Faturinot femra, Profesioni në zhdukje
Shokë , Shoqe biletën ju lutem!... apo Zonja, Zotëri abonenë!... edhe pas katër dekadash, shprehja ruan të njëjtën përmbajtje, vetëm forma ka ndryshuar... Besnikëria ndaj këtyre formulave të ruajtura me fanatizëm, është huazuar edhe në gjykimin mendjengushtë të njerëzve kundrejt faturinove femra. Për këtë profesion në zhdukje kemi gjetur personazhet e mëposhtme... të cilat rrëfejnë shumëçka mbi këtë profesion e tyre...Mes xhirove poshtëepërpjeta në linjën kinostudio-kombinat, nga shoferët e gatshëm për të ndihmuar, mësohet se janë ende 5 a 6 faturino femra në këtë linjë dhe një e vetme në një linjë private... është e kotë t’i pyesim nëse ka kërkesa nga femrat e reja në moshë... Edhe nëse ndonjëra do ta kërkonte prej hallit “do të rrihte ujë në havan...”, pasi shoqëritë private urbane i kanë hequr fare nga lista. Pagesa e tyre bazë është 16. 000 lekë në muaj, por që nuk shkon më shumë se 8000 lekë, pasi puna e tyre është e normuar, andaj ato mundohen ta nxjerrin vetë bukën e gojës. Nuk marrin as vjetërsi pune apo shpërblime. I vetmi shpërblim në 33 vjet punë, ishte gjatë këtij fundviti... Përpos kushteve të vështira financiare ato përballen çdo ditë me lloj-soj situatash, por që pas shumë viteve në kurriz kanë mësuar t’i lënë në orarin e punës... Cilat janë këto personazhe? Cilat janë përvojat e tyre? ëndrrat? pasionet? Pengjet? Periste gjoni ,Zysha e letërsisë që u shet bileta udhëtarëveEdhe pse kanë kaluar plot 33 vite, panorama e asaj dite të ngrohtë shtatori të vitit nuk i shqitet nga mendja. E qara me ligje e Periste Gjonit teksa drejtohej për në dispeçerin e Kombinatit, nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e kalimtarëve. Në kontrast me temperaturat tepër të larta për një ditë vjeshte, 21-vjeçarja lagte rrugët me lot, ndërsa i takste vetes një fund të huazuar nga tragjeditë shekspiriane... Ishte viti ’85 kur qoftëlargu i asaj kohe, diktatori ktheu thembrat për në botën tjetër, dhe një ngashërim i tillë ishte i justifikuar për sytë zhbirues të njerëzve... Kështu e kujton Peristeja, tashmë një grua 55-vjeçare me kokën mbushur me thinja, ditën e parë si Faturino; “Asokohe mendoja se ishte fundi i botës, pasi nuk e kisha menduar jetën time duke shpërndarë bileta nëpër autobusë, por duke i mësuar fëmijëve gjuhë-letërsi”, na thotë e mallëngjyer. Kërshëria për eksperiencën e saj fatale të shtyn të gërmojsh më tej në kujtime, duke e rikthyer patëkeq në ato vite të vështira. E prerë dhe me një zë potent që tregon karakter të ashpër ajo, “e kurdis” makinën e memories ca vite më tutje, kur ëndërronte një jetë mbushur me poezi, në vitit 1974. Asokohe sapo kishte përfunduar studimet në shkollën e mesme pedagogjike. Menjëherë u emërua mësuese gjuhë-letërsie në Tepelenë, por modeli tragjik i Zonjës Bovari, nuk mund të bënte përjashtim as për vajzën tepelenase. E fejuar gjatë kohës së gjimnazit në kryeqytet, Peristeja martohet e vjen në Tiranë. Por, një mot mbeti pa punë, gjë që sistemi i atëhershëm nuk e kapërcente dot. Ja si e përmbledh faturinoja reagimet që pati: “U mblodh fronti i lagjes dhe thanë pse nuk punon nuse e filanit. Ju shpjegova se gjatë vitit kisha kërkuar punë si mësuese, por nuk arrita të emërohesha, Kërkesa ime u injorua pak ditë më pas, pasi Komiteti më lajmëroi se mundësitë ishin dy: o në kombinat ushqimor, ose faturino”, kujton Gjoni. Nuk kishte zgjidhje