Sesilja Attias: Jam ende këtu
Kur të nisë të shkruhet një histori e zonjave të para të botës, atyre që ia vlen të përmenden për gjurmët e ndryshme që kanë lënë gjatë “mbretërimit” sigurisht që një emër që do të përfshihet me siguri është ai i Sesilja Sarkozi, aktualisht Attias. Madje, asaj mund t’i kushtohet një kapitull i tërë në këtë libër edhe pse koha që kaloi në pallatin “Elize” përkrah Sarkozisë ishte shumë e shkurtër.
Megjithatë, ishte një kohë e ngjeshur me dramacitet dhe intrigë dhe sigurisht me shumë publicitet dhe kuriozitet. Por përgjatë asaj kohe të shkurtër ajo bëri ndryshime të mëdha në traditën e zonjave të para të Francës, fillimisht duke ndryshuar rolin tradicional dhe më pas duke lënë pallatin me gjithë President brenda për të nisur një jetë të re me një martesë të re. Në pozicionin e Sesilja Sarkozi ajo u tregoi njerëzve se për sa kohë të ishte zonjë e parë nuk do të respektonte rregullat e gurta.
Kështu që në ditët e para u përfshi personalisht në një mision shpëtues që risolli në shtëpi pas një vuajtjeje të gjatë në Libi 5 infermierë bullgarë që rrezikonin të dënoheshin me burgim të përjetshëm. Pas kësaj ndërsa fitoi shumë famë dhe respekt bëri edhe aktin e fundit që i la njerëzit me gojëhapur: u divorcua. Në tetor të vitit 2007, thuajse 5 muaj pasi çifti i parë kishte vënë këmbë në pallatin “Elize”, ajo e ndërroi burrin-president me një tjetër person, sigurisht me një pozicion më modest, Richard Attias me të cilin kishte rënë në dashuri dy vite të shkuara. Divorci i çiftit të parë të Francës në periudhën e presidencës e tronditi opinionin publik në Francë dhe të gjithë menduan se tani presidenca e Sarkozisë do të destabilizohej. Për një gazetë franceze, në atë kohë, Sesilja tha se ajo që po u ndodhte atyre u ndodh shumicës së njerëzve dhe se nuk kishte ndonjë hata kur një ditë të bukur e kupton se nuk e do më njeriun me të cilin ke vendosur të kalosh jetën. Në të njëjtën intervistë ajo tha edhe diçka të keqe për Sarkozinë duke e cilësuar si njeri shumë egoist që nuk ka dashur as fëmijët e vet. Por Sarkozi që është ai që tashmë e njohin të gjithë nuk e zgjati shumë beqarinë dhe vajtimin e tij, por menjëherë, pas disa ditësh u hodh në krahët e bukuroshes, ish-modele Karla Bruni me të cilën vuri kurorë. Pas kësaj ishte Bruni ajo që do t’ia zinte vendin Sesiljas dhe për shumë kohë emri i saj thuajse u harrua. Emri i saj përmendej shumë rrallë dhe zëri thuajse iu harrua. Por tani ajo është rikthyer. Tre vitet e jetuara jashtë vëmendjes së botës e kanë bërë që të shijojë martesën e re dhe të mendojë së çfarë do të bëjë me punën e saj. Këtë herë ajo është duke lançuar një përpjekje të re filantropike e konceptuar dhe e drejtuar me bashkëshortin e saj dhe e vendosur në vendin e saj të ri të qëndrimit: Nju Jork. Në moshën 52-vjeçare ajo duket se e ka rigjetur sërish veten dhe bashkë me të edhe ekuilibrin e tij. “Unë thjesht ndryshova. Lashë vendin tim, familjen, miqtë, gjuhën time, por ndihem shumë mirë në Nju Jork. Një mëngjes të bukur zgjohesh dhe thjesht ke dëshirë që të bësh shumë gjëra akoma sepse në një qytet si Nju Jorku gjithçka është e mundur”, thotë Sesilja. Për të misioni i ri ka të bëjë me lehtësimin e barrës së grave në botë. Emri i fondacionit është: Fondacioni Sesilja Attais për gratë” në të cilin ajo ka bërë bashkë shoqata jo qeveritare nga e gjithë Afrika, Amerika, Azia, Lindja e Mesme dhe Europa për të diskutuar se si duhen përballuar situata dhe realitete të rënda për gratë sot në vende të ndryshme të botës si ajo e përfshirjes së grave në politikë, trajtimit të tyre në vende të ndryshme me fanatizëm të theksuar fetar, e të tjera si këto. “Unë kam vendosur që të mos përqendrohem në një çështje të vetme, por të veproj në një platformë të gjerë çështjesh këtu në Shtetet e Bashkuara prej nga shumë grave në vende të ndryshme do t’u vijë dora e ndihmës. Ne japim fonde, mbulime mediatike, logjistikë dhe ndihmë strategjike. Përpiqemi që të gjejmë zgjidhet më të mira të mundshme”. Në mënyrën se si Attais mendon ka shumë seriozitet dhe impenjim.
