të jenë çështje të marrëdhënieve dypalëshe, të procesit tё integrimit evropian tё Shqipërisë, të bashkëpunimit në kuadrin shumëpalësh, si dhe çështje të rajonit. Gjithashtu, gatë kësaj vizite ministri Haxhinasto do të marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme, ku do të mbajë një fjalim me temë: “Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian”. Dy ditë më parë, ministri i Jashtëm shqiptar zhvilloi një vizitë në Strasburg, ku mori pjesë në ceremoninë e kalimit të presidencave të Komitetit të Ministrave, nga Ukraina te Britania e Madhe. Shqipëria do të jetë kryesuesja e KiE-s, post të cilin do ta marrë në maj të vitit 2012.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›