tjetër, edhe pse rrekej t’ia mbushte mendjen vetes për të kundërtën... Një punë e tillë paralajmëronte mbi të gjitha probleme në marrëdhënien e çiftit të ri: “Në fillim kam pasur probleme, pasi burri nuk pranonte assesi, por shpejt ndërroi qëndrim, nisur nga situata e ngushtë ekonomike. U mësua me kalimin e kohës dhe nuk patëm më probleme, pasi shumë kolege të miat shkuan deri në divorce”. Ndryshe nga bashkëshorti i saj që nuk puqej me vendimin e nënës Parti, vjehrri i Peristesë ishte shtysa e parë për ta parë pozitivisht profesionin e parë me sy të keq. “Opinioni i njerëzve mbi faturinot ato vite ishte tmerrësisht i keq, ato etiketoheshin me gishta dhe të pakta në numër. Vjehrri më ka thënë këto fjalë që edhe sot e kësaj dite më dalin para syve. “Nuse shko në punë, puna është nder ul kokën e puno! Kështu nisa të punoja”, tregon Peristeja, duke vijuar me detajet gjatë prezantimin paraprak me kolektivin në Parkun e Transportit Urban për qytetarët: “Para se të filloja në autobusët fizarmonika bëhej prezantimi me kolektivin. Më kujtohet që sekretari i Partisë tha: “Kjo vajza vjen nga Tepelena dhe është mësuese” .Të gjithë hapën sytë! Imagjino kapërcimin tim nga kolektivi i mësuesve mes shoferëve”. Më pas i rikthehet detajeve të Ditës së parë: “Dita e parë mes lotësh u caktova në linjën “Kombinat- Kinostudio”, dhe në fillim nuk mblidhja dot lekët. Për fatin tim kam qenë së bashku me një grua të vjetër në fizarmonikat e Shkodrës, e cila më caktoi në pjesën e vogël të Urbanit. Isha turni i dytë dhe kur vajta në shtëpi vijoja të qaja sikur ç’gjëmë kish ndodhur”. Si çdo gjë tjetër që qenia njerëzore pranon pa kompromise, edhe 55-vjeçarja i hodhi prapa krahëve ngashërimet duke pranuar jo, por kësmetin e taksur nga regjimi. “U ambientova aq sa nga një vit, u bënë dy pastaj tre... pa u ndjerë u bënë 33.Rasti im ishte i rrallë, që të lësh arsimin e të punosh faturino, aq sa kur takoj shoqet e mia ende më thonë: “Puuuu! Si nuk gjete një vend pune mësuese, por mua nuk më shqetëson aspak opinioni i tyre”, përgjigjet e prerë. As fëmijët e saj nuk i shqetësonte puna e së ëmës, pasi opinioni për faturinot u zbut paksa. Për më tepër, ata nuk mund të hidhnin poshtë sakrificat pa fund të së ëmës. “Kam dy fëmijë, djalë dhe vajzë dhe jam bërë gjyshe... 8 vjeç nipi. Asokohe, ishte lodhje e madhe, pasi e merrnin turnin në orën 1.30 dhe e linin në 1. 30 të natës. 12 orë punë, nuse e re, me një djalë gjashtë muaj. Rregullonim turnet me burrin që të mbanin djalin, në fillim më kanë ndihmuar edhe vjehrra me vjehrrin. Kur ishin një turn i mbyllnim fëmijët brenda me çelës”, kujton Peristeja....Tanimë, e mësuar me profesionin që i ra për hise, thotë pse punoi dhe vijon ende kaq gjatë. “Nuk mendova ta braktisja as në kohën e demokracisë pasi u përshtata, punoja, ushqeja fëmijët i terezita, ndërsa sot punoj për të dalë në pension. Më duhen edhe 5 vjet për të dalë në pension, por edhe 2 mund të mbajë, më shumë më kanë skaduar nervat”, sqaron Peristeja. Eksperiencën si faturino e ndan në dy periudha, para regjimit dhe pas tij, dallimi mes të cilave është i madh. “Në atë kohë nuk ishte shumë problematike të punoje pasi njerëzit t’i zgjasnin lekët vetë, abonetë nuk kishin dalë, ende. Nëse dikush do të guxonte të shante apo ofendonte, dënohej me 6 muaj burg. Ndërsa sot, të shan me libër shtëpie ofendon, të përbuz... Raste e dhunshme nuk mbahen mend sa ka, të