Vetë Attais preferon shumë ngjyrën e zezë dhe shpesh vishet e tëra në të zezë dhe duket shumë elegante si gjithmonë dhe kur e sheh nuk mund të mos e krahasosh me zonjën e re, Sarkozi, Karlën dhe stilin e saj shumë më të guximshëm. Një nga asetet e saj më të çmuara janë kontaktet e shumta që ka me njerëz dhe institucione të rëndësishme në të gjithë botën dhe këto kontakte ajo ka ndërmend që t’i shfrytëzojë më së miri. Sigurisht që bëhet fjalë për kontakte që i fitoi gjatë periudhës së shkurtër, por të frytshme gjatë së cilës ishte zonja e parë e Francës. Por Sesilja edhe para se të shkonte në pallatin “Elize” kishte bashkëpunuar ngushtë me ish-bashkëshortin e saj kur ai ishte ministër i Brendshëm. “Kam jetuar me Nikolasin për 20 vjet dhe gjatë këtyre viteve kam punuar me të dhe kur ai u caktua ministër i Brendshëm unë kisha një zyrë që ishte menjëherë pas zyrës së tij”, thotë Sesilja e cila ishte e punësuar si këshilltare e lartë e ministrit dhe pikërisht ky pozicion i dha mundësinë që të njihej dhe të kishte informacion për shumë çështje dhe probleme me të cilat ka vendosur që të përballet tani duke filluar që nga dhuna në familje e deri te trafikimi i qenieve njerëzore. Por veprimi që e solli në qendër të aktivitetit konkret ishte negocimi që bëri me libianët për lirimin e 5 infermierëve bullgarë që mund të ishin dënuar me vdekje nëse nuk do të kishte ndërhyrë Sesilja. Ishte në fakt një mision gati i pamundur që kishte të bënte me zgjidhjen e një problemi në thelb ”të pazgjidhshëm” para të cilit kishin dështuar shumë negociata të mëparshme. Ishte një detyrë që shkonte përtej kauzës së bamirësisë së një zonje të parë. Po përse vendosi Sesilja që të ndërmerrte një hap të tillë? ”Nuk e di. Thjesht ndjeva se mund të bëja diçka në atë rast. Ata ishin dënuar me vdekje dhe ishin në burg që prej 9 vitesh dhe ish-bashkëshorti im më besoi dhe kur i thashë që të më jepte një mundësi të bëja diçka ai më tha: ‘Ok. Shko’”.
Udhëtimi i parë në Tripoli zgjati 20 orë, ndërsa i dyti 45 orë dhe kjo pa ngrënë, pa pirë, pa fjetur duke biseduar gjatë gjithë kohës herë me njërën e herë me tjetrën palë me qeverinë, me liderin, dhe infermierët e burgosur. Me liderin nënkuptohet kolonel Gedafi me të cilin ajo pati disa takime kokë më kokë në tendën e tij të famshme. “I thashë se duhet të ndryshonte qëndrim ndaj të burgosurve”. Sipas saj, apeli i drejtpërdrejtë funksionoi dhe mjekët u liruan. Kur arritën në Bullgari Attais thotë se qau për orë të tëra. “Ishte një emocion i jashtëzakonshëm, që vinte pas një presioni po të jashtëzakonshëm”. Ngjarja e Libisë pati dy pasoja që janë parësore dhe të rëndësishme në punën që ajo po zhvillon aktualisht. Menjëherë pas misionit, gra nga e gjithë bota nisën që ta kontaktonin duke i kërkuar ndihmë për probleme të ndryshme. Por mbi të gjitha, kjo histori e bëri Sesiljan që të gjente një objektiv shumë të rëndësishëm për të realizuar. “E dini atë ndjesinë që mund të provohet herë pas here se je në botë për një qëllim të caktuar, për të kryer një mision të caktuar. Unë kam shpëtuar 6 jetë”. Po a mund ta quajë veten Attias një feministe? Dhe më konkretisht a ka për të feminizmi ndonjë domethënie? “Feminizmi është thjesht një e shkuar”, thotë ajo. “Feminizmi ishte i dobishëm. I shërbeu një qëllimi, por tashmë i përket së shkuarës. Ne duam që të ndihmojmë gratë që të ketë paga të njëjta me ato të burrave dhe punë dhe të respektohen njësoj si kolegët meshkuj.
Kjo ka të bëjë me të drejtat e njeriut dhe jo me feminizmin”. Një tjetër çështje për të cilën ajo do të donte që të jepte kontributin e saj është ajo e ndihmës ndaj femrave myslimane në mënyrë që ato të integrohen sa më mirë në shoqërinë perëndimore. Ajo thotë se ka kaluar 8 muaj në Dubai menjëherë pasi iku nga pallati “Elize” dhe gjatë kësaj periudhe ka reflektuar. Po çfarë mendon për iniciativën e fundit të ish-bashkëshortit të saj për të ndaluar përdorimin e shamisë së kokës në Francë nga gratë myslimane? “Epo një person duhet që t’u përshtatet rregullave të vendit në të cilin jeton. Unë mendoj se një grua nuk duhet të mbajë shami kur jeton në Francë. Nëse nesër do të jem e detyruar që të jetoj në një vend që i detyron gratë të mbulohen unë do ta bëj një gjë të tillë dhe nuk do të kundërshtoj duke argumentuar se jam katolike. Unë do të zbatoj rregullat e vendit”.
Sa në kontakt është ajo me ngjarjet në Francë? “Sigurisht që jam në kontakt të vazhdueshëm me gjithçka që ndodh me vendin tim. Jam franceze dhe e dua Francën”. Tani vijmë në një pjesë mjaft të ndjeshme të bisedës me ish-zonjën e parë të Francës, historinë e saj me Presidentin dhe mbi të gjitha fundin e kësaj historie, ikjen nga pallati “Elize? dhe nga vetë Franca. Para se Sarkozi të fitonte presidencën ajo në një intervistë kishte deklaruar se ideja e të qenit një zonjë e parë ishte shumë e mërzitshme. “Unë preferoj që të vishem me xhinse e çizme kauboji dhe nuk më pëlqen të rri me kostume”. Dhe në fakt, gjatë 5 muajve që qëndroi në pallatin “Elize” ajo nuk e pëlqeu aspak traditën e zonjave të para duke munguar në shumë aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare të të shoqit përfshi edhe takimin e parë të Sarkozisë me Bushin në shtëpinë e këtij të fundit. Menjëherë pasi u njoftua divorci ajo deklaroi për shtypin se ajo nuk donte që të bënte një jetë publike, sepse preferonte hijen, qetësinë dhe paqen. çfarë ka dashur të thotë me këtë? “është pjesë e jetës sime, e të shkuarës sime. Unë jam e përqendruar në të ardhmen. Kam kthyer faqe dhe gjithçka është mirë”. Po përderisa ajo e urren kaq shumë jetën publike përse ka vendosur që të kryesojë një fondacion që në fakt nuk është se e bën shumë anonime? ”Nuk është një rol publik. Unë maksimumi do të mbaj ndonjë fjalim të shkurtër për të ndihmuar gratë që nuk do të ketë të bëjë fare me mua. Kur je në qendër të vëmendjes në pozicionin që isha njeriu shndërrohet në viktimë të medias, ndërsa tani unë jam duke e përdorur median për të ndihmuar fondacionin tim”. Duket qartë që Sesilia nuk ka dëshirë që të flasë për divorcin e saj me Sarkozinë, por ka një aspekt të kësaj ngjarjeje që njerëzit do të donin që ta dinin dhe sigurisht edhe gratë për të cilat ajo e ka krijuar fondacionin e saj. Të lësh një partner me të cilin ke qenë për 20 vjet rresht në fillim të mandatit të tij presidencial ishte një akt i jashtëzakonshëm trimërie. Ndaj pyetja që vjen në këtë moment është: A e konsideron Sesilja veten një grua kurajoze? “Nuk e di nëse jam kurajoze. është shumë e vështirë që të gjykosh veten. Unë di se jam e aftë që të përballoj probleme të mëdha”.
Kjo cilësi e Attias ka qenë shumë e hershme. Ajo lindi me një problem në zemër dhe në moshën 13-vjeçare iu nënshtrua një operacioni. Aty kaloi 3 muaj në spital dhe më pas edhe një periudhë të gjatë konvaleshence në mal. Vite më vonë ajo mësoi se mjekët u kishin thënë prindërve të saj se ajo mund të mos i mbijetonte operacionit. Edhe pse në atë kohë ajo nuk e dinte për këtë rrezik ishte e ndërgjegjshme se procedurat e atij operacioni ishin shumë të rrezikshme. E megjithatë, iu nënshtrua operacionit. ëndrra e saj tani është që të ndihmojë gra të tjetra që janë në rreziqe nga më të ndryshmet dhe t’i shohë ato që të dalin fitimtare dhe më të forta nga këto përvoja. “Pra unë jam ende këtu. Asgjë e keqe nuk më ka ndodhur. çdo gjë që mund të vijë pas kësaj për mua nuk ka më rëndësi. Unë mbijetova”.
#