gjitha pas ndërrimit të sistemeve. Tani jam grua vjetër, një burrë 45 vjeç më ofendoi me fjalë banale dhe nuk më dha lekët. Aty qëlloi dhe një polic që as lëvizi qerpikun për të ndërhyrë”, tregon e irrituar. Por ajo që e acaron më shumë është mungesa e edukatës tek rinia e sotme, shqetësim i cili e bën të na rrëfejë episode pa fund... Eshtë një nga 6 faturinot e vetme që kanë mbetur në Tiranë...Nebahete Raçi, Si faturino rrita vajzënDhe historia përsërit vetveten... Sikundër kolegia e saj Peristeja, edhe Nebahete Raçi prej 33 vjetësh punon si faturino në linjën Kinostudio- Kombinat dhe për më tepër është nga Tepelena. Ngjashmëria rastësore në origjinë, moshë profesion dhe vjetërsi pune vlen edhe për mënyrën sesi lagjja vendosi të ardhmen e saj, për ta degdisur në mes të vapës me uniformën prej doku që i merrte frymën në autobusët, aspak komodë. Dita e parë një tmerr i vërtetë, ama lotët nuk i lëshoi që nuk i lëshoi. “Më vinte një duf nga brenda, por i kisha dhënë urdhër vetes të mos qaja dhe ia dola që nga prezantimi me kolektivin e deri në fund të turnit në orët e para të mëngjesit”, kujton veteraneje e linjës së vetme shtetërore të mbetur në kryeqytet. Me gjithë karakterin e egër tepelenas, edhe Nebahetja kishte “thembrën e saj të Akilit, që përshkruhet qartazi në fjalinë e mëposhtme: “Më vinte aq zor nga njerëzit sa kokën e mbaja ulur, sikur kisha bërë turpin më të madh të botës. Por shqetësimi më i madh ishte si t’u kërkoja lekët. Më dukej vetja si lypsare. Më kujtohen ende njerëzit e parë që i preva biletat, më dridhej zëri”. Emocionet, dridhja e zërit dhe vrarja ndërgjegjja u zhdukën pas pak ditësh, kur Nehabetja çoi në shtëpi rrogën e parë, pasi kishte vajzën për të mbajtur... Asokohe mendonte se edhe nja dy vite dhe do ta linte pas krahësh këtë eksperiencë që po e shkatërronte së brendshmi. Por nuk ndodhi kështu, jo se ndërroi mendje por rrjedha e jetës e detyroi të ulte kokën për ta pranuar në heshtje fatin e paracaktuar... Pas disa vitesh sakrificash, vjen divorci me bashkëshortin, e vënë para sprovave akoma më të vështira. Nëse deri atë ditë ishte ankuar për përbuzjen e njerëzve, orët e stërzgjatura në punë e kësisoj hallesh, barra që e priste si prind i vetëm ishte e papërshkrueshme. “Ajo ka qenë periudha më e vështirë e jetës sime, që vetëm ta kujtoj më dridhet mishi, por kur kthej kokën prapa dhe shoh që rrita vajzën, e rregullova dhe kam 15 vjet që gëzoj privilegjet e gjyshes, them se ia ka vlejtur”, shprehet me krenari gjyshja 55 vjeçe, duke i bërë bisht rrëfimit të detajeve mbi divorcin. Me kompromis që zgjat disa minuta ajo pohon se profesioni nuk kishte aspak lidhje me raportin në çift, duke na dhënë provën e vetme, faktin që është divorcuar 25 vjet më parë. Që nga ajo kohë jo vetëm ka qenë një prind i vetëm, por edhe një grua e vendosur për mos krijuar jetë të re. Jo se i mungonte dëshira apo rastet, porse instinkti i mëmësisë ia diktonte dhe këtu mbyllej ky kapitull: “Nuk doja baba të ri për vajzën time dhe e ndava mendjen se kështu do të ishin edhe vitet në vijim. A jam bërë pishman? Aspak, pasi çdo gjë mu shpërblye te vajza që është pasqyra e nj prindi. Tashmë që vajza është larg, kam shoqërinë e faturinove dhe shoferëve aq të përbuzur nga të tjerët, por për mua një familje e madhe”, përfundon Nebahete Rraçi, fatorinoja që shkon me dëshirë në profesionin e paragjykuar dhe me një barrë problemesh....